Të drejtat politike të gruas sipas këndvështrimit islam

1644

Dr. Bekir Topaloglu

GRUAJA DHE POLITIKA

Mos vallë gruaja është një qënie me shpirt? Në se ka shpirt, ky është shpirt njeriu apo kafshe? Në se do të pranonim se ka shpirt njeriu, në këto kushte, në raport me burrin mos vallë gjendja e saj është si e një skllaveje, apo pak mbi të?” Ja, pra, “gruaja” në vendet perëndimore e sendërtuar sipas mendësisë në themel të së cilës qëndron kjo konsideratë për të. Në këto kushte gruaja i është futur përpjekjeve dhe e ka vazhduar luftën gjersa ka imponuar njohjen e vetes si njeri. Duke marrë shpagim për shekujt e shkuar të padrejtësive dhe mizorive, ajo kishte pretenduar, madje, për më tej se qëllimi i krijimit dhe mundësitë e saj shpirtërore. Në këtë përpjekje e luftë gruaja kishte pretenduar barazinë absolute me burrin dhe, si ekuivalent të kësaj, kishte imponuar edhe njohjen e të drejtave të saj politike.

Duke kaluar te lufta për të drejtat e gruas në popujt e Lindjes, ajo kishte marrë zhvillime më të gjera në drejtimet e dëshiruara në Perëndim.

Ka gra që gjatë gjithë historisë janë marrë me politikë, që kanë drejtuar ushtri dhe shtete. Shembuj të tillë hasen edhe në popujt Islamikë. Por për të zotëruar të drejta politike në dimensionet e sotme, gruas i duhej të bënte përpjekje të vështira. Këto përpjekje, si për gruan, edhe për burrin, po aq përbëjnë një çështje më vete. Edhe për burrin, nuk janë të pakta përpjekjet që duhet të bëjë për të zotëruar të drejta politike.

Pika në të cilën është e nevojshme të qëndrojmë me përparësi në lidhje me ç’u tha më lart, më tepër se sa zotërimi i të drejtave politike dhe të marrurit me politikë, për gratë, është çështja qe, në të vërtetë, a do të mbeteshin të kënaqura apo jo ato nga kjo jetë si dhe, pas zotërimit të këtyre të drejtave, a do të ishin të lumtura apo jo. Duke u mbështetur në analizat e Zonjës Gina Lombroso që njihet për shqyrtimin e imtë të psikologjisë së femrës me një mendësi shkencore shumë skrupuloze, parashtrimet e bëra për çështjen në fjalë, po i marrim në dorë në të njejtën formë.

Të gjithë ata që merren me psikologjinë e femrës, janë bashkuar në mendimin se gruas nuk i pëlqejnë veprimtaritë politike. Argumenti i parë i kësaj, sipas polemikave të bëra nga gratë rreth çështjeve profesion, pagë, arsim dhe edukatë, fe dhe fëmijë, në bazë të kritereve të ndryshme të zbatuara, gratë nuk duhet të merren fare me çështje financiare dhe ndërkombëtare dhe, veçanërisht, nuk punojnë mbi asnjë program politik. Mbi çdo gjë, gra të popullit që kanë fituar të drejtën për t’u bërë deputet, nuk janë parë në kryesi të asnjë partie politike. Në Rusi, kur revistat e grave kanë nxitur seksin e tyre në veprimtaritë politike, janë përballur vazhdimisht me një rezistencë të ashpër. Në përgjithësi, gratë e arsimuara, të lira, më tepër janë marrë me artet e bukura, poezi, prozë, muzikë dhe edukim, me moral dhe fe, se sa me histori, gjeografi dhe ekonomi.

Zonja Gina Lombroso, personalisht kishte ngritur në Itali një organizatë të quajtur “Shoqata e grave popullore italiane” (L’Associazione di vulgutrice Donne Italiane) dhe kur kish marrë iniciativa të shumta për të zgjuar te gratë ambicje politike, nuk kishte patur sukses. Pa folur, pastaj, për librat e botuar, traktatet… që ishin kthyer pa u shitur. Në fakt, të njëjtat gra kishin treguar shumë më tepër interes për tema ose fusha të vështira të kulturës së përgjithshme si psikologji e filozofi. Edhe në Gjermani, përvoja e një organizmi të tillë grash kishte dhënë të njëjtin përfundim. Dhe, në të njëjtën kohë, atje ku gratë zotëronin të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, shumë pak prej tyre e kishin përdorur këtë të drejtë. Bie fjala, në Itali, në qytetet gjer në 60000 banorë, nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje më tepër se dy-tri mijë vetë. Madje, në disa qytete italiane, pjesëmarrësit kishin përbërë një numër krejt të pakonsiderueshëm. Ne nuk do të rrimë e të numërojmë këtu shkaqet e kësaj.

