Princi saudit Bin Salman pranon përgjegjësinë në vrasjen e Khashoggit

547

Princi i Arabisë Saudite, Muhammed Bin Salman ka marrë përgjegjësinë në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në Konsullatën e Arabisë Saudite vitin e kaluar në Stamboll, transmeton Anadolu Agency (AA). 

“Kjo ngjarje është kryer nën përgjegjësinë time. Unë e marr përsipër të gjithë përgjegjësinë”, ka deklaruar Muhammed Bin Salman.

Deklaratat që princi Bin Selman ka dhënë lidhur me vrasjen e Khashoggit gjatë një gare të automobilave elektrikë në dhjetor 2018 në Rijad për producentin e programit të lajmeve “Frontline” gazetarin Martin Smith në kanalin televiziv amerikan PBS, janë përfshirë në fragmentin promovues të programit që do të publikohet më 1 tetor.

Theksohet se në fragmentin promovues, Bin Salman i është përgjigjur për herë të parë pyetjeve lidhur me vrasjen e Khashoggit, dhe se pjesë të dialogut të Bin Salman me Smith do të paraqiten në televizor pa përdorur pamje dhe zërin e Bin Salman.

Në fragment janë përdorur shprehjet se Smith ka theksuar se ‘Kur e pyeta atë për rolin në vrasjen e Khashoggit ai u përgjigj: “Kjo ngjarje është kryer nën përgjegjësinë time. Unë e marr përsipër të gjithë përgjegjësinë, sepse ndodhi nën përgjegjësinë time”.

Ndërsa në pyetjen “Si mund të ndodhë një gjë e tillë pa dijeninë tuaj?”, Smith shpjegon se Bin Salman është përgjigjur: “Në Arabinë Saudite jetojnë 20 milionë njerëz. Ka 3 milionë punonjës shtetëror”.

Poashtu në pyetjen e Smith se “A mund të marrin ata një prej avionëve tuaj?” thuhet se Bin Salman është përgjigjur: “Ka punonjës, ka ministra që ndjekin punët e mia. Kjo është përgjegjësi e atyre. Ata kanë autoritetin ta bëjnë këtë”.

– Vrasja e Khashoggit

Gazetari saudit Jamal Khashoggi u vra në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018 ku ai kishte shkuar për procesura të martesës.

Në një raport prej 101 faqesh të publikuar në qershor nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Arabia Saudite u akuzua si përgjegjëse për vrasje me dashje dhe paramendim të Jamal Khashoggit.

Poashtu në raport u theksua se ka prova të besueshme për hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, përfshirë edhe princin e Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman.

Në raport Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u ftua që të fillojë një hetim penal plotësues mbi vrasjen e Khashoggit dhe që sanksionet lidhur me gazetarin Khashoggi duhet të përfshijnë princin dhe pasuritë e tij personale jashtë vendit.