Kufijtë e mëkatit

964

Askush nuk e njeh njeriun më mirë se Allahu i Plotfuqishëm, sepse Ai e ka krijuar atë, dhe diçka ia ka bërë hallall, kurse diçka haram. Allahu i Plotfuqishëm nuk ka ndaluar asnjë gjë të vetme për të bërë presion ndaj robërve të Tij, por këtë e ka bërë nga mëshira e Tij ndaj tyre. Nëse ky fakt nuk kuptohet dhe nuk pranohet si i tillë, mund të na duket se Allahu i Plotfuqishëm disa gjëra i ka ndaluar pa asnjë arsye. Gjithashtu duhet të kuptohet se Allahu i Plotfuqishëm, duke na i ndaluar disa gjëra, në të vërtetë, dëshiron të na çlirojë nga robërimi i nefsit tanë, sepse nefsi është ajo pranga që e pengon njeriun në rrugën drejt Zotit të tij.

Mëkati daton qysh nga momenti kur Iblisi i mallkuar, nuk pranoi të përkulet para Ademit (a.s.), dhe për këtë gjë ai u mallkua dhe u përjashtua nga mëshira e Allahut. Në vend që të pendohej, ai i humbi të gjitha shpresat në mëshirën e Allahut, kurse më pas u bë ziliqar, hakmarrës dhe armik i Ademit (a.s.), duke e konsideruar atë si shkaktar kryesor të dëbimit të tij, dhe kështu ra në mëkat edhe më të madh. Dallimi midis mëkatit të Iblisit dhe mëkatit të Ademit (a.s.), është në atë se Ademi (a.s.), për dallim nga Iblisi, u pendua dhe u kthye te Allahu i Plotfuqishëm, që në Kuran është përshkruar në suren el-Bekare, 37: “E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin), s’ka dyshim se Ai është Mëshiruesi, Pendimpranuesi.”

Mund të vërehet, përmes një seri ajetesh kuranore, se Allahu i Plotfuqishëm, nuk i ndëshkoi popujt që kishin mëkatuar dhe pastaj ishin penduar dhe ishin kthyer te Zoti i tyre, ndërsa, nga ana tjetër, ata të cilët nuk u penduan dhe ishin krenarë i ndëshkoi me ndëshkim të ashpër.

Nga kjo që u tha deri më tani, mund të konkludohet, se mëkati është i dëmshëm për vetë njeriun. Mëkati e pengon njeriun që të kuptojë drejtë: “A e ke parë ti (Muhamed) atë që duke e ditur, dëshirën e vet e respekton si zot të vetin, atë Allahu e ka humbur, ia ka mbyllur të dëgjuarit dhe zemrën e tij, i ka vënë perde mbi të parit e tij…” (el-Xhathije, 23)

Në të kundërtën e kësaj, në suren el-Enfal 29, Allahu i Plotfuqishëm, paralajmëron: “O besimtarë! Nëse keni frikë Allahun, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit (të bëni dallimin në mes të vërtetës dhe të pavërtetës), do t’ju mbulon mëkatet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu është bamirës i madh.”

Muhamedi (savs), në hadithin të cilin e transmeton Ibn Hibbani, thotë: Njeriu mund të jetë i privuar nga nafaka, për shkak të mëkatit që bën.”

Në të kundërtën e kësaj, Allahu i Plotfuqishëm, thotë: “…Kush e ka frikë Allahun, Ai i bënë rrugëdalje atij,  dhe e furnizon atë prej nga nuk e pret…” (et-Talak, 2-3)

Duke vazhduar në mëkate, njeriu e humb ndjenjën e mëkatit: “Shejtani ua ka zbukuruar sjelljet e tyre dhe i ka zmbrapsë nga rruga e drejtë, andaj nuk e gjetën rrugën e drejtë.” (en-Neml, 24)

Mëkatari i konsideron mëkatet e tij të vogla. Ibn Mesudi (r.a.), ka thënë se kishte dëgjuar Pejgamberin (savs), duke thënë: “Besimtari i vërtetë i konsideron mëkatet e tij (të vogla) si një kodër, nga e cila ka frikë të mos bjerë mbi të, kurse mëkatari i madh, i konsideron mëkatet e tij si një mizë që i bie në hundë, ai e lëviz dorën dhe ajo ikë.” (Transmeton Buhariu)

Duke u bërë mëkate vjen deri te çrregullimet në Tokë: “U shfaq ngatërresa në tokë dhe në det për atë që punuan duart e njerëzve, që t’u japë të shijojnë pjesë nga ajo që kanë punuar, për t’u kthyer ata në përmirësim.” (er-Rum, 41)

Pra, në afërsi të Allahut të Plotfuqishëm, mund të arrihet vetëm atëherë, kur të eliminohen pasionet dhe preokupimet me kërkesat e trupit. Për këtë arsye, Kurani shirkun e konsideron mëkat të pafalshëm, sepse shirku i paralizon të gjitha shqisat njerëzore në rrugën e njohjes së Zotit të tij: “Allahu, me të vërtetë, nuk e falë atë që i bën shok Atij, por ia falë të tjerat mëkate kujt të dojë, përveç këtij.” (en-Nisa, 48)

Një mendimtar islam ka thënë se shirku është si kordoni i kërthizës, që kur pritet, ndërpritet lidhja midis fëmijës dhe jetës së tij. Po kështu, me shirk ndërpritet lidhja midis Allahut të Plotfuqishëm dhe njeriut. Për ta vendosur përsëri lidhjen, nevojitet istigfari, sepse Allahu i Plotfuqishëm gëzohet për njeriun e penduar, siç thotë Muhamedi (savs), Allahu gëzohet më shumë sesa që gëzohet njeriu, i cili e ka humbur devenë e tij me ujë dhe ushqim, dhe pastaj e sheh dhe e shpëton jetën e tij.

Gjithmonë duhet të kemi parasysh rekomandimin e Allahut të Plotfuqishëm: “Allahu nuk i ndëshkon ata, derisa ti je në mesin e tyre; dhe Allahu nuk i ndëshkon, nëse ata kërkojnë falje.” (el-Enfal, 33)

“Pa dyshim, Allahu i don ata që pendohen fort (për mëkatet) dhe ata që pastrohen shumë.” (el-Bekare,  222)

Në fund, duhet ta përmendim edhe hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejre (r.a.), në të cilin Muhamedi (savs), thotë: “Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, nëse ju nuk do të bënit mëkate, Allahu do t’ju ngrinte dhe do të sillte njerëz të tjerë, të cilët bënin mëkate dhe do të luteshin për falje nga Allahu, dhe Ai do t’i falte ata.”

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress.ch)