Kjo do të thotë se të arrish të drejta politike, për gruan, kjo, edhe në qoftë diçka që merr rëndësi duke u vështruar arritja e të drejtave politike si shenjë e një pozite të lartë, në praktikë nuk përbën një element që i sjell gruas lumturi.

Gruaja, zotëruese e një konstitucioni shpirtëror të ndryshëm në raport me burrin, është më e prirur se burri për t’u dukur dhe për t’i dhënë rëndësi vetes me përparësi. Pasojë e kësaj është që, sipas kompetentëve, gratë e përzjera në veprimtaritë politike, u janë futur këtyre punëve nga kënaqësia e përftuar në demonstrimet, ku kanë parë respekt e nderim, jo nga nevoja dhe dëshira për të zhvilluar veprimtari politike.

Një burrë që e telendis gruan, le të jetë zotërues i çfarëdo meritash organike e shpirtërore, për gruan është një krijesë e shëmtuar. Dhe atë asnjë ditë s’mund ta falë. Kurse burri që e mburr dhe e vlerëson gruan, le të jetë sa të dojë në gjendje e nivel të ulët, gruas i bëhet një krijesë e vyer.

Gjykimet rrahin jo në mendjen, por në zemrën e gruas. Dhe në këtë rrugë ndikojnë mbi të. Pamundësia për të qenë i paanshëm, prirja kah emocioni dhe shqetësimi, veprimi më tepër me ndjenja se sa me gjykime në garën e të gjitha aksioneve morale e praktike, si përfundim, i japin kahje mbështetjes te parandjenjat. Dhe këto parandjenja janë të nevojshme; edhe gabim në qoftë, gruas i krijojnë opinionin se janë të drejta gjykimet dhe veprimet e kryera. Inati i gruas dhe dobësia për të mos e dëgjuar bashkëbiseduesin rjedhin prej këtej. Dëgjon nga bashkëbiseduesi vetëm fjalët që i vijnë për shtat punës dhe prirjes së saj dhe nuk njeh të keqe më të madhe se sa të kritikohet. Dhe ata që e kanë kritikuar, nuk i fal kurrë. Besimi dhe anësia ndaj egoizmit të vet, po s’u panë me pëlqim, e largojnë gruan plotësisht. Kjo dobësi, pak nga pak, përballë personave që janë të lidhur pas saj, e hedh gruan në autoritet dhe tirani. Me që burri ka fituar zakonin që të mendojë, gjithmonë dyshon. Vetëm se si gruaja, nuk mbetet mbi dyshimet vazhdimisht. Gruaja vazhdimisht ndien një pasiguri, mosbesim dhe, ndaj atyre përreth, të lidhur me të, ndien një pasivitet. Ose ndodhet në një gjendje pavendosmërie për shkak të shqetësimit nga verifikimi i të qënit real apo jo të dyshimeve, pasigurisë, mosbesimit. Mes këtyre dyshimeve fshihet pakënaqësia eventuale dhe e vazhdueshme, ndjenja e mungesës dhe e pedantizmit.

Këto shqyrtime të bëra mbi psikologjinë e femrës, sidomos në kohën tonë, pohojnë në mënyrë të hapur se të marurit seriozisht me politikë nga e drejta në të drejtë, e kthyer kjo në një punë mjaft aventuroze, është e papërshtatshme për femrën nga pikëpamja e krijimit.

Sot, në shumë vende, të drejtat politike të gruas njihen po në të njëjtën formë si të burrave. Por në realitet shohim se gruaja, sidoqoftë, të drejtën e zgjedhjes mund ta përdorë gjer në një farë niveli. Pas zgjedhjeve, gratë që marrin punë të mëdha në fushë të politikës, janë aq pak, sa mund të thuhet hiç. Por ka edhe gra që janë zgjedhur deputete apo senatore. Madje ka edhe nga ato që kanë zënë edhe vendin e kryeministrit apo të ndonje ministri. Por më tepër i zënë këto vende simbolikisht, punët bazë i bëjnë meshkujt rreth e rrotull. Edhe kjo praktikë tregon se në fushë të politikës gruaja nuk ka ndonjë rol rregullues.

