Jeta e muslimanëve – dikur dhe tani

1129

Muhamed Selim

Në ditët që i lamë pas nesh, jemi munduar ta kuptojmë qëllimin e hixhretit si një pikë e madhe kthese në historinë e Islamit. Atëherë muslimanët shkuan nga dobësia në forcë, nga thirrja në shtet, nga poshtërimi në krenari, nga frika në siguri. Kemi konstatuar se hixhreti ynë është kthimi në sunetin e Pejgamberit (savs) dhe braktisja e asaj që ai na ka porositur (për ta braktisur), sepse ajo është cilësi e muhaxhirit më të mirë.

Pas hixhretit, Pejgamberi (savs), ka bërë disa veprime shumë të rëndësishme, në të cilat ka mësime të përjetshme për muslimanët, veçanërisht për neve sot, kur mund të kemi sukses dhe ta shpëtojmë veten nga kjo e keqe në të cilën gjendemi, vetëm duke e ndjekur drejtimin e tij.

E para nga veprimet e mençura që bëri Pejgamberi (savs), ishte ndërtimi i xhamisë, e cila luante rolin e një institucioni qendror në shtetin e sapo formuar. Përveç namazeve dhe ibadeteve të tjera që kryheshin aty, mesxhidi ishte edhe qendër e çdo ngjarjeje të rëndësishme. Këtë na e ka mësuar Pejgamberi (savs), dhe ku jemi në lidhje me këto mësime?

Pse muslimanët sot e kanë harruar rëndësinë e saj?

Pse ne dhe fëmijët tanë më shumë i vizitojmë disa vende të dyshimta dhe internet klube, sesa që i vizitojmë shtëpitë e Allahut?

Për këtë çështje mund të na dëshmojë secila xhami.

Përveç kësaj, Pejgamberi (savs), në mënyrën më të mirë e ka forcuar shoqërinë islamike, duke e bërë vëllazërimin mes muslimanëve dhe duke i pajtuar dy fiset ndërluftuese me qindra vjet, fisin Evs dhe fisin Hazrexh. Muslimanët i ndanë pronat dhe shtëpitë e tyre.

Derisa muslimanët jetuan në një begati e mirëqenie të tillë, ne po kthehemi në periudhën e xhahilijetit. Ne i bëjmë padrejtësi njëri-tjetrit, grindemi dhe mbjellim çrregullime në mesin e muslimanëve. Harrojmë se Pejgamberi (savs), ka thënë se musliman i vërtetë është ai, nga gjuha dhe duart e të cilit janë të sigurt muslimanët e tjerë.

Pejgamberi (savs), punoi për ruajtjen e këtij uniteti dhe e ruajti atë nga faktorët e jashtëm, nga armiqtë që kanë mundur ta dëmtojnë. Prandaj, menjëherë bëri traktat midis muslimanëve dhe hebrenjve dhe ai traktat i mbronte të drejtat e muslimanëve.

Sot, sundimtarët muslimanë takohen, mbajnë samite dhe bëjnë deklarata, por ata, për fat të keq, shumë shpesh flasin për lëshime të bëra jo-muslimanëve në dëm të fesë me arsyetime të pakuptimta, se ne nuk jemi ashtu siç na imagjinojnë ata.

Derisa Pejgamberi (savs), ka menduar për të tjerët dhe të drejtat e tyre, ne sot në vendet që quhen islamike, nuk i kemi të drejtat elementare njerëzore, e lëre më ato fetare.

Shpëtimi dhe suksesi ynë është vetëm në mënyrën në të cilën patën sukses të parët tanë, Pejgamberi (savs) dhe gjeneratat e para të mira.

Përkthim: Miftar Ajdini