Dhikrull-llahi – oksigjeni i imanit tonë

1404

Hfz. Mehas Alija

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe ‎udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij ‎dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.‎

I nderuari xhemat, sot dua të ndaj me ju një thirrje të bukur të All-llahut xh.sh., i cili në Librin e tij fton besimtarët për një ibadet shumë të veçantë, i cili mund të bëhet në çdo gjendje, në secilën kohë, me zë apo pa zë, dhe është nga ibadetet më të lehta në fenë tonë. Krijuesi ynë na thërret me një thirrje jashtëzakonisht prekëse, duke thënë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا اللَّهَ ذِكْرًا كَثِيرًا وَسَبِّحُوهُ بُكْرَةً وَأَصِيلًا

O ju që besuat, përkujtoni All-llahun sa më shpesh. Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje.” (Ahzab, 41-42).

Në një ajet tjetër, përkujtimin ndaj Tij e konsideron nga ibadetet më të larta, andaj dhe thotë: “Përmendja e All-llahut është më e madhja.” (Ankebut, 45).

Vëllezër e motra, ne jemi në javën e dytë të fillim vitit sipas kalendarit islam. Me porositë e kësaj hutbe dua të tërheq vëmendjen tonë te fuqia e dhikrit, gjegjësisht te përmendja e vazhdueshme e Zotit. Le të jetë, pra, ky një fillim i mbarë, me një kapital drite e besimi që do të dëshmojë për më tutje lidhjen konstante me Krijuesin tonë.

Fenomeni dhe natyra e dhikrit të All-llahut është shumë interesante. Ibn Abbasi (r.a.), në komentimin e ajetit; “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun!”, shprehet:

“Allahu i Madhëruar, ka vendosur një kufi të caktuar për çdo lloj adhurimi që ua ka bërë të detyruar (farz) robërve të Vet. Dhe në lidhje me këtë çështje, Allahu i ka pranuar edhe disa lehtësime dhe arsyetime prej njerëzve. Mirëpo, dhikri bën përjashtim. Në fakt, Allahu i Madhëruar nuk ka vendosur ndonjë kufi të caktuar në lidhje me dhikrin. Dhe, përveç prej atij që ka humbur mendjen, Ai nuk pranon arsyetime prej askujt tjetër që e braktis dhikrin. Pra, Allahu i Madhëruar ka dëshiruar që njerëzit të bëjnë dhikër në mënyrë të vazhdueshme, në këmbë, ulur, shtrirë, në shtëpi, në rrugë, në punë, në mëngjes, gjatë ditës, në mbrëmje, para dhe pas namazit, duke qenë i shëndosh apo i sëmurë, etj.” (Xhami’u-l-bejan, Taberiu).

Në këtë kontekst është edhe hadithi i Muhammedit a.s. i cili, një ditë, i tha një shokut të vetë:

“Le të jetë gjuha jote e lagur me përmendjen e Zotit”! (Tirmidhiu).

Në një rast tjetër, përmendjen e All-llahut, Muhammedi a.s. e ka karakterizuar si një ndër veprat më të mira. Ai një ditë i pyeti shokët e vetë: “A dëshironi t’ju njoftojë për një nga veprat më të mira që All-llahu i ka përzgjedhur si më të vlefshmet dhe me të lartat, madje më të mira se sa edhe dhurimi i arit dhe argjendit dhe më të mira se lufta në rrugë të Zotit, ku vritni dhe vriteni? Ata i thanë: “Gjithsesi, ja Resulall-llah”. Atëherë, Pejgamberi a.s. tha: “Dhikrull-llahi – përmendja e All-llahut xh.sh.” (Ahmedi).

Se përmendja dhe përkujtimi i Zoti ka një vlerë të madhe na tregon edhe hadithi vijues, i cili tregon se do të ketë njerëz në Xhennet që do të pendohen. Hadithi thotë:

“Banorët e xhenetit, nuk do të ndjejnë mall dhe pendim për asgjë tjetër përveç momenteve që i kanë kaluar pa e përmendur Allahun në këtë botë!” (Hejthemi).

Nga ana tjetër, lënia pas dore e dhikrit sjell një jetë të vështirë dhe me çrregullime shpirtërore, madje në vend të mbrojtjes së All-llahut xh.sh., njeriut i bëhet shok vetë djalli (shajtani). Ja se çfarë thotë All-llahu xh.sh., në suren Ez-Zuhruf, ajeti 36:

وَمَنْ يَعْشُ عَنْ ذِكْرِ الرَّحْمَٰنِ نُقَيِّضْ لَهُ شَيْطَانًا فَهُوَ لَهُ قَرِينٌ

“E kush tregohet i pa interesuar për përmendjen e të Mëshirshmit, Ne atij ia shoqërojmë një djall që nuk i ndahet kurrë.”

I dashur xhemat, për ta përmbyllur këtë hutbe, dua të shpreh edhe këtë se dhikri i All-llahut është jetë dhe gjallëri që i jep kuptim imanit tonë, ai është oksigjeni i besimit tonë, i jep shkëlqim fytyrës sonë dhe u jep sukses aspiratave tona. Dhikri është sikur kështjella që e mbron njeriun nga armiqtë e tij.

All-llahu ynë, mundësona që gjuha jonë të jetë e zënë me Emrat e Tu të bukur, si dhe me falënderim dhe madhërim, ja Rabbe-l-alemine.

(Hutbe e mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 13.09.2019, nga hfz. Mehas Alija).