HRW thirrje Egjiptit të respektojë të drejtën për protesta paqësore

550

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch (HRW) u bëri thirrje autoriteteve egjiptiane të respektojnë të drejtën për protesta paqësore, një ditë pasi në Egjipt shpërthyen demonstrata kundër presidentit Abdel-Fattah al-Sisi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qindra egjiptianë protestuan të premten në qendër të Kajros dhe në qytete tjera kundër Sisit, ish-gjeneralt të ushtrisë që erdhi në pushtet në vitin 2014 pasi rrëzoi presidentin e zgjedhur demokratik Mohamed Morsi në vitin 2013.

Protestat erdhën si përgjigje ndaj thirrjeve nga Mohamed Ali, një ish-kontraktues i ushtrisë, i cili akuzoi Sisi dhe ushtrinë për korrupsion.

Mediat lokale raportuan se dhjetëra protestues janë arrestuar nga forcat egjiptiane të sigurisë gjatë protestës në sheshin Tahrir të Kajros të premten.

“Agjencitë e sigurisë së presidentit al-Sisi kanë përdorur më herët dhe përsëri përdorën forcë brutale për të shtypur protestat paqësore”, ka thënë Michael Page, zëvendësdrejtori i HRW-së për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

“Autoritetet duhet të pranojnë që bota po shikon dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të shmangur përsëritjen e mizorive të së kaluarës”, ka shtuar Page.

Organizata e të drejtave të njeriut me qendër në New York i ka bërë thirrje Sisit që “të orientojë forcat e sigurisë së shtetit që të respektojnë standardet ndërkombëtare për zbatimin e ligjit gjatë demonstratave”.

Pas përmbysjes së Morsit, autoritetet egjiptiane filluan një shtypje të ashpër ndaj disidentëve, duke vrarë qindra persona dhe duke arrestuar mijëra të tjerë.