Nga cila derë na vjen shejtani?

1421

Jasmin Muxhahid

Shejtani na vjen në mënyra të ndryshme varësisht nga situata jonë. Kur ne jemi të fortë me iman, na vjen përmes krenarisë dhe vetë-kënaqësisë. Ai përpiqet të na bëjë të lumtur me veprimet tona, që të besojmë se jemi të përsosur, superior dhe se të tjerët duhet të ndryshojnë. Ne fillojmë të veprojmë si policia e haramit. Edhepse këshilla është pjesë kyçe e fesë sonë, fokusi ynë është ridrejtuar nga përmirësimi i vetes, në korrigjimin e të gjithë të tjerëve, sepse ne mendojmë se tashmë jemi të përsosur. Ata të cilët kanë dituri, shejtani përpiqet t’i bëjë krenarë dhe të pavarur.

Kur e kemi imanin e ulët, shejtani na vjen përmes dëshpërimit. Ai përpiqet të na bëjë të ndihemi të largët dhe të ulët, që thjesht të heqim dorë. Kur bëjmë mëkate, na bind se nuk ka kuptim të përkulemi ose të shkojmë në xhami, sepse atëherë do të ishim ‘hipokritë’ nëse e bëjmë këtë. Ai na bën të besojmë se të gjithë ‘besimtarët’ vetëm na gjykojnë, dhe më mirë është ta mbajmë shoqërinë tonë të keqe, sepse së paku ata nuk na gjykojnë.

Kur nuk mund të jesh muslimane e përkryer, ai ju bind se do të ishte mirë ta hiqni hixhabin, sikur hixhabi të ishte vetëm për persona të përsosur. Sikur çdo grua, para se ta vesh hixhabin, së pari duhet të transformohet në melek. Ai na pëshpërit të heqim dorë nga përpjekja sepse (thotë shejtani) jeni shumë larg ose shumë poshtë për t’u kthyer tek Allahu.

Ju lutem, le ta kuptojmë, se këto të gjitha janë taktika të mashtrimit të shejtanit. Askush nuk është perfekt, as ata që shkojnë nëpër klube e as dijetarët. Dhe secili shpirt është i denjë të kthehet tek Allahu. Asnjë sasi e mëkateve nuk është tepër e madhe për Allahun që të na falë. Mëshira e Allahut është e pafund. Të gjitha mëkatet e njerëzimit edhe sikur të bashkohen janë të kufizuara. Nuk ekziston ndonjë distancë shumë e madhe, e cila nuk mund të kapërcehet me pendim të sinqertë.

Për ata që ndjejnë se imani i tyre është i lartë, nuk duhet harruar se asnjë sasi e diturisë ose ibadetit nuk na bën të përsosur. Gjithmonë mundet edhe më mirë. Dhe çdo devotshmëri që kemi është dhuratë e thjeshtë, e cila mund të na merret siç na është dhënë. Të jesh mendjemadh për shkak të dhuratës së devotshmërisë ose diturisë, është një nga llojet më të rrezikshme të mosmirënjohjes që mund të tregojmë.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress.ch)