“Ne duam paqe, por nëse India na sulmon ne do t’i kundërpërgjigjemi”

669

Presidenti i Pakistanit, Arif Alvi ka deklaruar se India ka zbatuar një politikë shtypëse ndaj pakicave në vend duke shtuar se “Na shqetëson afërsia e Qeverisë së Indisë e udhëhequr nga kryeministri Narendra Modi me filozofinë e Organizatës Vullnetare të Indisë (RSS), e cila ka ide të ngjashme me pikëpamjen e Hitlerit për spastrim etnik, kontroll dhe shtypjen e pakicave”.

Presidenti pakistanez Alvi në një prononcim për Anadolu Agency (AA) ka folur lidhur me çështjen e Kashmirit, propozimin e kryeministrit malajzian Mahathir Mohamad për bashkëpunimin Malajzi-Pakistan-Turqi dhe për marrëdhëniet dypalëshe Turqi-Pakistan.

– Cili është qëllimi i Indisë pas heqjes së statusit special të Xhamu Kashmirit dhe ndarja e tij në dy territore uniteti? Nëse India nuk është e gatshme të zbatojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për zgjidhjen e këtij problemi që vazhdon prej vitesh, cilat metoda mund të përdoren për një zgjidhje?

Së pari, do të doja të falënderoj qeverinë dhe popullin e Republikës së Turqisë, të cilët kanë qëndruar në krah të Pakistanit sa herë që ai ka patur nevojë dhe për veprimet e tyre të guximshme në çdo moment duke theksuar rezolutat e KS-OKB-së në çështjen e Kashmirit.

Kryeministri i parë i Indisë (Jawaharlal Nehru) për problemin e Kashmirit shkoi në OKB dhe premtoi të organizojë një referendum popullor që do t’i lejonte njerëzit e Kashmirit të përcaktojnë fatin e tyre deri në vitet 1960. Por më vonë, ai hoqi dorë nga premtimi i tij dhe i refuzoi këto diskutime në të gjitha forumet ndërkombëtare.

India tani i quan veprimtari terroriste lëvizjet për liri të banorëve të Kashmirit. India po përpiqet ta shpallë si lëvizje terroriste këtë përpjekje për liri të njohur nga edhe nga ana e OKB-së. Pavarësisht kësaj, India që nga Marrëveshja Simla në 1972, nuk ka mbajtur as edhe një takim të vetëm mbi Kashmirin dhe sot ata thonë se Kashmiri është një pjesë e pandarë e Indisë.

Një tjetër gjë që më shqetëson është afërsia e qeverisë Modi (kryeministri indian Narendra Modi) me filozofinë e Organizatës Vullnetare të Indisë (RSS), e cila ka ide të ngjashme me pikëpamjen e Hitlerit për spastrimin etnik, kontrollimin dhe shtypjen e pakicave. Po përpiqet të bëjë 4 milionë muslimanë pa atdhe në Kashmir dhe Assam. Edhe pse OKB-ja thotë se askush nuk mund të mbetet pa atdhe, Modi po ecën në një rrugë të rrezikshme duke vazhduar të vendosë në objektiv pakicat.

Unë duhet të them përsëri se do të doja të falënderoja qeverinë turke dhe presidentin Recep Tayyip Erdoğan. I jam mirënjohës Erdoğanit i cili e kuptoi se sulmi i Pulwama shkaktoi një krizë dhe se i cili duke më telefonuar ditën kur ndodhi sulmi i Indisë më bëri të ditur se e kuptonte qëndrimin e Pakistanit.

– Përse OKB-ja dhe vendet e mëdha nuk janë të interesuara të zgjidhin problemin e Kashmirit, pavarësisht se kanë kaluar 71 vjet? A mendoni se Pakistani dhe India mund të luftojnë nëse India nuk kthehet nga vendimi i saj i fundit?

Problemi i Kashmirit u diskutua për herë të fundit në OKB në vitin 1965. Unë mendoj se Modi e ka sjellë këtë problem në një nivel ku do të reagojnë të gjitha vendet në botë. Sot (dje) është dita e 45-të e heshtjes së Kashmirit, e izolimit të të gjithë rajonit. Askush nuk e di se çfarë po ndodh atje. Mund ta imagjinoni se si njerëzit mund të jetojnë në një mjedis të tillë? 8 milionë njerëz janë duke jetuar në burg në shtetrrethim dhe India ka idenë e gabuar se ajo mund të ushtrojë presion mbi banorët e Kashmirit. Askush nuk mund të ushtrojë presion mbi banorët e Kashmirit. Kur shohim Palestinën, vërejmë se askush nuk mund të bëjë presion mbi ta. Unë besoj se herët a vonë referendumi popullor do të organizohet në Kashmir.

Pakistani dëshiron paqen. Siç e dini, Imran Khan, kryeministri i Pakistanit, propozi për takime me Indinë disa herë kur ai mori detyrën. Ai tha se do të ndërmarrim dy hapa kundër një hapi të Indisë. Çdo herë India refuzoi këtë propozim dhe kjo situatë çoi në formimin e idesë se India e perceptonte propozimin tonë si dobësi. Ne duam paqen, jo sepse jemi të dobët, por sepse paqja mes Indisë dhe Pakistanit do të sjellë prosperitet. India përballet me varfëri të madhe. Nëse ka paqe, paratë do të shpenzohen për njerëzit, por India ka një qëndrim armiqësor ndaj fqinjëve, përfshirë Pakistanin. Kjo është një situatë për të ardhur keq.

– Në një deklaratë, ju keni thënë: “Muslimanët nuk duan luftë, por nuk tërhiqemi së luftuari nëse jemi të detyruar”. Me këtë fjali po thoni se Pakistani nuk do të jetë pala që do të fillojë një luftë me Indinë?

