Bukuria në jetën e Pejgamberit

1208

Bukuria

Krahas shumë detyrave për të cilat u dërgua Muhammedi salAllahu alejhi ue sel-lem, e kishte për detyrë t’i mësojë njerëzit rreth bukurisë dhe ta ngrejë vetëdijen e tyre rreth saj. Në të vërtetë Allahu është i bukur, Kur’ani është i bukur dhe i gjithë universi është i bukur. Duke pas parasysh se u dërgua që njerëzit t’i mësoj rreth kësaj bukurie universale, i Dërguari e kishte ndikimin më të bukur në zbatimin e saj. Atë e karakterizojnë cilësitë vijuese:

Bukuria e buzëqeshjes

Po, buzëqeshja është bukuri e jashtëzakonshme. Ajo paraqet gjuhën universale njerëzore, nëse në TV shohim një korean, gjerman, senegalez, amerikan apo dikend tjetër duke buzëqeshur, ne mësojmë se ai (ajo) është i gëzuar dhe ndjejmë ngazëllim, kënaqësi dhe afërsinë mes njerëzve që paraqet ajo buzëqeshje. Ajo pamje është e bukur, për dallim nga pamja e depresionit dhe trishtimit. Për këtë shkak shprehja e buzëqeshjes është një ndër gjërat më të rëndësishme të cilat duhet t’i përvetësojnë dhe mësojnë menaxherët e marrëdhënieve me resurset. Linguistët thonë që buzëqeshja është shprehje e kënaqësisë.

Buzëqeshja është një formë bukurie. Dihet që i Dërguari salAllahu alejhi ue sel-lem , gati gjithmonë e kishte buzën në gaz. Transmetohet se Xheriri r.a ka thënë: “I Dërguari kurrë nuk refuzoi të më shikojë pasi pranova Islamin. Sa herë që më takonte, më priste me buzëqeshje.” (Buhariu)

Buzëqeshja jo vetëm që ishte vijë karakteristike e të Dërguarit salAllahu alejhi ue sel-lem, por ai e promovonte buzëqeshjen dhe i inkurajonte të tjerët të buzëqeshin. Transmetohet se ka thënë: “Buzëqeshja jote në fytyrën e vëllait tënd është mirësi (sadaka).” (Tirmidhiu) Gjithashtu transmetohet se ka thënë: “Mos e nënçmoni asnjë vepër të mirë, madje sikur ta takoni vëllain tuaj me fytyrë të gëzuar dhe qeshur.” (Muslim)

Bukuria e pamjes së këndshme

I Dërguari salAllahu alejhi ue sel-lem i veshte rrobat më të bukura që kishte në dispozicion. Para se të pranonte ndonjë delegacion, rregullonte pamjen e jashtme ashtu siç i ka hije atij; domethënë vishej në përputhje me pozitën dhe traditën e çdo delegacioni. Ai gjithashtu i kishte qejf parfumet. Transmetohet nga Aisheja r.a të ketë thënë: “E parfumoja me erën më të bukur që kishim.” (Muslim) I Dërguari salAllahu alejhi ue sel-lem e ndalonte konsumimin e qepës dhe hudhrës para se të shkohet në xhami. Ai e pranoi bukurinë si një gjë që e do Allahu i Madhëruar. Në një hadith ka thënë: “Allahu është i bukur dhe e do bukurinë.

Bukuria e sjelljes së butë

Transmetohet se i Dërguari salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur tek një njeri gjendet butësia në një gjë, e zbukuron. Ndërsa nëse nuk ka butësi, e shëmton”. (Muslim) Domethënë, butësia është dekorim dhe bukuri, ndërsa dhuna është një gjë e shëmtuar. I Dërguari fisnik salAllahu alejhi ue sel-lem , të gjitha veprimet i bënte me butësi, qofshin ato private apo publike. Të gjithë njerëzit do të duhej ta ripërtërijnë ndjenjën dhe vetëdijen e bukurisë e cila gjendet në fe dhe gjithë universin.

Bukuria e ndjeshmërisë

Shembujt vijues do të na tregojnë disa aspekte të ndjeshmërisë së skajshme të të Dërguarit salAllahu alejhi ue sel-lem.

  • Sikur ta dëgjonte ndonjë fëmijë duke qarë, ai e shpejtonte kryerjen e namazit (në xhemat) duke pasur parasysh kujdesin e nënës për fëmijën e saj;
  • Një herë e ndaloi lëvizjen e ushtrisë për shkak të shpendit dhe zogjve të saj të cilat i ishin vendosur në rrugën kah lëvizte ushtria. Ushtria vazhdoi lëvizjen pasi që zogjtë iu kthyen nënës.
  • Evitonte qortimin e drejtpërdrejt. Më tepër preferonte të thoshte kështu: E ç’është me ata njerëz të cilët ndjejnë tepër krenari të bëjnë atë që veproj edhe unë?
  • Gjithmonë ua plotësonte dëshirën fëmijëve dhe bënte shaka me ta. Transmetohet se Enesi r.a ka thënë: I Dërguari a.s shoqërohej me ne (fëmijët) ndërsa vëllait tim të vogël duke bërë shaka i thonte: ‘Ebu Umejre! Dhe ç’bëni zogu?’ (Buhari)
  • Transmetohet se ka thënë: Asnjëherë mos thoni: ‘Shpirti im është bërë i lig!’, por le të thotë: ‘Shpirti im është ashpërsuar.’ (Buhari i Muslim) Ibën Haxheri në veprën e tij Fethu-l Bari citon se El-Hattabi ka thënë: “I lig” dhe “i ashpër” kanë kuptim të ngjashëm, por pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem e preferonte mbiemrin “ashpër” para “ligësisë”. Gjithmonë e kishte shprehi që emërtimet e pakëndshme ti zëvendëson me më të rafinuar. Nga ky hadith nënkuptohet se vokabularin e papëlqyeshëm duhet shmangur. Qëllimi është që me evitimin e shprehjes “Shpirti im është i lig”, tregohet butësi ndaj vetvetes.
  • Ndaj grave të tij tregonte respekt dhe sillej me butësi. Për shembull, gruas së tij Safijes gjithmonë ia ofronte gjurin e tij kur duhej ta shalonte devenë.
  • Predikonte “butësinë” Hyjnore ndaj njerëzve. Transmetohet se në një hadith ka thënë: Pasi që Allahu mbaroi krijimin, mbi Arsh shkroi: “Mëshira ime tejkalon zemërimin Tim.” (Buhari i Muslim)

Zeinul Abdin er-Rikabi
Burimi: Rasoulallah.net
Përshtati: Lutfi Muaremi

[Islampress.ch]