Haradinaj: Serbia nuk është e gatshme për një marrëveshje

643

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot në ambientet e Qeverisë së Kosovës në një takim, një delegacion prej 60 studentësh të huaj, pjesë e programit Akademia Verore, raporton Anadolu Agency (AA).

Haradinaj në fjalën e tij u ka treguar studentëve për rrethanat politiko-ekonomike e sociale në vend. Ai tha se Kosova është vend me institucione ende të reja. Ai tha se dorëheqja e tij së fundi nga posti i kryeministrit është bërë pikërisht për t’i ruajtur këto institucione.

I pyetur nga studentët se a është i frustruar për shkak të regjimit të vizave ndaj shtetasve të Kosovës, Haradinaj e pohoi një gjë të tillë. Por, tha se janë shënuar përparime në këtë aspekt.

“Lëvizja e lirë për Kosovën jo vetëm që është një e drejtë që duhet të ndodhë por, është dhe kontratë. Evropianët na e kanë shfaqur atë si kontratë. Ne i përmbushëm pjesët e kësaj kontrate që kanë qenë detyrat tona dhe ne i dorëzuam ato. Unë i dorëzova në fakt, sepse isha me këtë punë dhe dorëzova kriterin e fundit i cili ishte shumë i ndjeshëm dhe i vështirë. Pra, nuk mund të them se Evropa nuk është respektuese ndaj obligimeve tona sepse shoh përparime në vendet evropiane tani, për ta finalizuar këtë proces”, tha Haradinaj.

Kryeministri në detyrë Haradinaj u përgjigj edhe për dialogun, i cili tha se e vetmja gjë që ka mbetur është njohja reciproke e shtetësisë Kosovë-Serbi.

“Dialogu është do të thosha rruga e vetme të cilin unë e kam mbështetur në të gjitha kohërat. Në këtë fazë Serbia nuk është e gatshme për një marrëveshje dhe ata po shikojnë të gjejnë një pretekst për ta kushtëzuar dialogun. Pra, në këtë çështje taksa është pretekst për të mos u kthyer në tavolinë (dialog). Nëse nuk do të ishte kjo, ata me siguri do të shikonin për të gjetur një tjetër pretekst”, tha Haradinaj.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit në vend, i pari i qeverisë tha se për një gjë të tillë ka dyfishuar pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve, kanë forcuar ekipet brenda policisë.

“Gjatë viteve të fundit, shumë aktakuza janë ngritur edhe ndaj ministrave. Kjo gjë ka ndryshuar. Kosova ka hapur luftën që të përballet ne një nga pikat e saj të dobëta që është korrupsioni”, tha ai.

I pyetur për atë se sa është e rëndësishme shëtitja në jetë, për ta parë vendlindjen me një vizion më ndryshe, Haradinaj, i cili ka jetuar në moshë të re në Zvicër, tha se ka pasur mjaft ndikim, megjithatë ai tha se kur është dashur të kthehet në vendlindje, e ka bërë.

Akademia Verore çdo vit sjell në Kosovë studentë të huaj për t’i mbajtur ata në kontakt me ligjërues e studentë vendorë. Për studentët e huaj vizita në Kosovë shërben edhe si një mundësi për të pasuruar përvojat e tyre kulturore.