Bisedë midis ruhit dhe nefsit

1428

Nexhip Fazëll Kësakyrek

Ruhi – O Nefs, sa i tmerrshëm që je brenda meje! Aq i ngjitur je me mua, saqë hija ime, në krahasim me ty, më duket e huaj… Aq brenda meje që je, aq në mua që je, aq unë që je, saqë tani nuk mund ta dalloj se cili është nefsi: këtij që po i flas, apo ai që po flet… Ti je pjesa e pandashme e një tërësie dhe ata që e ndajnë veten prej teje janë ata që e kanë arritur sekretin e copëtimit të thelbit të zemrës, ata që e kanë shpërthyer atomin e zemrës, janë ata që janë ngjitur në shkallën e njohjes hyjnore.

Nefsi – ………………………………………..

Ruhi – Po hesht, hë! E di, e di! Kush e di tani se për çfarë përgjigjesh po përgatitesh! Për përgjigje që ta hutojnë mendjen, për përgjigje që ta trazojnë zemrën! Gjëja e parë që duhet pasur parasysh lidhur me ty është ai që ta ka ngjitur emrin dhe që ka mund të të ndajë nga tërësia ku je strukur si ngjyra brenda një trupi. Nefs… ky emër nuk ekziston në asnjë gjuhë tjetër përpos fjalorit islam… Nefsi; kuptimi gjuhësor: qenia, e njëjta e një gjëje… Mirëpo, nuk është ajo vetë… Mu ashtu si pamja në pasqyrë që është e njëjtë me atë që ndodhet para saj, por që nuk është ai… Si të mos habitem me fjalorin islam, i cili para se të të kullojë, të të ndajë e të të nxjerrë nga tërësia e njeriut, fillimisht të ka kulluar, të ka ndarë, të ka nxjerrë në shesh dhe të ka personifikuar në mendje.

Nefsi – ………………………………………….

Ruhi – Hesht sa të duash! Hesht, edhe pse emri yt ka kuptimin e nefsit folës! Edhe pse të gjithë kollotumbat e rrejshëm të logjikës, të gjitha akrobacitë mashtruese të kelamit (teologjisë) janë marifeti yt, ti po hesht. Ja kështu pra, sa herë që vëren një sjellje që mund të të djegë, puna e parë e jotja është kjo heshtje hileqare. Ama mos u mërzit; ti do të flasësh; nga murmuritjet e deri te britmat tua, do të regjistroj çdo zë tëndin. Deri sa ti, mu ashtu si pozitivi dhe negativi i një filmi fotografik, të dalësh nga të qenët e kundërta e shpirtit me të cilin ti je i njëjtë…

*****

Ruhi – Të ta them prapë unë, ti dëgjo! Ti, o nefsi im, a nuk je ai pisi që dole nga goja e veliut të madh Abdulkadir Gejlaniut, pas ushtrimeve të tij të gjata me agjërim, që dole në formë të një qeni dhe që shkove ta lëpish enën në një qosh?.. Ti, a nuk je ai ifriti (djalli), që atëbotë veliu i madh të tha: “Ja, dole nga goja ime dhe më shpëtove prej teje! Nuk do të të marr më kurrë brenda meje!”? Po ti, a nuk je ai qafiri (mosbesimtari) për të cilin veliut i tha një zë nga bota e padukshme: “Merre brenda teje, ty të duam bashkë me të!”?

Nefsi – Ha, ha, ha!..

Ruhi – Pse po qeshesh?

Nefsi – Po, unë jam ajo gjëja për të cilën Zoti u tha njerëzve “mbajeni atë brenda vetes suaj, Unë ju dua bashkë me të!” A thua çka jam unë?

Ruhi – Ti je poli i kundërt brenda njeriut, që ka për detyrë ta largojë njeriun nga udhëzimi…

Nefsi – Po të mos isha unë, ti si do ta gjeje të drejtën?

Ruhi – Po të mos ishe ti, për mua nuk do të kishte diçka të shtrembër.

Nefsi – A po i bishtnon konfrontimit dhe sprovimit?

Ruhi – Jo, unë i ik vërtetimit të vlerësimit që ti po ia bën vetvetes, i ik nënshkrimit të kryelartësisë sate.

