Pasojat fatale të padrejtësisë

4589

Ismail Nevahide

O robërit e Allahut, o kujdestarë të shtëpisë së Allahut, Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“E ti, mos mendo, kurrsesi, që Allahu nuk vëren atë që punojnë zullumqarët! Ai, vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën kur sytë e tyre do të mbeten të hapur. (Atë ditë) Ata të ngutur e duke i ngritur kokat e tyre lartë, nuk lëvizin sytë e tyre (për të shikuar), e zemrat e tyre janë të zbrazura (nga frika).” (Ibrahim, 42-43)

Padrejtësia (zullumi) është shkaku i shkatërrimit të njerëzve dhe shoqërisë, si dhe i familjeve dhe individëve. Kjo është arsyeja kryesore e fatkeqësisë me të cilën përballet njerëzimi. Padrejtësia është rruga e cila me siguri çon në ndëshkimin e Allahut. Ajo përfaqëson errësirën, e cila e përcjell zullumqarin në këtë botë, kurse në botën tjetër do ta çojë në Zjarr.

Për këtë arsye mund të gjejmë shumë tekste të Kuranit dhe të hadithit, të cilat flasin për padrejtësinë dhe pasojat e saj të rënda dhe urdhërojnë për drejtësinë dhe ndihmën e atyre që ju është bërë padrejtësi. Në një hadith-kudsij, Allahu i Plotfuqishëm thotë: “O robërit e Mi, Unë Vetvetes ia kam ndaluar padrejtësinë, andaj as ju mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit…”

Dijetarët muslimanë, kur e definojnë padrejtësinë, thonë se ajo është vendosja e gjërave në vendin që nuk ju përket dhe veprimi me pasurinë dhe të drejtat e të tjerëve në kundërshtim me parimet e drejtësisë. Prandaj, vendosja e një personi të papërgjegjshëm në një pozicion përgjegjës, dhe anasjelltas, është padrejtësi të cilën po e dëshmojmë çdo ditë. Arsyeja (e vetme) është se ai nuk ju përket qarqeve të caktuara, partive dhe orientimeve të caktuara.

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kur një punë me përgjegjësi i besohet atij që nuk është i denjë, prisni Ditën e Gjykimit.”

Ai, gjithashtu ka thënë: “Lutja e atij që i është bërë padrejtësi, nuk refuzohet, edhe nëse është person i prishur.”

Pas këtyre fjalëve që i dëgjuam (lexuam), ne duhet të luftojmë kundër të gjitha formave të padrejtësisë, dhe kurrë të mos i ndihmojmë ata që përfaqësojnë padrejtësi, siç janë, fjala vjen, lloje të ndryshme të sundimtarëve. Për të pasur sukses në këtë, duhet ta kemi në mendje se padrejtësia ose zullumi është tre lloje:

(1) Lloji i parë është padrejtësia e njeriut ndaj Zotit të tij, përmes mosbesimit dhe formave të ndryshme të idhujtarisë, siç thotë Allahu i Plotfuqishëm: “Me të vërtetë, të bërit shok Allahut, është zullum i madh.”

(2) Lloji i dytë është padrejtësia e njeriut ndaj vetvetes, duke i braktisur gjërat e urdhëruara, duke ndjekur pasionin dhe duke bërë mëkat. Allahu i Plotfuqishëm, për këtë thotë: “Allahu nuk u ka bërë dëm atyre, por ata i kanë bërë dëm vetes.” (Alu ‘Imran, 117)

(3) Lloji i tretë është padrejtësia e njerëzve ndaj njëri-tjetrit, duke i privuar ata nga të drejtat dhe pronat e tyre, ku shembull të kësaj i kemi veprimet e disa njerëzve, të cilët femrat trashëgimtare i privojnë nga të drejtat e tyre, që është shumë e pranishme në shoqërinë tonë.

Përkthim: Miftar Ajdini