TE DREJTAT POLITIKE TE GRUAS NE TE DREJTEN ISLAME

Në Kuranin e Madhnueshëm nuk ka pohime të hapura mbi të drejtat politike të gruas. Vetëm ka disa ajete që i afrohen çështjes anasjelltas. Qoftë argumentet në Kuran e në sunnet, qoftë zbatimet praktike në kohët e para të Islamit, të komentuara në forma të ndryshme, kanë pasuar, për këtë shkak, përfundime të ndryshme.

Ka tre këndvështrime për çështjen e të drejtave politike të gruas:

1. Gruaja është e zonja e të gjitha të drejtave politike përfshi edhe atë të kryetarit të shtetit.

2. Gruaja nuk është e zonja për asnjë të drejtë politike.

3. Ka të drejtë vetëm për të zgjedhur e jo për t’u zgjedhur.

Tani t’i vështrojmë me radhë këto tri këndvështrime:

Kryetari i shtetit

“Besimtarët e besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja”. Në këtë ajet të shenjtë pohohet se detyra për ta dashur dhe ndihmuar njeri-tjetrin duke ndaluar të keqen dhe duke urdhëruar për të mirë (emër bi’l-ma‘ruf, nehj ani’l-munker), u përket si burrave, ashtu edhe grave. Kështu, edhe detyra e kryetarit të shtetit s’është gjë tjetër veçse e njëjta veprimtari politike në emër të popullit në përmasat e atdheut. Për pasojë, edhe gruaja mund ta kryejë këtë detyrë.

Në Kuranin e Shenjtë bëhet fjalë për marrëdhëniet e Profetit Sulejman me sundimtaren e Sebe-së (Jemen), Belkizen. Belkizja është një kryetare shteti. Prof. Muhammed Hamidullah, duke u mbështetur në këtë ajet shpreh opinionin se gruaja mund të bëhet kryetare e shtetit.

Kritikë


Asnjeri nga ajetet që merren si argument në çështjen në se gruaja mund të bëhet ose jo kryetare shteti, nuk shpreh një urdhër të hapur. “Ndihma për të mirë dhe ruajtja nga e keqja (emër bi’l-ma‘ruf, nehj ani’l-munker)” është detyrë për çdo musliman brenda kuadrit të fuqisë dhe mundësive të veta. Siç bëhet e qartë edhe në një hadithi sherif, kjo gjë bëhet me duar, në pamundësi, me gojë ose me të shkruar, në pamundësi edhe të kësaj, me zemër. Eshtë e pamundur të nxjerresh prej kësaj si konkluzion çështjen e kryetarit të shtetit.

Ende pa u njohur me Sulejmanin, Belkizja ishte një kryetare shteti. Në kohën e saj, duke mos qënë në fenë e vërtetë, ishte dhënë pas adhurimit të diellit. Pas dorëzimit te Hz. Sulejmani, kishte përqafuar fenë e drejtë. Pas kësaj, në Kuran nuk thuhet gjë në se qe sundimtare apo jo. Për pasojë, një grua adhuruese e diellit nuk mund të përbëjë argument për muslimanët.

Mbetet të themi se në lidhje me këtë çështje, ka hadithe të qarta të Hz. Pejgamberit. Nga Pasuesit, Ebu Bekre thotë: “Kur Hz. Pejgamberi kishte dëgjuar se në Iran vajza e Kisra’së (Sasanive), Boran, ishte sjellë në postin e udhëheqësit të shtetit, kishte urdhëruar kështu: “Një popull që i dorëzon udhëheqjen një gruaje, nuk gjen dot harmoni”.


Mohimi i çdo të drejte politike


Grupi i dytë pretendon se në të drejtën Islame gruas i mohohet çdo e drejtë politike. Sipas kësaj, gruaja nuk është zotëruesja e të drejtës për të qënë “kujdestare e përgjithshme e popullit” (velajet-i amme). Gruaja nuk mund të zgjedhë dhe të zgjidhet. Vetëm mund të kryejë nëpunësi jopolitike: gjykatëse, dorëzanëse (vekil) në marrëdhëniet tregtare, në testamente, mbikqyrëse në punët e komiteteve të kujdestarisë (vakëfe). Sepse të gjitha këto bëjnë pjesë në “kujdestarinë e veçantë” (velajet-i hassa).

