BIK sqaron situatën rreth mishit të prishur të kurbaneve

775

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) thotë se mishi i kurbaneve, kontribut i qytetarëve të Kosovës, është përgatitur në dy thertore, shumica në Hungari ndërsa një pjesë në Istog, e cila dje ka rezultuar e prishur nga organet shtetërore kompetente.

Sipas një njoftimi të BIK-ut në për opinionin, mishi i cili është therur në Hungari përbën sasi më të madhe sesa ai në Istog që rezultoi i pakonsumueshëm dje pas inspektimit të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

“Kryesia e BIK-ut, njofton opinionin e gjerë se sivjet ka therur kurban 1391 krerë lopë. Aksioni për therjen e kurbaneve është bërë në dy thertore, një në Hungari, ku janë therur 1150 krerë lopë dhe një në Istog, ku janë therur 241 krerë lopë”, thuhet në njoftimin i cili shpjegon se mishi i therur në Istog ka qëndruar në një depo të marrë me qira nga BIK.

BIK rithekson se mishi i cili ka qenë i therur në Istog ka pasur mungesë të teknikës për përkujdesje me ç’rast nuk është arritur të qëndrojë i ngrirë në përmasat e duhura. BIK thotë se sasia tjetër e mishit që është përgatitur në Hungari, është në gjendje të duhur dhe do t’u shpërndahet kategorive sociale.

“Kryesia e BIK-ut, sqaron për besimtarët që kanë porositur kurban në BIK, se amaneti i tyre në bazë të parimeve islame është kryer, ndërsa Kryesia do të hetojë rrethanat në të cilat është prishur mishi dhe në bazë të të gjeturave do të marrë masat e duhura që në të ardhmen mos të na përsëriten gjëra të tilla”, thuhet në njoftim.

Dje AUV, siç njoftoi zëdhënësi i saj, Lamir Thaçi, asgjësoi 21 ton mish të kurbaneve, me kërkesë fillimisht të Bashkësisë Islame për një gjë të tillë, meqë një shqetësim të tillë e kishin ngritur përfituesit e mishit të kurbaneve. Ky mish, i cili është therur në Istog, ka qenë i deponuar në depon e kontraktuar nga BIK me lokacion në Veternik të Prishtinës.

AA