A lejon Islami kremtimin e vitit të ri?

1535

Vëllezër e motra në Islam!

Hutben e sotme e kam titulluar: “A lejon Islami kremtimin e vitit të ri?”

Këtë temë -in sha Allahu – do ta trajtojmë në bazë të ajeteve kuranore dhe haditheve të Pejgamberit (savs), të cilat tërthorazi e zgjidhin edhe këtë çështje. Jam i vetëdijshëm se kjo hutbe do të jetë objekt i kritikave pozitive dhe negative, kurse unë nuk dëshiroj asgjë tjetër, vetëm që Allahu i Plotfuqishëm të jetë i kënaqur, dhe që në Ditën e gjykimit të mund të them, se e kam tërhequr vërejtjen, sepse tërheqja e vërejtjes u bën dobi atyre që janë të pajisur me mendje.

Krijuesi i botëve në pjesën e parë të ajetit 36 të sures et-Tevbe, duke folur për kohën thotë:

“Te Allahu numri i muajve është 12 (sipas hënës), ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre 4 janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (4 muaj). “ (et-Tevbe, 36)

Sipas ajetit të cituar, dispozita e Allahut të Plotfuqishëm, që nga dita e krijimit të qiejve dhe Tokës, është që koha të llogaritet me 12 muaj, në mesin e të cilëve 4 janë të shenjtë: dhul-kade, dhul-hixhxhe, muharrem dhe rexheb. Në ata 4 muaj është e ndaluar lufta, përveç në vetëmbrojtje, në ta besimtarët duhet të kenë ibadet të shtuar dhe nuk guxojnë të gabojnë e ta nxisin zemërimin e Allahut të Plotfuqishëm.

Në ajetin 189 të sures el-Bekare, Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“Të pyesin ty për hënën e re (dhe fazat e saj) Thuaj: “Ato janë përcaktime të kohës për njerëz dhe për haxh. Nuk është mirësi të hyni nga mbrapa në shtëpitë por është mirësi kush ruhet (nga të këqijat). Në shtëpitë hyni kah dyert e tyre dhe kini frikë Allahun që ashtu të gjeni shpëtim.” (el-Bekare, 189)

Hënat e reja janë mënyra më e mirë e llogaritjes së kohës sepse ato japin konfirmimin vizual të kohës, dhe sipas tyre shënohet dalja prej muajit të vjetër në muajin e ri. Pamja e hënës së re, në periudhat e mëhershme është bërë me sy të thjeshtë, ndërsa në kohën bashkëkohore, me përparimin e shkencës është e mundur të paracaktohet paraqitja e hënës së re dhe të përcillet me mjete të ndryshme. Për këtë arsye, çuditemi se si në disa vende, ende e kemi praktikën që për konfirmimin e paraqitjes së hënës së re të priten deklaratat e individëve, dhe sipas dëshmisë së tyre të caktohen dhe shpallen publikisht…

Vëllezër e motra!

Njerëzit më të këqij janë ata që Allahu i ka shpërblyer me jetë të gjatë, kurse ata, në atë jetë të tyre, bëjnë mëkate dhe nxisin zemërimin e Allahut të Plotfuqishëm. Për të mos qenë edhe ne në atë kategori, le ta kalojmë jetën tonë në nënshtrim të sinqertë ndaj Allahut dhe në përgatitje për Ditën e dhënies së llogarisë, duke i përmbushur obligimet tona: ndaj Allahut, ndaj prindërve, ndaj vetvetes, ndaj familjes, ndaj farefisit, ndaj mbarë muslimanëve, ndaj atdheut dhe ndaj të gjithë njerëzve. Veçanërisht le të kemi kujdes ndaj pasardhësve tonë, sepse për ta do të pyetemi në Ditën e gjykimit! Duhet të kemi parasysh, se pjesët e trupit të disa njerëzve në Ditën e gjykimit, do të bëhen kundërshtarë të tyre dhe do të dëshmojnë kundër tyre, në Ditën kur goja do të jetë e mbyllur, ndërsa në vend të saj, me dëshirën e Allahut, do të flasin pjesët e trupit.

Në shekullin e kaluar, muslimanët e Jugosllavisë Komuniste, krahas shumë festave joislame, e kanë kremtuar dhe tash edhe më shumë e kremtojnë Vitin e ri. Kremtimi i tij është imponuar nëpër shkolla, në organizata punuese dhe në të gjitha segmentet e shoqërisë. Në atë kohë, kremtimi i bajramit ka qenë i ndaluar, përveç në kuadër të xhamive dhe shtëpive familjare. Muslimanët, që punonin në organizata punuese kanë pasur telashe të mëdha, pse e kanë falë bajramin ose pse kanë therur kurban…

Falënderojmë Allahun, ajo kohë tash është pas nesh, mirëpo nga ajo kohë kanë mbetur disa zakone joislame, të cilat janë bërë pjesë e jetës dhe të cilat një numër i madh i muslimanëve po i praktikon.

