Hutbeja e javës: Kush janë të falemintuarit në Ahiret?

2081

Abdusamed Nasuf Bushatliq


Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë!


Tema e hutbes së sotme është: “Kush janë të falimentuar në ahiret?”


Transmetohet nga Ebu Hurejre (r.a.) se vërtetë i Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: “A e dini se kush është i falimentuar?” Sahabët thanë: ‘I falimentuar tek ne është ai që nuk ka para dhe nuk posedon asgjë.’ Kurse Pejgamberi (savs) tha: “I falimentuari i vërtetë nga umeti im do të vijë Ditën e gjykimit me namaz, agjërim e zekat. Vjen, por e ka fyer këtë, ka shpifur për atë, e ka ngrënë pasurinë e këtij, e ka derdhë gjakun e atij, e ka rrahur tjetrin. Atëherë ju jepet atyre nga të mirat e tij, e nëse përfundojnë të mirat e tij para sa t’i shpaguaj këto padrejtësi, do të merren nga mëkatet e atyre që ju është bërë padrejtësi dhe i hidhen këtij, e më pas hedhet në zjarr.” (Muslimi)


Me këtë hadith Pejgamberi (savs), na paralajmëron se i falimentuar i vërtetë ose i pastrehë është një njeri i cili në Ditën e gjykimit e takon Allahun e Plotfuqishëm, duke mos pasur asgjë me vete, përveç kënaqësive dhe stolive kalimtare të kësaj bote. Ai e ka shpenzuar jetën e kësaj bote në grumbullimin e pasurisë dhe në luftën për prestigj dhe status në shoqëri, si dhe në arritjen e përfitimeve të veçanta për këtë botë kalimtare. Realizimi i të gjitha këtyre, shumë njerëzve ju ka shkaktuar dhembje dhe ju ka bërë dëme të mëdha, kështu që të gjitha këto do t’i kenë në qafën e tyre në Ditën e Gjykimit.


Njeriu i tillë do të takohet me Allahun në Ditën e Gjykimit, kurse më parë, në këtë botë, nuk ka pasur kujdes, nëse po i bën dikujt padrejtësi, apo a po e dëmton dikend në rrugën e tij të grumbullimit të pasurisë së kësaj bote kalimtare, duke e neglizhuar krejtësisht punën për botën tjetër të përjetshme.


Njeriu i tillë ndoshta dhe do ta takojë Allahun me disa vepra dhe ibadete prej të cilave pret dobi në ahiret, por ai i ka shkatërruar ato veprat e mira dhe ibadetet, me të këqijat që u ka bërë njerëzve të tjerë me duart e tij, ose me nijet të keq ose me zemër të prishur. Ai ndoshta do të vijë në Ditën e Gjykimit me namaz, agjërim, zekat, sadakë, etj, por gjithashtu do të vijë edhe me mëkate sa malet, të shkaktuara nga padrejtësisë dhe të këqijat që u ka bërë njerëzve të tjerë, duke ua mohuar atyre dhe duke ua uzurpuar të drejtat e tyre.


Në Ditën e Gjykimit njeriut nuk do t’i bëjë dobi asgjë tjetër, përveç veprave të mira që ai i ka bërë gjatë jetës së tij. Veprat e mira, atëherë do të bëhen e ardhmja e tij dhe komplet identiteti i tij. Mirëpo, nëse ai u ka bërë dhunë dhe padrejtësi njerëzve të tjerë, atëherë do t’i merret nga veprat e tij të mira, dhe do tu jepet atyre që u ka bërë padrejtësi, dhe, nëse ai nuk ka vepra të mira të mjaftueshme, atëherë do të merren nga veprat e tyre të këqija, dhe do t’i ngarkohen atij dhe ai do të jetë i ngarkuar me mëkate, kështu që do të bëhet plotësisht i vetëdijshëm për fundin e tij të zi dhe shkatërrues.


Vëllezër të dashur!


