Pasojat e tërmetit në Shqipëri, të lënduar dhe dëme materiale

817

Tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë ka shkaktuar lëndimin e 132 personave dhe dëmtimin e qindra banesave.

Tërmeti që kishte epiqendrën në Durrës ka shkaktuar dëme materiale në objekte të ndryshme, sidomos në Durrës dhe Tiranë, ku në pjesën dërrmuese sipas institucioneve bëhet fjalë për dëmtim të mureve.

Sipas informacioneve paraprake zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë në total nga tërmeti janë të dëmtuara 569 banesa, 53 pallate, 5 shkolla dhe 1 qendër shëndetësore.

“Që kur u regjistrua goditja me magnitudën më të lartë 5.8 sipas Rihterit e deri më tani janë shënuar 297 pasgoditje, ku më e ulëta ka qenë 2.9 ballë e shkallës Rihter. Sipas informacioneve zyrtare paraprake, 132 persona janë paraqitur pranë spitaleve apo qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës për të marrë ndihmën e duhur”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë ka angazhuar forcat ushtarake duke ngritur çadra në Tiranë dhe Durrës për strehimin e familjeve që iu janë dëmtuar banesat.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ka njoftuar se ka disa shkolla të dëmtuara dhe sipas këtij institucioni “me ndërhyrjet momentale që po realizohen aty ku është e nevojshme, duket se të gjitha shkollat do të hapin dyert për mësim për nxënësit e tyre ditën e nesërme”.

Kujtojmë se Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë u goditën më 21 shtator nga një tërmet me një magnitudë 5.8 sipas shkallës Rihter, i cili u vlerësua nga autoritetet si “tërmeti më i fuqishëm në 20-30 vitet e fundit”. Epiqendra e tërmetit ishte në Detin Adriatik, 30 kilometra në veri të Durrësit.

Shqipëria në vitet e fundit është goditur nga disa tërmete të cilët kanë shkaktuar edhe dëme materiale.

AA