“Moszgjidhja e problemit në Kashmir do të ketë pasoja të rënda për botën”

526

Presidenti i Azad Xhamu Kashmirit, pjesës pakistaneze të rajonit të kontestuar të Kashmirit, Sardar Masood Khan, paralajmëroi se mosnisja e procesit politik dhe diplomatik për zgjidhjen e kontestit në rajon do të ketë pasoja të rënda për rajonin dhe tërë botën.

Khan, i cili qëndroi në Turqi në cilësi të mysafirit, në vizitën e tij në zyrat e Anadolu Agency (AA), foli në lidhje me zhvillimet e fundit në Kashmir.

Khan i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë një zgjidhje përfundimtare dhe të drejtë për problemin e Kashmirit.

“Nëse në rajon fillon një luftë në nivel konfencional dhe zmadhohet në një konflikt bërthamor, pasojat nuk do të ngelin të kufizuara vetëm në rajonin e Azisë Jugore”, paralajmëroi Khan.

Ai rikujtoi se problemi është aktualizuar në agjendën ndërkombëtare që kur qeveria e Partisë Popullore të Indisë (BJP) e kryesuar nga kryeministri Narendra Modi miratoi ndryshime kushtetuese më 4 gusht për t’i hequr Xhamu Kashmirit, pjesës së kontrolluar nga India, statusin special, dhe kufizoi komunikimin në rajon.

Me këtë masë, tha ai, qeveria e New Delhi-t “zyrtarizoi okupimin në rajon”.

Sipas Khan, India ligjërisht nuk ka të drejtë t’i heqë statusin special Xhamu Kashmirit.

“India dëshiron t’i heq Xhamu Kashmirit statusin special duke bërë ndryshime në nenin 370 dhe klauzolën A të nenit 370 të kushtetutës së saj, por rajoni nuk ka ndonjë status të veçantë. Kjo është një zonë e kontestuar, një vend i okupuar”, shtoi ai.

Khan rikujtoi që nga viti 1947, kur India dhe Pakistani fituan pavarësinë e tyre nga Britania, administrata e New Delhi-t kishte joshur ose detyruar autoritetet autonome të rajonit, i cili ishte një principatë e pavarur në atë kohë, dhe kishte rimarrë autonominë e tij.

“Në vitin 1947, India fillimisht detyroi Maharaxhën (princ) e Kashmirit për të nënshkruar një instrument të rremë të bashkimit. Pandit Jawahar Lal Nehru, kryeministri i atëhershëm i Indisë, mori mbështetjen e Shejh Mohammad Abdullah, i cili asokohe ishte udhëheqësi më i popullarizuar i Kashmirit. Në këtë mënyrë, lindi një aleancë midis lojalistëve të Indisë dhe elitës indiane. Ky është pakti që u prish sot. Ndërkaq, sa i përket popullit të Kashmirit, realiteti është se ata janë nën pushtim tashmë 72 vjet”, shprehet Khan.

“India zyrtarizoi pushtimin”

Khan më tej tha se India përdori kartën e autonomisë për ta legjitimuar në arenën ndërkombëtare pushtimin në rajon.

“Këtë herë, India zyrtarizoi pushtimin e saj. Më parë, ata e mashtruan botën se shteti i Xhamu Kashmirit është autonom. Tani ata i kanë tërhequr të gjitha privilegjet që ua kishin dhënë banorëve të Kashmirit me kushtetutë”, theksoi Khan, duke shtuar se nga ana tjetër, qeveria idniane ka rritur presionet ndaj popullatës në këtë rajon.

Ai thotë se shkeljet e të drejtave të njeriut dhe përdorimi i ngacmimeve seksuale dhe përdhunimit si instrumente lufte, arrestimi i fëmijëve duke i ndarë nga familjet dhe vendosja e popullatës indiane në vendbanime ilegale për t’i shndërruar muslimanët në pakicë, tregojnë se bëhet fjalë për një spastrim etnik në rajon.

“Kërcënimi për luftë bërthamore nuk është shantazh”

I pyetur se si i vlerëson komentet e disa qarqeve të cilat paralajmërimet se tensionet në rajon mund të shndërrohen në luftë bërthamore i kanë cilësuar si “shantazh bërthamor”, Khan tha:

“Kërcënimi për luftë bërthamore nuk është shantazh. Ne i flasim realitetet në rajon. Ne përpiqemi ta informojmë botën për këto zhvillime serioze dhe deklaratat provokative të Indisë, por përkrahësit e luftës në kabinetin indian, ku, fatkeqësisht, bën pjesë edhe kryeministri, i bëjnë këto kërcënime”, shprehet Khan, duke shtuar se Pakistani bën të gjitha përpjekjet për ta informuar komunitetin ndërkombëtar për synimet e Indisë.

“Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ndërhyn dhe nuk nis procesin apo proceset politike dhe diplomatike, atëherë populli i Azad Kashmirit dhe populli i Pakistanit do të ngelin të detyruar të luftojnë për të mbrojtur territoret dhe popujt e tyre”, theksoi për AA presidenti i Kashmirit pakistanez Sardar Masood Khan.

Më 5 gusht, India rrëzoi dispozitat e veçanta të dhëna për rajonin e diskutueshëm sipas kushtetutës.

Dispozitat lejonin që Xhamu Kashmiri të miratonte ligjet e veta dhe të mbronte ligjin e shtetësisë së rajonit, i cili ndalonte të huajt që të vendoseshin ose të zotëronin tokë.