Transmetohet nga Abdullah ibn Omeri (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush vdes, ndërsa ka borxh një dinar apo dërhem, ajo do të kompensohet nga veprat e tij të mira, atëherë kur nuk do të ketë dinar as dërhem.” (Ibni Maxhe)


Nëse në mesin e njerëzve do të ketë llogari të pa mbaruara, atëherë ato do të barazohen në Ditën e Gjykimit. Është transmetuar nga Aishja (r.a.), se ka thënë: “Erdhi një njeri tek Pejgamberi (savs), dhe u ul përballë tij, duke thënë: ‘O i Dërguari i Allahut, unë i kam dy robër të cilët më gënjejnë, më tradhtojnë dhe më kundërshtojnë mua, kurse për këtë shkak unë i shaj dhe i godas ata. Çfarë është statusi im në lidhje me ta?’ Pejgamberi (savs), i tha atij: ‘Kur të vijë Dita e Gjykimit, do të llogaritet gënjeshtra dhe tradhtia e tyre dhe dënimi yt, dhe, nëse dënimi yt është në përputhje me mëkatet e tyre, atëherë ti nuk do të kesh pasoja të këqija, por nëse dënimi yt është më pak se mëkatet e tyre kundër teje, ajo do të kompensohet ty, ndërsa nëse dënimi yt është më i madh se mëkatet e tyre, atëherë atyre do tu kompensohet nga veprat tua të mira.’ Pas kësaj, burri u largua mënjanë dhe filloi të qajë, ndaj dhe Pejgamberi (savs) iu afrua dhe i tha: ‘A nuk i di ti fjalët e Allahut:
“Dhe Ne, në Ditën e Kiametit do të vendosim peshoja të sakta, e askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi për asgjë edhe nëse është fjala për peshë sa të një kokrre hardalli (lloj mëlmese), Na do ta sjellim atë (për llogari), e Na jemi të mjaftueshëm për llogaritje.” (el-Enbija’, 47; Tirmidhiu)
Madje edhe besimtarët e penduar, të cilët me mëshirën e Allahut do të hyjnë në xhenet, nëse në këtë botë i kanë bërë dikujt padrejtësi, ose e kanë harruar atë, ose nuk kanë qenë në gjendje ta kthejnë atë padrejtësi në këtë botë, do të ndalen derisa plotësisht të pastrohen para se të hyjnë në xhenet.


Ebu Seid el-Hudri (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kur besimtarët të shpëtojnë nga zjarri i xhehenemit do të ndalen në urën midis xhenetit dhe xhehenemit, dhe do t’i pastrojnë llogaritë me njëri-tjetrin, dhe padrejtësitë që i kanë bërë njëri-tjetrit në këtë botë, derisa tërësisht të pastrohen, dhe vetëm atëherë ata do të lejohen të hyjnë në xhenet. Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, njerëzit më mirë do t’i njohin shtëpitë e tyre në xhenet, sesa që i kanë njohur ato në këtë botë.” (Buhariu)


Vëllezër besimtarë!


Le të kujdesemi që mos të jemi prej atyre që do të përjetojnë falimentim në Ditën e frikës së madhe, le të nxitojmë me vepra të mira, le t’ua kthejmë të drejtat atyre të cilëve ua kemi shkelur, le t’ia bëjmë hallall njëri-tjetrit në këtë botë, para botës tjetër dhe le të përgatitemi për ditën e takimit me Zotin tonë, Allahun e Plotfuqishëm.


O Zot, na forco neve në rrugën e Islamit! Ndihmoju vëllezërve tanë në Siri, Palestinë, dhe në çdo vend tjetër ku janë të kërcënuara të drejtat e muslimanëve dhe jepu atyre fitore të shpejtë!
Na bëj neve udhëheqës të umetit në devotshmëri, në bujari, në guxim, në modesti e përulësi!
Udhëzoji fëmijët tanë dhe pasardhësit dhe bëri ata gëzimi i syve dhe zemrave tona!


Na mëshiro në Ditën e Gjykimit dhe na ndero me xhenet në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me njerëzit e mirë!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress.ch)