Viti i ri shkollor

1659

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmojmë se s’ka hyjni tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmojmë se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Vëllezër të respektuar,

Pjesa më e madhe e shoqërisë sonë është në gjendje të mobilizuar, duke i vizituar shkollat fillore, të mesme, fakultetet, çerdhet, etj. Kjo dukuri përsëritet për çdo vit, andaj edhe hutben e sotme do t’ia kushtojmë Vitit të ri shkollor.

1. Si e kaluan pushimin veror djemtë dhe vajzat tona –

Duhet ta dimë se të gjitha veprat e atyre që i kemi në përgjegjësinë tonë shkruhen edhe në fletoren e veprave tona, duke u mbështetur në hadithin e Pejgamberit (savs), ku ka thënë: “Secili prej jush është bari dhe do të japë llogari për tufën e tij.”

Andaj nëse fëmijët tonë verën e kanë shfrytëzuar në vepra të mira, kjo na sjell edhe neve shumë përfitime, mirëpo nëse gjendja është e kundërt, atëherë edhe ne do të jemi pjesëmarrës në mëkatet e tyre. Realiteti, fatkeqësisht është i hidhur….

Shumica e të rinjve pushimet verore i kalojnë në ahengje, ndeja të gjata tërë natën, vizita të diskotekave, kafeneve, me udhëtime në vende ku nuk ka respekt nderi dhe morali, etj. 
Shtrohet pyetja, sa djem dhe vajza të reja e kanë shfrytëzuar pushimin veror për vizita të farefisit, për shtim të dijes, për mësim të ndonjë zanati, për pjesëmarrje në kurse të ndryshme të dobishme, në leximin e literaturës, qofshin lektura shkollore ose libra tjera të dobishme në sferën e fesë dhe edukimit, etj.

Lum ata prindër që kanë fëmijë të mirë, të cilët janë të përkushtuar besimit, edukatës, mësimit, sepse në këtë formë edhe ata marrin pjesë në shpërblimin që e fitojnë ata.

Por, mjerë ata prindër që kanë fëmijë të këqij, sepse edhe ata marrin pjesë, por në mëkatet e tyre.

Vëllezër të nderuar,

Ndoshta tash nuk bën dobi keqardhja për kohën e kaluar në vepra të padobishme gjatë pushimeve verore, mirëpo ajo që dëshirojmë me këtë hutbe është nxitja për analizë dhe llogari të asaj që kemi bërë gjatë pushimit veror. Qëllimi është të përfitojmë nga gabimet që i kemi bërë, që mos t’i përsërisim në të ardhmen.

2. Fillimi i vitit të ri shkollor e mobilizon mbarë shoqërinë –

Kjo në fakt është një gjë e mirë, mirëpo shtrohet pyetja se sa kohë do të vazhdojë ky interesim dhe preokupim me problemet e fëmijëve në drejtim të shkollimit dhe arsimimit. 
Në disa raste prindërit nuk gjejnë kohë që t’i shoqërojnë fëmijët e tyre deri në shkollë, në shumë raste shohim se motrat dhe vëllezërit janë ata që i shoqërojnë, e kjo padyshim tregon se sa të pakujdesshëm janë ata prindër ndaj shkollimit të fëmijëve të tyre.

Përgjegjësia kryesore për edukimin dhe arsimin e fëmijëve bie te prindërit, sepse Allahu i Plotfuqishëm thotë: “O besimtarë, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët…” (et-Tahrim, 6)

Gjithashtu Allahu i Plotfuqishëm ka urdhëruar që të lexojmë dhe mësojmë me urdhrin e parë kuranor që ia ka dhënë Pejgamberit (savs). Ai urdhër vlen edhe për mbarë njerëzimin: 
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (el-Alek, 1- 5)

Vëllezër të respektuar,

Aq sa kujdeset prindi për shëndetin e fëmijës së vet duhet të kujdeset edhe ma shumë për arsimimin dhe edukimin e tij. Sepse arsimimi dhe edukimi i shëndoshë, i cili buron nga besimi ynë i pastër Islam, është i vetmi garant për një ardhmëri të lumtur të popullit tonë.

Mirëpo kujdesi për shkollim, që është shumë i rëndësishëm për ardhmërinë e popullit tonë, nuk duhet të bëhet shkak që mos të interesohemi për obligimet tjera që i kemi ndaj Allahut. Prej obligimeve më kryesore që i kemi ndaj Allahut është përulja dhe nënshtrimi ndaj Tij, e që manifestohet përmes namazit.

Njeriu duhet të kujdeset për ardhmërinë materiale të fëmijëve të vet, për ardhmërinë e tyre në këtë botë, mirëpo assesi nuk duhet ta neglizhojë ardhmërinë më të madhe dhe më të rëndësishme, e ajo është ardhmëria e ahiretit.

