Një këshillë e bukur, për bamirësinë ndaj prindërve, pas vdekjes së tyre

3956

Kur e kujtoni prindin tuaj pas vdekjes së tij, kujtonie se me vdekjen e prindërve tuaj, ju po filloni një bamirësi të re, e cila është bamirësia pas vdekjes. Dhe kjo është një nga bamirësitë më të sinqerta, sepse bamirësia gjatë jetës mund të jetë nga kurtuazia (mirësjellja), gjithashtu mund të jetë edhe formale, siç mund të jetë edhe për shkak të lavdërimit të babait ose nënës. Por pas vdekjes së babait dhe nënës, nuk ju dëgjon dhe nuk ju sheh askush përveç Allahut. Prandaj, bamirësia më e sinqertë dhe më e pastër është bamirësia pas vdekjes.

Së dyti: Për shkak të nevojës së madhe të prindërve tuaj, sepse atëherë prindërit tuaj kanë nevojë shumë më të madhe për bamirësi sesa bamirësia gjatë jetës së tyre. Sepse bamirësia gjatë jetës është bamirësi për realizimin e interesave të kësaj bote, por kur ata të dy vdesin dhe largohen nga kjo botë (kanë nevojë për mëshirë), se ata janë në varr, për të cilin askush përveç Allahut nuk e di se si është në të. Andaj, vetëm një sadakë nga ju dhe lutja, që Allahu t’i mëshirojë, për ta ka shumë rëndësi. Ka shumë prindër që janë në errësirën e varrit, dhe Allahu ua ndriçon varrin nga mirësia e Tij, pastaj edhe për shkak të lutjes së fëmijëve të tyre për ta.

Ne kurrë nuk duhet të harrojmë se – me caktimin e Allahut të Lartësuar – ata sa shumë na kanë bërë neve bamirësi, na kanë edukuar, na kanë rritur, na kanë ushqyer, na kanë dhënë për të pirë, na kanë mësuar, na kanë orientuar, na kanë udhëzuar dhe sa shumë na kanë dashur!!!

Pavarësisht, se edhe nëse ndonjëherë prindërit tanë kanë mundur të na i mohojnë të drejtat tona, vetëm Allahu i Lartësuar e di sasinë e dashurisë së tyre për neve, dhe është e pa pranueshme të harrohet bamirësia e atyre dyve.

Ai që i përmbush obligimet e veta ndaj prindërve të tij, atë do ta dojë Allahu, sepse Allahu e do bamirësinë dhe i do bamirësit. Prandaj, le të përpiqemi të bëhemi fëmija më i mirë i prindërve tanë pas vdekjes së tyre. Le të përpiqemi sinqerisht, le t’i kujtojmë prindërit tanë në bamirësinë e tyre, sepse ndoshta prindi ynë ka vdekur dhe na ka lënë të mira të kësaj dhe asaj bote; pasuri dhe hajrate të ndryshme. Nuk na ka lënë të varfër në këtë botë, na ka lënë me reputacion të mirë dhe na ka lënë shumë të mira.

Pasha Allahun, e gjithë dynjaja nuk duhet të jetë më e dashur për neve sesa ata. Me pasurinë e tyre, ne do ta fshijmë lotin e jetimit, do t’ua forcojmë zemrat e atyre që kanë vështirësi, dhe do ta presim shpërblimin nga Zoti ynë.

Le të bëjmë sa më shumë sadaka të fshehta, le të ndajmë sadakë për prindërit tanë në errësirën e thellë të natës, le të bëjmë lutje në sexhdet tona, dhe le ta shfrytëzojmë devotshmërinë tonë ndaj Zotit tonë në momentet kur lutja pranohet, në mes të ezanit dhe ikametit.

Mos t’i harrojmë prindërit tanë, sepse ata tani në varr janë më të nevojshmit që mund të jenë, le të afrohemi tek Allahu me këtë dynja, në të cilën ata aq gjatë kanë bërë bamirësi për neve. Porosia ose amaneti i prindit nuk harrohet, andaj ju këshilloj që mos t’i harrojmë prindërit tanë.

Njëri nga paraardhësit tanë të mirë, ka thënë: “Kush e fal namazin, e pastaj bën lutje për prindërit e tij, ai e ka falënderuar Allahun dhe i ka falënderuar edhe prindërit.”

Kush fal namaz dhe nuk i harron prindërit e tij në lutjet e namazit të tij, ai me atë namaz e ka falënderuar Allahun e Plotfuqishëm, kurse me lutjen e tij i ka falënderuar prindërit duke u lutur për ta. Me këto lutje, duhet t’i përkushtohemi Zotit tonë, le t’i lutemi dhe le të kërkojmë mëshirë prej Tij, sepse Ai është më i mëshirshmi.

Ne kemi lexuar në Librin e Zotit tonë dhe në Sunetin e Pejgamberit të Tij (savs), se Allahu është i mëshirshëm ndaj krijesave të Tij, andaj, le të themi: “O Zoti im, o Ti që je më i mëshirshmi! Ki mëshirë për prindërit e mi!”

Sepse, pikërisht, këtë lutje na e ka mësuar Allahu, në Kuran duke thënë: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë edukuar kur isha unë i vogël!” (el-Isra` 24).

/Shejh Muhamed Muhtar Shenkiti/;

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)