“Kashmiri është shndërruar në burgun më të madh të hapur në botë”

599

Rajoni i Kashmirit i kontrolluar nga India është shndërruar në “burgun më të madh të hapur në botë”, tha Komisioni i Pavarur i Përhershëm i të Drejtave të Njeriut pranë Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, komisioni theksoi se bllokada e sigurisë e vendosur në Xhamu Kashmir nga ana e qeverisë së Indisë që nga 5 gushti, ora policore dhe bllokimi i komunikimit kanë vazhduar përkundër shumë reagimeve të bashkësisë ndërkombëtare.

“Xhamu Kashmiri është shndërruar në burgun më të madh në botë në ajër të hapur”, thuhet në deklaratë, në të cilën potencohet se mbi pesë mijë njerëz, përfshirë politikanë lokalë, aktivistë dhe gazetarë mbahen të arrestuar ilegalisht nga forcat indiane të sigurisë.

Komisioni ka shprehur shqetësime “serioze” për gjendjen në Kashmir dhe ka kërkuar formimin e një komisioni hetimore në kuadër të Kombeve të Bashkuara (OKB) për hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në rajon.

Në deklaratë gjithashtu i është bërë thirrje qeverisë së Indisë që të lejojë komisioniet hetimore të OKB-së dhe OBI-së të vizitojnë rajonin për të mësuar në mënyrë të pavarur dhe objektive situatën e të drejtave të njeriut.

Të njëjtën deklaratë dje për AA e bëri edhe kryeministri i Azad Kashmirit, pjesë së administruar nga Pakistani, i cili tha se pas shfuqizimit të statusit special të Xhamu Kashmirit, rajoni “është shndërruar në burgun më të madh në ajër të hapur”.

Ndryshe, më 5 gusht, India shfuqizoi statusin e veçantë të Xhamu Kashmirit të mundësuar sipas nenit 370 të kushtetutës indiane.

Ajo gjithashtu ndau provincën dikurshme në dy territore të administruara nga qendra dhe ia hoqi kompetencat asamblesë së saj.

Sipas disa grupeve të të drejtave të njeriut, përfshirë Human Rights Watch, Xhamu Kashmiri është mbyllur pothuajse në tërësi që nga 5 gushti.

India ka bllokuar komunikimin dhe ka vendosur kufizime të rrepta për të penguar çdo rebelim, ndërsa udhëheqësit politikë në rajon janë arrestuar, ndërkohë që grupet e të drejtave i kanë bërë thirrje vazhdimisht New Delhit të heqë kufizimet dhe të lirojë të arrestuarit politikë.

Megjithatë, autoritetet indiane pretendojnë se 90 për qind e rajonit të diskutuar Xhamu Kashmir është pa kufizime ditore.

Nga viti 1954 deri më 5 gusht të këtij viti, Xhamu Kashmiri kishte dispozita të posaçme sipas të cilave rajoni miratonte ligjet e veta. Dispozitat gjithashtu mbronin ligjin e shtetësisë, i cili ndalonte të huajt që të vendoseshin dhe të zotëronin tokë në këtë territor.

India dhe Pakistani administrojnë dy pjesë të Kashmirit dhe pretendojnë kontroll të plotë mbi këtë rajon. Kina kontrollon gjithashtu një pjesë të rajonit të kontestuar, por India dhe Pakistani kanë zhvilluar dy luftëra për Kashmirin.