Tregim: “Tenxherja që e gjeti kapun e vet”

874

Një herë moti kishte jetuar një njeri shumë i zgjuar dhe i mençur, i quajtur Shenn. Një ditë, për t’u martuar dhe për ta gjetur një grua të mençur sikur që ishte ai vetë, i hipi kalit dhe u nis në një udhëtim. Gjatë rrugës, ai u takua me një njeri i cili ishte duke shkuar drejt fshatit të tij. Shenni iu bashkua, dhe më pas e pyeti:

– A do të ngarkoj unë ty, apo do të më ngarkosh ti mua?

– Çfarë është kjo fjalë? Derisa jemi të dy në kalë, si mund të ngarkohemi?

Pasi që iu afruan fshatit, Shenni e pa një grurë të korrur dhe e pyeti: – A është i ngrënë ky drithë, apo ende nuk është i ngrënë?

– Sa njeri i paditur! Po e sheh drithin në kallinj dhe akoma pyet nëse është ngrënë apo jo?

Kur arritën në fshat, ata e takuan një xhenaze. Shenni pyeti përsëri: – Ky njeriu në tabut, a është i vdekur apo i gjallë? Burri u nervozua:

– Çka nuk paska! Unë ende nuk kam parë një budalla dhe të paditur sikurse ty!

Njeriu i ngratë, bashkudhëtarin e mori atë ditë në shtëpinë e vet, megjithëse nuk mund t’i kuptonte pyetjet e tij. Ai e kishte në shtëpi një vajzë me emrin Tabaka. Ajo e pyeti babanë se kush ishte musafiri. Kurse ky iu përgjigj se ai ishte një njeri shumë budalla, i cili i kishte bërë disa pyetje të marra. Pasi që i dëgjoi pyetjet, vajza i tha:

– O baba, ky njeri nuk është budalla. Përgjigja e pyetjes së parë, do të thotë: ‘A don të fillosh të flasësh ti i pari, apo unë?’ E dyta: ‘A i kanë ngrënë pronarët e drithit të hollat e tij (të hollat për drithin)’, kurse e treta: ‘Ky i vdekur, a ka lënë pas vetes fëmijë, i cili do ta përtërijë emrin e tij?’

Pas kësaj, ky u kthye te Shenni dhe ia përcolli përgjigjet, kurse Shenni atëherë, i tha:

– Këto fjalë nuk të përkasin ty. A mund të më thuash kush i tha? Burri i tha se i kishte thënë vajza e tij.

Shenni shprehu dëshirë që të martohej me të, duke thënë: ‘Unë po kërkoja, pikërisht, një vajzë si kjo.’

Me pëlqimin e babait dhe nënës, Shenni u martua me Tabakanë, e mori atë dhe e çoi në shtëpinë e tij. Njerëzit përreth për këtë martesë thanë: ‘Vafeka Shenn Tabaka’, që do të thotë: ‘Tenxherja është e përshtatshme për kapakun.’

‘Shenn’ do të thotë “enë për ujë’, kurse tabaka, do të thotë ‘kapak’.

/El-Mejdani, Mecmatu’l-Emthal, 2:423–24; Meshahiru’n-Nisa, 1:435–37/

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress.ch)