Ambasadori saudit e përshkruan si “njollë” vrasjen e Khashoggit

521

I dërguari i Arabisë Saudite në Londër e përshkroi vrasjen e kolumnistit të “Washington Post”, Jamal Khashoggi në Konsullatën Saudite në Stamboll vjeshtën e kaluar si një “njollë” për Mbretërinë.

“Ajo që ndodhi në Stamboll gati një vit më parë, ishte një njollë për Arabinë Saudite, njollë mbi kulturën tonë, njerëzit tanë, qeverinë tonë”, tha ambasadori saudit në Londër, Princi Khalid Bin Bandar Al-Saud për BBC në një intervistë për BBC të mërkurën.

“Unë do dëshiroja që kjo të mos ketë ndodhur”, tha ai.

Vërejtjet, të cilat për herë të parë Arabia Saudite e ka quajtur vrasjen brutale një “njollë” mbi Mbretërinë, vijnë vetëm dy javë para përvjetorit të parë të incidentit.

Khashoggi u vra më 2 tetor të vitit 2018 në Konsullatën Saudite në Stamboll. Arabia Saudite fillimisht mohoi çdo njohuri mbi vendndodhjen e tij pasi ai u zhduk, por më vonë u përpoq që për vdekjen e tij të fajësojë një ekip operativësh.

Khashoggi, sipas raporteve të OKB-së dhe organizatave të tjera të pavarura, u vra dhe trupi i tij u copëtua, me shumë gjasë me urdhër të Princit të Kurorës Saudite, Muhamed bin Salman.

Al-Saud ishte duke folur për BBC në lidhje me sulmin e fundit ndaj fabrikës saudite të naftës, kur ai u pyet në lidhje me vrasjen e Khashoggit.

Ai sulmin ndaj fabrikës të naftës e quajti “një goditje për tërë botën dhe ekonominë botërore, jo vetëm për Arabinë Saudite”.

Të shtunën, dronë të armatosur goditën dy objekte të kompanisë saudite të naftës “Aramco”.

Rebelët e Jemenit të mbështetur nga Irani morën përgjegjësinë për sulmet, por presidenti i SHBA-së Donald Trump fajësoi thellësisht Iranin për ngritje të frikës për një konflikt në rajon.

AA