Ikja nga vdekja

1715

“Thuaj: S’ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka për t’ju zënë, e mandej do të silleni te Ai që e di të padukshmen dhe të dukshëm, dhe atëherë Ai do t’ju njoftojë me atë që keni punuar.” (el-Xhumua, 8)

Një njeri qëndronte në hyrje para dhomës së sunduesit duke pritur që ta pranojë mbreti, i dashuri dhe i dërguari i Allahut, Sulejmani (a.s.). Duke tentuar ta shkurtojë kohën e pritjes, ai shikimin e kalon mbi fytyrat e njerëzve tjerë që ishin në afërsi, kur përnjëherë, falë mëshirës së Allahut, heton, sikur t’i kishte pëshpëritur dikush, se një djalosh i bukur i cili qëndronte jo larg tij, gjithashtu duke pritur takimin me Sulejmanin (a.s.), në realitet ishte meleku Azrail në formë të njeriut. Njeriu ndjen tronditje dhe frikë. Diçka, në thellësi të zemrës, i fliste se Azraili kishte ardhur aty, në Jerusalem, për shkak të tij për të ia marrë shpirtin. Edhe pse, besojmë, ishte besimtar, ende nuk i vdisej … sikur të mbetej edhe pak në këtë botë (dynja).

Edhe më tepër u frikësua kur, duke hedh shikimin kah Azraili, e pa se si edhe meleku shikonte kah ai me shprehje të qartë të habisë në fytyrë. Tashmë ishte plotësisht i bindur se Azraili kishte ardhur tek ai … por si t’i ikte ? Duke menduar për këtë, e dëgjoi zërin i cili e ftoi të hynte te Sulejmani (a.s.), dhe ai, duke qenë në atë gjendje, hyri te i dërguari i Allahut.

Duke biseduar me të mbi çështjet për të cilat e kishte paracaktuar atë takim, Sulejmani (a.s.) i urtë, heton se bashkëbiseduesi i tij ishte në ngërç nga frika dhe brengat. E pyeti për këtë dhe njeriu ia hapi zemrën, duke i sqaruar për Azrailin dhe bindjen e tij se meleku kishte ardhur për shkak të tij.

Më në fund i mbledh forcat dhe e pyet Sulejmanin (a.s.): “A mundesh të më kapërcejsh deri në Indi, o i dërguari i Allahut, që të mund t’i shmangem Azrailit”?
“A ke frikë nga vdekja, a nuk e di ti se as ti, por as unë nuk mundemi t’i shmangemi vullnetit të Allahut ?!”
“E di, o i dashuri i Allahut, por megjithatë, dua të më kapërcesh deri në Indi”.

Sulejmani (a.s.) e kuptoi se vullneti i Allahut të dashur është që këtë njeri ta transferojë prej Jerusalemit deri në Indi, dhe vendosi t’ia plotësojë dëshirën. E urdhëroi erën që menjëherë ta bartë në Indi, dhe me lejen e Allahut xh.sh., era e barti atë njeri dhe e dërgoi në Indi.

Duke mbetur vetëm Sulejmani (a.s.) në zyrën e tij, dhe duke menduar për këtë ngjarje të pazakonshme, papritmas hyri një djalosh të cilin e njohu se ishte meleku fisnik Azraili. Me Azrailin bisedoi ai për çështjen për të cilën kishte ardhur tek ai, por gjatë gjithë kohës së bisedës, ky mundi të hetojë se meleku për diçka po çuditej. Më në fund e pyeti për të dhe mori këtë përgjigje:
“Një gjë kurrsesi nuk po mundem të ia shpjegoj vetvetes. Pak më parë, derisa pritsha për të hyrë te ti, në hyrje e pash një njeri, kurse mua më është urdhëruar që atij nesër t’ia marr shpirtin në Indi, andaj po çuditem se si do të mundet ai njeri për një kohë aq të shkurtër të arrijë deri në Indi”!?

Ibni Omeri ka thënë: “I dërguari i Allahut savs, më mori për krahu dhe më tha: ‘Bëhu në këtë botë (dynja) si të jesh i huaj, ose udhëtar’. (Transmeton Buhariu)

Përkthim: Miftar Ajdini

Burimi: www.znaci.com

(Islampress.ch)