Grindjet dhe përçarjet e shkatërrojnë fenë, kurse pajtimi është opsioni më i mirë

1435

Pavarësisht që të gjithë njerëzit kanë prejardhje nga një nënë dhe një baba, ata ndryshojnë nga njëri-tjetri për sa i përket arsyes dhe intelektit, ambicies dhe dëshirës, ​​si dhe natyrës dhe aftësive personale. Për shkak të gjitha këtyre, njerëzit ndaj njëri-tjetrit janë një lloj sprove, mu ashtu siç thekson Allahu i Plotfuqishëm në Kuran:

“Ne – kemi bërë, që disa prej jush, të jenë sprovë për të tjerët. Se a do të jeni të durueshëm! E, Zoti yt i sheh të gjitha.” (el-Furkan, 20)

Po kështu, të gjithë e dimë se në mesin e njerëzve ka nga ata që janë të butë, dinjitoz dhe të këndshëm, dhe të cilët i zbukuron morali dhe sjellja e bukur, por ka edhe nga ata që janë saktësisht e kundërta e këtyre. Në mesin e këtyre llojeve të njerëzve, besimtarë të vërtetë janë ata që kërkojnë ta përmirësojnë vazhdimisht gjendjen midis njerëzve, dhe të cilët gjejnë mënyra për tu pajtuar me njëri-tjetrin, si dhe për t’i bashkuar ata që janë të ndarë. Këta bëjnë vetëm mirë, kurse konfuzioni dhe çrregullimi për ta janë të huaj. Për shkak të përpjekjeve të tyre që t’i eliminojnë grindjet dhe mospajtimet, njerëzit i duan ata dhe i bëjnë lutje Allahut që t’u japë atyre çdo të mirë.

Dashuria dhe respekti që duhet të mbretërojnë mes njerëzve janë në krizë, andaj është e vështirë të gjenden në mes tyre. Njerëzit janë të mbingarkuar nga egoizmi dhe mjerimi në çdo aspekt, kurse grindjet dhe mosmarrëveshjet sikur janë bërë rregull. Për shkak të gjithë këtyre, tubimi i njerëzve rreth një fjale, pastaj përpjekja për pajtimin dhe bashkimin e tyre, janë aktivitete të cilave duhet tu përkushtohemi me të vërtetë. Nëse e kemi të qartë se grindjet dhe përçarjet mes njerëzve janë një e keqe dhe telashe e madhe, atëherë e kemi të qartë se puna për bashkimin dhe pajtimin e tyre është mëshirë dhe mirësi e madhe.

Thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:

”Prandaj, frikësojuni Allahut dhe rregulloni marrëdhëniet në mes jush dhe bëhuni të dëgjueshëm ndaj Allahut dhe Pejgamberit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (el-Enfal, 1)

Dhe thotë: “S’ka kurrfarë të mire në bisedimet e tyre të fshehta, përveç nëse ndokush kërkon që të jepet sadakë, ose të kryhet vepër e mirë ose paqe në mes njerëzve…” (en-Nisa, 114)

Gjithashtu, thotë: “Nëse dy grupe muslimanësh luftojnë në mes vete, pajtoni ata…” (el-Huxhurat, 9)

Këtyre urdhrave kuranorë më së shumti iu ka përmbajtur modeli ynë më i madh, robi dhe i dashuri i Allahut, Muhamedi (savs), dhe nuk dihet se në tokë ka ekzistuar ndonjëherë, një njeri që ka punuar më shumë, për ta rregulluar situatën mes njerëzve dhe për t’i eliminuar grindjet dhe përçarjet midis tyre. Ai i ka pajtuar fiset e grindura mes vete, individët dhe bashkësitë, bashkëshortët, martesa e të cilëve kishte rënë në krizë, dhe është përpjekur të zgjidhte çdo mosmarrëveshje që lindte në raste të ndryshme. Po si mos ta bënte këtë, kur ai vetë, me një rast iu drejtua sahabëve të tij me fjalët:

“A doni që unë t’ju informoj për atë që është më e mirë sesa agjërimi (vullnetar), namazi dhe sadaka?” Ata u përgjigjen: “Sigurisht!” Dhe ai tha: “Ajo është rregullimi i gjendjes mes njerëzve, sepse grindjet dhe përçarjet e shkatërrojnë fenë.” (Ebu Davudi, Tirmidhiu)

Vëllezër të dashur, le të bëhemi edhe ne nga ata që i pajtojnë të grindurit dhe e përmirësojnë gjendjen mes njerëzve. Këto janë, me të vërtetë, cilësi të robërve të sinqertë të Allahut.

/Saff.ba/

Përkthim: Miftar Ajdini