****

Ruhi – Po, e gjithë çështja qëndron në përpjekjen për t’u shmangur nga ti, që po merr çdo ngjyrë midis së bardhës dhe të zezës, edhe pse ti në bazë je një e zezë katran; e s’e kam se po të vlerësoj ty!.. Ti je ajo krijesë e shkathët dhe e rrëshqitshme, e cila edhe kur e thekson domosdoshmërinë e vet, tenton të nxjerrë një arsye për t’u lavdëruar; je ajo që po hidhesh në humnerë edhe kur po dukesh se e pranon Zotin, fenë, urdhëresat fetare dhe mposhtjen tënde, vetëm e vetëm ta tregosh domosdoshmërinë a pashmangshmërinë tënde… Kokëtrashë, nuk je ti i domosdoshmi; e domosdoshme është shtypja jote, jo ti!

Nefsi – Si mund të më shtypësh mua, pa mua?

Ruhi – Ti shtypesh vetëm kur të mbesësh “pa ty”!

Nefsi – Pse meleku i bëri sexhde Ademit? A kishte nefs meleku?

Ruhi – Hiqu andej, hiqu, perde që e fsheh Zotin! U shkatërrofsh, he ndryshku i çdo veshi, njolla e çdo syri!

Nefsi – Nëse vazhdon kështu me këtë fjalor, çdokush mund të mendojë se po flet nefsi e jo ruhi!

Ruhi – Do të të mbërthej e do ta zë frymën me të gjitha ato që ti s’i do, me ato që ti i urren!

*****

Ruhi – Pa më thuaj, kush e vizatoi fytyrën tënde?

Nefsi – Nuk e di!

Ruhi – Fytyra jote, a nuk është përmbledhje e vijave dhe vizatimeve?

Nefsi – Le të jetë!..

Ruhi – Kush është vizatuesi yt?

Nefsi – A është kusht ta kërkoj?

Ruhi – Mund të ketë vizatues pa vizatime, apo jo?

Nefsi – Është e mundur!

Ruhi – Mirëpo, a mund të ketë vizatim pa vizatues?

Nefsi – Nuk dua broçkulla!

Ruhi – Do të ta puth dorën nëse më thua “fytyrën time e kam vizatuar vetë”!

Nefsi – Unë nuk e kërkoj këtë dhe nuk e shoh të dobishme ta kërkoj!

Ruhi – Pse?

Nefsi – Ngase e di se nuk do të gjej gjë po të kërkoj… Ngase e di se po ta kërkoj do ta gjej “të pagjetshmen”…

Ruhi – Ta gjesh atë të duket si një gjë materiale që kapet me dorë e rroket me sy?

Nefsi – Me çka tjetër mund të kënaqem përveç se me këto gjëra që më janë dhënë si mjet për të gjetur dhe besuar?

Ruhi – Duke e mposhtur dhe tejkaluar vetveten…

*****

Ruhi – O Nefs! O ti, që e çove Nemrudin të ndërtonte kulla kat me kat dhe që aty të gjuante me shigjeta drejt qiellit! O ti nefs, që Faraonit në vetvete i pëshpërite të thoshte “Unë jam zoti!”! O ti nefs, që në Romë e bëre që besimtarët të hidheshin në gojët e luanëve dhe që të tjerët ta shikonin këtë skenë me kënaqësi të papërmbajtur! O ti nefs, që kënaqesh vetëm kur ti ha, ngihesh, shikon, dëgjon, kap dhe shijon, dhe që tërbohet nga zemërimi nëse këto i bëjnë nefset e tjera! O ti nefs, që shtrihesh nga individi te familja, nga familja te fisi, nga fisi te kombi dhe që mbërthen çdo rreth e qark!

Nefsi – Si urdhëron!

Ruhi – Dieta më fisnike në botë është ajo që të fshikullon ty! Drejtësia dhe fisnikëria e një gjëje përcaktohet vetëm nga sjellja kundërshtuese ndaj teje!

Nefsi – Edhe?…

Ruhi – Edhe ky sheriat, për të cilin ti ndien gërdi, është i drejtë dhe fisnik vetëm për shkak të elementeve të dënueshme që gjenden te ti.

Nga turqishtja:
Rejhan Neziri