Siç ka thënë Profeti ynë, muslimanët nuk duan luftë por nëse janë të detyruar ta bëjnë këtë, ata do të luftojnë sipas urdhrit të Allahut dhe ky është xhihad. Para së gjithash, ne nuk duam luftë. Së dyti, ne jemi vende me fuqi bërthamore. Gishti i regjimit fashist të Modit është mbi butonin e bombës bërthamore dhe ato janë shumë të tensionuar. Në shkurt, Pakistani rrëzoi avionin e tyre, ndërsa ata qëlluan gabimisht helikopterin e tyre. Kjo tregon se India është një vend i papërgjegjshëm sepse gishtat e tyre që qëndrojnë mbi buton janë shumë të rrezikshëm. Por, nga ana tjetër, edhe Pakistani është një fuqi bërthamore. Prandaj, paqja në rajon është shumë e rëndësishme. Gjithashtu Pakistani është një vend përgjegjës. Pasi e kapëm pilotin në avionin e tyre të rrëzuar, ne e dërguam përsëri në vendin e tij.

Ne duam paqe, por nëse India na sulmon, ne do t’i kundërpërgjigjemi. Unë nuk mendoj se India mund të imagjinojë sesi njerëzit me besim mund t’u rezistojnë sulmeve ndaj territoreve të tyre.

– Kryeministri malajzian Mahathir Mohamad muajin e kaluar, ka propozuar një përpjekje të përbashkët për të bashkuar botën muslimane Turqi, Malajzi dhe Pakistan. Si president i Pakistanit, çfarë roli mund të luani për të realizuar këtë propozim?

Kjo ishte shumë e rëndësishme. Edhe para takimit tonë të fundit, unë dhe (Imran) Khan u takuam me presidentin Erdoğan në 2011 dhe 2012. Unë mendoj se Erdoğan është një lider vizionar. Kryeministri Mahathir dhe kryeministri Imran Khan janë gjithashtu liderë vizionarë. Këto tre vende janë me popullsi të madhe, demokraci të mëdha.

Unë mendoj se është e rëndësishme që këto tre vende të bashkohen për sa i përket çështjeve ekonomike. Turqia po luan një rol të rëndësishëm përballë ngjarjeve në Lindjen e Mesme. Ai po përpiqet të vendosë paqen në kufirin sirian. Kur të ketë paqe, do të ketë një ristrukturim të madh në Lindjen e Mesme dhe Afganistan. Prandaj, unë mendoj se Turqia, Pakistani dhe Malajzia jo vetëm për paqen, por ato mund të luajnë një rol të madh në sipërmarrjen e përbashkët për zhvillim në botën muslimane. Këta janë njerëz parimorë dhe bashkëpunimi mes tyre është shumë i rëndësishëm për botën muslimane.

– Si e shihni të ardhmen e lidhjeve Turqi dhe Pakistan? Në cilat fusha mendoni se marrëdhëniet bilaterale duhet të forcohen më shumë?

Mendoj se marrëdhëniet dypalëshe mes Pakistanit dhe Turqisë janë shembullore për shkak se të dyja vendet mike janë shumë të afërta me njëra- tjetrën. Miqësia dhe marrëdhëniet e ngushta tona kanë ekzistuar jo vetëm që nga themelimi i Pakistanit, por edhe që nga Lëvizja e Kalifatit. Mbaj mend që babai im, i cili ndërroi jetë në vitet 1980, fliste me pasion për Lëvizjen e Kalifatit. Edhe ai vetë luajti një rol në këtë lëvizje. Unë mendoj se lidhja e vërtetë e miqësisë tonë që është unike në botë fillon këtu. Kjo është një miqësi midis njerëzve përtej miqësisë së qeverive. Sipas mendimit tim, historia e këtyre lidhjeve në zhvillim duhet t’u kujtohet edhe brezave të rinj.

Në të ardhmen një bashkëpunim i mirë ekonomik mes Turqisë dhe Pakistanit, mund të jetë shkëmbimi kulturor mes njerëzve të të dyja vendeve. Ajo mund të jetë një bashkëpunim i mirë i mbrojtjes në mes të Pakistanit dhe Turqisë. Ne mund të bashkëpunojmë në ndërtimin e avionëve dhe infrastrukturën. Ne kemi ndërtuar një tanker me ndihmën e Turqisë, inaugurimin e të cilit e kam bërë disa muaj më parë. Unë mendoj se ky është një bashkëpunim i jashtëzakonshëm midis dy vendeve vëllazërore. Ne duhet të jetojmë së bashku, të mendojmë së bashku dhe të punojmë së bashku.

– Populli turk është i kënaqur me mbështetjen e Pakistanit në luftën kundër organizatës terroriste FETO. Në këtë kontekst, a mendoni se rreziku i FETO-s është njohur saktë në bashkësinë ndërkombëtare?

Mendoj se kjo çështje është perceptuar mirë ndërkombëtarisht. Ne qëndrojmë pranë Turqisë. Sapo pamë se çfarë po ndodhte, Pakistani ndërmori një veprim të menjëhershëm. Kur e kam vizituar Turqinë për hapjen e Aeroportit të Stambollit, Erdoğan kërkoi veçanërisht përshpejtimin e të gjitha rasteve të këtyre terroristëve në Pakistan. Edhe ne vazhduam, përshpejtuam procedurat dhe i dorëzuam shkollat tek Fondacioni Maarif.

Kjo çështje është trajtuar mirë dhe me mençuri nga Turqia. Ne jemi të lumtur që populli turk qëndron prapa qeverisë së tij. Ky është një shembull i mirë për botën që askush nuk mund t‘iu prekë nëse e keni popullin pas vetes.