Së këndejmi, kujdesi për namazin, i cili nuk pushon si obligim as në kohën e pushimit, është rregulluesi i kohës së muslimanit. Kështu që kur të vjen dita e mësimit, nuk shkakton vështirësi zgjimi herët për të shkuar në shkollë, sepse ai edhe në kohën e pushimeve është zgjuar herët për të falur namaz.

Muslimani duhet të jetë mesatar në jetën e tij, duhet të bëjë baraspeshë mes obligimeve ndaj Allahut dhe obligimeve që i ka ndaj vetes, familjes dhe shoqërisë.

Është shumë lehtë të jepemi pas njërës në dëm të tjetrës, mirëpo muslimani duhet të jetë i vetëdijshëm dhe t’i kryejë edhe obligimet që ka ndaj Allahut edhe obligimet tjera që ka në jetë.
Neve, sikur që na vjen keq dhe hidhërohemi kur marrim lajm se fëmija ynë ka rënë në provim ose nuk e ka kaluar vitin, edhe më shumë duhet të hidhërohemi kur fëmija ynë dështon në provimin para Allahut.

3. Në vitin e ri shkollor duhet pasur kujdes ndaj disa veprimeve –

a) Duhet të kujdesemi për namazin e sabahut, i cili na rregullon edhe programin e gjumit dhe na sjell freski në jetën tonë psiko-fizike.

b) Prindërit duhet ta përcjellin gjendjen e fëmijëve gjatë shkollimit, duke u kujdesur që të shoqërohen me fëmijë të edukuar, të pasionuar pas dijes, pas besimit dhe moralit. Duhet ta vizitojnë më shpesh mësuesin dhe profesorin e tyre, që së bashku të arrijnë në ngritjen e nivelit të besimit, arsimimit dhe edukatës tek ata.

c) Duhet mënjanuar të gjitha pengesat që dalin në rrugën e shkollimit të djalit dhe vajzës.

d) Duhet kujdesur për veshmbathjen e djemve dhe vajzave tona. Sepse ajo që na befason të gjithë neve është lakuriqësia e paparë deri më tani që është shfaqur në mjediset shkollore. 
Vallë, nxënësit janë në qendra të edukimit dhe arsimimit apo në plazhe e sfilata të modës!! 
Si ka mundësi të jenë të koncentruar në mësim nxënësit dhe mësimdhënësit, në atë mjedis ku ‎ka kësi gjëra që e trazojnë epshin e tyre. Andaj është obligim i prindërve që të kujdesen për ‎veshmbathjen e fëmijëve të tyre kur shkojnë në shkollë, poashtu edhe arsimtarët dhe profesorët ‎duhet të jenë më rigoroz ndaj lakuriqësisë.‎

e) Këtu duhet përmendur edhe përdorimin e makijazhit dhe parfumit, gjëra që nuk përkojnë me realitetin e procesit arsimor.

f) Qëndrimi i njerëzve të papunë dhe të prishur përreth shkollave, me qëllim për t’i ngacmuar vashat ose për t’i vendosur në kurthet e tyre. Kjo pa dyshim është rezultat i mungesës së vetëdijes, besimit, kulturës, masave më rigoroze, etj.

Të gjithë besimtarët duhet të bashkëpunojnë për t’i eliminuar këto gjëra negative nga rrethet tona, sepse vetëm kjo na garanton eliminimin ose së paku zvogëlimin e tyre. 
Allahu i Madhërishëm, na tregon se si duhet të veprojnë besimtarët në këtë drejtim: 
“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zekatin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë Allahu. Allahu është ngadhënjyes, i urtë”. (Et-Tevbe, 71)

4. Kujdesi për familjet e varfra

Vëllezër të respektuar, Edhe kjo është një hap shumë i rëndësishëm në ngritjen e nivelit të shkollimit në popullin tonë. 
Ne të gjithë duhet të angazhohemi që tu ndihmojmë familjeve të varfra në fillim të vitit shkollor, duke u blerë çanta shkollore, libra, fletore, lapsa, goma etj., sepse ky kontribut që e japim në këtë drejtim është një investim nga i cili përfiton ai që mëson, ai që investon dhe mbarë shoqëria jonë.

Kjo vepër është prej atyre veprave që u mbetet shpërblimi edhe pas vdekjes, siç thuhet në hadith të Pejgamberit (savs). 
Andaj, të nxitojmë që ta kthejmë buzëqeshjen në fytyrën e jetimëve, të ngratëve dhe të varfërve.

Ashtu sikurse gëzohen të tjerët me rrobat, librat dhe çantat e tyre të reja, le të bëhemi shkaktarë që edhe ata që s’kanë të bashkohen në këtë gëzim.

E lusim Allahun e Plotfuqishëm, të na bëjë të dashur dijen, besimin, shkollën, edukatën dhe punët e mira… Amin!

Pershtati: Miftar Ajdini

P.S. Materiali është përshtatur me disa ndërhyrje të vogla nga një shkrim i Bekir Halimit!