Gruaja nuk ka të drejtë të zgjedhë. Sepse, ashtu siç nuk gjendet diçka e qartë për këtë çështje në hadithet, në periudhat e Hz. Pejgamberit dhe të Hulefai Rashidinë, në këshillat e pushtetit dhe në zgjedhjet e Kalifeve, në asnjë kohë grave nuk u është njohur e drejta e zgjedhjes, gruaja nuk është përzjerë në punë të tilla. Natyrisht, po s’pati gruaja të drejtë për të zgjedhur, s’do të ketë as të drejtë për t’u zgjedhur.

Kritikë

Kjo pikëpamje që ekspozon një kuptim të kufizuar në çështjen e të drejtave të grave, do të kritikohet në pjesën pasuese.

E drejta për t’u zgjedhur

Sipas opinionit negativ të dijetarëve rreth kësaj çështjeje, hadithi i Ebu Bekre’së i përmendur më lart, pohon se gruaja nuk mund të bëhet udhëheqëse shteti dhe, ngjashëm me të, as antare parlamenti, si organizëm i tipit “kujdestari e përgjithshme” (velajeti amme). Hz. Pejgamber në një hadith tjetër urdhëron: “Po qe se drejtuesit tuaj janë më të dobishmit dhe të pasurit-më bujarët, dhe po qe se punët i çoni para duke e udhëzuar njëri-tjetrin vazhdimisht, mbitoka është më e mirë për ju se sa nëntoka. Por po qe se drejtuesit tuaj janë më të këqinjtë dhe të pasurit-dorështrënguar, si dhe punët ju ndodhen nën urdhërat dhe iniciativën e grave, nëntoka është për ju më e mirë se mbitoka”.

Megjithëse antari i parlamentit është përfaqësuesi i popullit që ai e zgjodhi vetë, ky nuk është një përfaqësim i thjeshtë. Nga kjo pikëpamje, këtë autorizim të gruas për t’u bërë përfaqësuese në veprimtari të tjera juridike, nuk është e mundur ta reflektosh për analogji në antarësinë e parlamentit. Në Kuranin e Madhnueshëm, edhe ajeti “Burrat janë përgjegjës për gratë…” tregon se gruaja nuk mund të bëhet antare e parlamentit. Disa dijetarë, me faktin që në periudhat e para të Islamit gratë nuk u përzien direkt në asnjë detyrë shtetërore, pretendojnë se, në këtë çështje del në pah “uniteti i veprimit (ixhma‘).

Kritikë

Duke bërë fjalë për të drejtën e gruas për t’u zgjedhur, është e nevojshme t’i ndajmë midis tyre funksionet e kryetarit të shtetit dhe të antarit të parlamentit. Veçanërisht, gjatë gjithë historisë, siç është parë në shtetet Islame dhe siç shihet sot në sistemin shtetëror presidencial amerikan, kompetencat dhe përgjegjësitë e kryetarit të shtetit janë shumë të mëdha. Dhënia e kompetencave dhe përgjegjësive të tilla gruas me një ndërtim fiziologjik dhe psikologjik tashmë të njohur, përbën, ç’është e drejta, një problem pa zgjidhje. Në këtë fushë, njerëzimi, në aspektin e drejtimit dhe të të drejtuarit, ende nuk zotëron një praktikë të mjaftueshme.

Duke ardhur në çështjen e antarësisë së parlamentit, është e nevojshme të themi se kjo detyrë që bart cilësinë e një përfaqësuesi, nuk zotëron një kompetencë më vete dhe të pavarur. Edhe përfaqësimi i mendimeve, ndjenjave dhe kërkesave, për pasojë, i vullnetit të një pjese të popullit në parlament nga një grua, duhet të përcillet si i natyrshëm. Në fenë Islame nuk ka diçka që t’i dalë kundër kësaj në të drejtë. Argumentet që sillen si pengesë, janë ose historikë, ose i përkasin llojit të trajtimeve subjektive.

