SHBA dërgon 200 trupa në Arabinë Saudite

579

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Mark Esper të enjten deklaroi se Washingtoni do të dislokojë 200 trupa në Arabinë Saudite për shkak të sulmit ndaj fabrikave të naftës, raporton AA.

“Për shkak të sulmeve të fundit në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe me ftësë të tyre, Sekretari i Mbrojtjes Mark T. Esper njoftoi sot se SHBA-të do të dislokojnë pajisjet në vijim në Mbretëri: një bateri të raketave Patriot, katër sisteme radarësh, përafërsisht 200 personel mbështetës”, tha Jonathan Hoffman, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.

Vendimi erdhi një javë më pas kur Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo tha se “ishte i sigurtë” se SHBA-të do të ngrenë çështjen gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë javë në New York.

SHBA-të gjithnjë e më shumë kanë drejtuar gishtin drejt Iranit duke e fajësuar për sulmet ndaj Aramco-s, fabrikës së naftës në Arabinë Saudite, e cila shkatoi ndërprerjen e prodhimit saudit. Këto sulme u morën përsipër nga reblët Huthi të Jemenit të mbështetur nga Irani.

Irani ka mohuar çfarëdo përfshirje në sulm, megjithatë, tensionet rajonale rriten në mes të spekulimeve të represaljeve nga SHBA-të dhe aleatët e saj.

“Dislokimi i forcave do të përforcojë mbrojtjen ajrore dhe raketore të Mbretërisë dhe infrastrukturën e rëndësishme ushtarake dhe civile. Ky dislokim poashtu shton praninë e rëndësishme të forcave të SHBA-ve në rajon”, tha Hoffman.

Duke nënvizuar se Esper poashtu ka miratuar dërgimin e forcave për të përgatitur dislokimin, ai tha se ende nuk është marrë vendimi për forca shtesë, përfshirë dy bateri të sistemit raketor Patriot dhe një sistem mbrojtës THAAD, ndërsa trupat do të qëndrojnë “në gjendje të lartë të gatishmërisë”.

“Është e rëndësishme të potencojmë se këto hapa janë një demonstrim i angazhimit tonë ndaj partnerëve rajonal si dhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit në Lindjen e Mesme”, ka thënë Hoffman.

“Vendet tjera kanë denoncuar kërcënimin e Iranit në rajon dhe ne kemi kërkuar që ata të kontribojnë me mjetet e tyre në përpjekjet ndërkombëtare për të përforcuar mbrojtjen e Arabisë Saudite”, tha ai.