Trump e ndryshon muhabetin: PKK më e keqe se DEASH

703

PKK “mbase” përbën kërcënim më të madh terrorist sesa organizata terroriste DEASH, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump.

“Tani PKK, e cila është pjesë e kurdëve, siç e dini, është ndoshta më e keqe në terror dhe kërcënim më i madh terrorist në shumë mënyra sesa DEASH-i”, tha Trump gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin Italian Sergio Mattarella.

“Unë nuk do të përfshihem në një luftë midis Turqisë dhe Sirisë, veçanërisht kur, nëse i shikoni kurdët, përsëri e them këtë me shumë respekt, ata nuk janë engjëj…Ne po bëjmë që kurdët të duken si engjëj”, tha ai, duke iu referuar organizatës terroriste YPG/PKK.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eleminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja vazhdimisht ka potencuar se operacioni nuk ka në shënjestër kurdët, por synon ta pastrojë rajonin nga organizata terroriste PKK dhe dega e saj siriane YPG.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.

(AA)