Hadithi që pohon se një popull që i lë në dorë udhëheqjen një gruaje, nuk do të gjejë harmoni, duke iu përshtatur opinionit të Prof. Muhammed Hamidullahut, është e mundur të pranohet si një shprehje përkatësisht e veçantë për shtetin Sasani të asaj periudhe. Mbetet që hadithi në fjalë shënon jo antarin e parlamentit ose të ngjashëm me të, por kryetarin e shtetit, një tip kryetari të asaj kohe që ka marrë mbi vete të gjitha kompetencat. Gjithashtu, hadithi tjetër i Hz. Pejgamberit ku flitet për drejtësinë e udhëheqësve dhe bujarinë e të pasurve, nuk përfshin antarësinë e parlamentit.

Edhe mospërzierja e grave në punët e shtetit në shekujt e parë të Islamit, nuk bart cilësinë e një argumenti fetar pas të cilit duhet lidhur. Sepse ky rregullim ishte rjedhojë e kushteve, mundësive dhe kërkesave të asaj kohe. Në të vërtetë, sekta “havarixh” me një mendësi më demokratike në punët e shtetit, nuk e kishin përvetësuar këtë gjykim. Dhe më vonë edhe grave u kishin dhënë vend në drejtimin e shtetit.


E drejta për të zgjedhur


Nuk ka ndonjë argument që ta pengojë gruan si zgjedhëse. Në çdo gjë, esenciale është e zakonshmja (mubah). Qënia e gruas si zgjedhëse është një e drejtë e natyrshme e saj. Duke mos ekzistuar një argument që ta heqë këtë të drejtë, ajo mbetet e përhershme.

Në periudhat e para të Islamit, zgjedhja e kryetarit të shtetit bëhej me miratimin personal e të drejtpërdrejtë të zgjedhësit ndaj kandidatit (biat). Biat (bej’at) do të thotë shtrëngim dore (musafaha), domethënë takim ballëpërballë dhe personal. Eshtë simboli dhe ceremonia e pranimit të kryetarit të shtetit në takimin personal me zgjedhësit. Pejgamberi pat marrë shumë herë miratimin (bej’at) e grave dhe burrave nga Pasuesit. Së pari kjo ka ndodhur në kohët e fundit të periudhës së Mekës, në Akabe. Në historinë e Islamit, “Takimet e Akabes” (Bej‘atu’l-Akabe) janë të njohura. Në këtë ceremoni kanë qënë të gatshme edhe gratë.

Takimi i të Dërguarit të Allahut me gratë në Medine dhe në ditën e triumfit të Mekës ishte përsëritur disa herë pastaj. Po qe se këto takime nuk do të konsideroheshin politike, por fetare, kjo s’do të ishte e drejtë. Sepse në ajetin që urdhëron takimin e të Dërguarit të Allahut me gratë, thuhet: “O Pejgamber, kur të vijnë besimtaret që të të japin besën se nuk do t’i shoqërojnë asnjë send Allahut, se nuk do të vjedhin, se nuk do të bëjnë kurvëri, se nuk do t’i mbysin fëmijët e tyre, se nuk do të gënjejnë me ndonjë shpifje për ta dhe se nuk do të të kundërshtojnë në atë që i urdhëron, atëherë prano zotimin e tyre…” Ja, pra, ky ajet bën fjalë për urdhërat e të Dërguarit të Allahut si kryetar i shtetit. Në esencë, takimi dhe pranimi i urdhërave të të Dërguarit të Allahut si Pejgamber, lidhur me këtë funksion, do të thotë t’u besosh porosive të tij dhe ky quhet jo miratim, por besim. Por ç’e do se në ajetet dhe në hadithet përdoret termi “mirüitm” (bej‘at). Veçanërisht, ka tregime të sakta nga Pasuesit në formulimin: “I Dërguari i Allahut, siç takohej me gratë, takohej edhe me ne”. Këto hadithe flasin për të njëjtat lloj takime si me gratë, ashtu edhe me burrat.

Edhe njëra nga çështjet e dokumentuara mbi takimet e Pejgamberit me Pasuesit jo në lidhje me profetësinë, por me punët e shtetit, është mohimi i takimit të tij me fëmijët. Sipas një tregimi të saktë, ishte kërkuar që fëmijët e pamaturuar ose të takoheshin personalisht me të, ose të përfaqësoheshin nga prindërit, kurse i Dërguari i Allahut nuk e kishte pranuar këtë gjë. Kështu, pra, takimi (dhe shfaqja e miratimit) i gruas tregon se ajo gëzon të drejtën e zgjedhjes.