Vëllezër e motra!

Nata e Vitit të ri në zhargonin popullor po theksohet si nata më e çmendur dhe nata në të cilën shijohen harame të ndryshme. Në atë natë shumë të rijnë e të reja për herë të parë në jetë bëjnë prostitucion (zina). Kjo është nata në të cilën përdoret sasi e madhe e mjeteve piroteknike, madje edhe e municionit. Në këtë natë disa qytetar tonë gjuajnë më tepër se që kanë gjuajtur në mbrojtje të atdheut. Në këtë natë janë përplot restorantet dhe klubet e natës dhe në këtë natë, shejtani mbretëron, fort i lumtur që e pasojnë apo edhe ia tejkalojnë shejtanët nga njerëzit…

Viti i ri. në vend të parë është festë krishtere, por edhe internacionale të cilën në mënyrë të barabartë po e shënojnë si jomuslimanët, ashtu edhe muslimanët në mbarë botën …

Ne muslimanët i kemi dy bajrame, si festa fetare të cilat mund t’i kremtojmë në kuadër të dispozitave islame. Për këtë flitet në transmetimin vijues:

Transmeton Enesi (r.a.), i cili thotë: “Kur erdhi Pejgamberi (savs) në Medine, i gjeti sahabët duke u argëtuar në dy ditë, andaj i pyeti: “Cilat janë këto dy ditë?” Thanë: “Ne i kemi kremtuar këto dy ditë edhe në xhahilijet.” Meqë rast Pejgamberi (savs) tha: “Allahu ua ka zëvendësuar me dy ditë më të mira se ato: me bajramin e kurbanit dhe bajramin e ramazanit.” (Ebu Davud)

Besimtarët për asnjë moment nuk guxojnë ta humbin lidhjen me Krijuesin e tyre dhe ata edhe kur gëzohen, këtë duhet ta bëjnë brenda kufijve të së lejuarës.

Pejgamberi (savs) ka thënë: ”Kush e imiton dhe i përngjan një populli, ai atij i takon.” (Ebu Davudi)

Abdullah ibn Amri (r.a.), ka thënë: “Kush e ndërton shtëpinë në një vend idhujtar (duke pasur edhe zgjidhje tjetër), kush i shënon festat e tyre, i kremton ato dhe i imiton ata deri në vdekje, do të ringjallet bashkë me ta në Ditën e gjykimit.”

Allahu i Plotfuqishëm dhe Pejgamberi (savs), në Islam na e premtojnë krenarinë. Kurse Omer ibn el-Hattabi (r.a.) ka thënë: “Ne jemi një popull të cilin Allahu e ka lartësuar me Islam, dhe saherë që të kërkojmë krenari në diçka tjetër, Allahu do të na poshtëroj.”

Njëherë Hasan el-Basriu është pyetur për ajetin kuranor:

“…وَ لِلَّهِ الْعِزَّةُ وَ لِرَسُولِهِ وَ لِلْمُؤْمِنِينَ…”

“…E tërë krenaria i takon Allahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve.” (el-Munafikun, 8)

Ata i thanë atij (H. Basriut): “Muslimanët sot janë të poshtëruar, pa të drejta dhe ju bëhet zullum, andaj ku është ajo krenari?” Ai ju përgjigjet: “Mos pyetni ku është krenaria, por pyetni ku janë besimtarët, ku janë muminët, sepse kur të ketë besimtarë, Allahu do tu jep krenari!”

Vëllezër e motra!

Mos të lejojmë që shejtani i mallkuar të na mashtrojë, pasi që kemi dëshmuar se jemi muslimanë!

Mos ta kremtojmë Vitin e ri, por ta kuptojmë vetëm si mekanizëm të llogaritjes së kohës! Kështu të veprojmë: ne, familjet tona, farefisi, fqinjët dhe miqtë tanë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre, çliroje umetin nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë, mos lejo që asnjëherë të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët, dhe na shpërble me xhenet në shoqëri me pejgamberët, shehidët dhe me njerëzit e mirë!

وَ السَّلَامُ عَلَيْكُمْ وَ رَحْمَةُ اللهِ!

Përkthim dhe përshtatje: Miftar Ajdini

Hatib: Nezim Halilović Muderris.