Nga gratë e Hz. Pejgamberit, Ummi Seleme, në ditën e Hudejbisë, në lidhje me një situatë të vështirë, i kish shprehur një mendim të Dërguarit të Allahut dhe i kish treguar një rrugëzgjidhje. Edhe Pejgamberi e kish dëgjuar atë, ashtu kishte vepruar dhe problemi ishte zgjidhur.

Ummi Hani, vajza e Ebu Talibit, xhaxhait të Pejgamberit, ditën e triumfit të Mekkës, i kish dhënë garanci jete njërit prej politeistëve. Dhe Pejgamberi e kishte pranuar këtë. Ky ishte një veprim administrativ dhe politik.

Pas Pejgamberit, në periudhën e Hulefai Rashidinë’t, pranë Kalifit, për konsultim, ndodhej një auditor i zgjedhur (ehlu’l-halli ve’l-akd – persona të ngarkuar si administratorë dhe ekzekutues). Për këta nuk kishte një ditë të caktuar mbledhjeje. Kur të donte Kalifi, i ftonte dhe kërkonte mendimin e tyre. Përveç këtyre, Kalifi merrte opinion edhe nga gratë e të Dërguarit të Allahut në shtëpitë e tyre. Më sipër përmendëm se Hz. Omeri vlerësonte mendimtet e zonjës Shifa Hatun.

Hz. Omeri, në çastet e vdekjes, zgjedhjen e Kalifit që do ta pasonte, ua kishte ngarkuar pasuesve të mbetur gjallë nga “Ashere-i mubeshshere”. Këta kishin ngarkuar me detyrë nga mesi i tyre Abdurrahman b. Avfi-në. Siç nënvizon Ibni Kethiri, Abdurrahman b. Avfi, me qëllim që të caktojë një kandidat për Kalif, kishte kërkuar mendimin e popullit si dhe, në këtë mes, ishte takuar edhe me gratë.

Dime së nëna jonë Aishe, pas rënies dëshmor të Kalifit të tretë Osman, kishte kërkuar gjakun e tij, se për këtë shkak punën e kishte çuar gjer në luftë, se në ndodhinë e Xhemelit ndodhej në krye të ushtrisë. Kjo, ç’është e drejta, do të thotë të përzihesh në politikë. Në se një pjesë e kishin miratuar këtë veprim, një pjesë tjetër të Pasuesve nuk e kishin miratuar, dhe ka libra historie që shënojnë se ajo vetë më vonë ishte penduar. Por, sipas disave, ky pendim nuk është nga përzjerja në politikë, por është nga veprimi i pasaktë.

Thelbi i atyre që u thanë gjer këtu në lidhje me çështjen e të drejtave politike të gruas, është se politika për gruan sa është pika e fundit e fitimit të të drejtave dhe një simbol i tyre, po aq është edhe fakti që gruaja, nisur nga krijimi dhe karakteri shpirtëror, nuk tërhiqet nga aventurat politike. Gjatë gjithë historisë, në se gruaja në fushë të politikës ka arritur pozita dhe ka zhvilluar veprimtari, në fakt, nuk është se ka bërë punë të mëdha dhe ka arritur sukses. Duket se të marrurit e gruas me politikë më shumë është një dëshirë e një pozitë simbolike.


* * *

Le t’i japim fund librit Gruaja në Islam me fjalët që i përkasin gruas në “Ligjëratën e Lamtumirës” të Pejgamberit katërmbëdhjetë shekuj më parë:


Njerëz!

Ju këshilloj të merrni parasysh të drejtat e grave dhe, për këtë veçanti, të keni frikë Allahun. Ju i morët gratë si amanet nga Zoti; duke dhënë fjalën në emër të Allahut, ju u bekuat me nderin dhe virtytin e tyre. Ju keni të drejta mbi gratë dhe ato kanë të drejta mbi ju. Eshtë e drejta juaj që, edhe në se nuk i jepni kënaqësi folesë së tyre familjare, gratë nuk duhet ta marrin nëpër këmbë atë me anë të dikujt tjetër. Në se nuk do ta miratonit një gjë të tillë dhe në se do të sillnin një tjetër në çerdhen tuaj familjare, mund ta ndaloni duke përdorur masa detyruese të drejta. Dhe, e drejta e grave mbi ju është që t’u siguroni atyre çdo veshje e ushqim në përshtatje me fenë dhe traditën.

Përktheu: Mithat Hoxha