Këshillat e Ibrahimit babait të tij

868

Duke qenë se Ibrahimi (a.s.) ishte i butë për nga natyra, ai ashtu veproi edhe gjatë thirrjes së tij. Në veçanti, me babanë e tij. Kur e thirri në Islam, ai nuk i tha: “O baba, ti je injorant, ti i adhuron statujat, kurse unë jam dijetar” , por i tha: “O babai im, mua më ka ardhur një pjesë e dijenisë, që të ka munguar ty; andaj më paso mua dhe unë do të udhëzoj në rrugën e drejtë.” (Merjem, 43)

Ky ajet përmban një etikë dhe edukim të mrekullueshëm. Më në fund, përveç të gjitha paralajmërimeve, ai i thotë: “O babai im, unë kam frikë se mos do të të vijë dënimi nga Mëshiruesi, e do të bëhesh shok i djallit.” (Merjem, 45)  Ibrahimi (a.s.), nuk i tha babait të tij: “Kam frikë për ty nga dënimi nga i Plotfuqishmi, por nga Mëshiruesi.”

Dhe ai nuk i tha babait të tij që ti do të hysh në zjarr, por ai e përdori fjalën Mëshiruesi, për ta bërë më të lehtë për babain.

Edhe ne mund të mësojmë nga Ibrahimi (a.s.), që në një mënyrë të mrekullueshme të ftojmë për tek Allahu i Plotfuqishëm.

Edhe pse babai i Ibrahimit nuk e pranoi ftesën e djalit të tij, ai përsëri i tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të falë ty. Me të vërtetë, Ai (Allahu), është i mirë ndaj meje (pa masë).” (Merjem, 47) 

Duhet të mësojmë nga Ibrahimi (a.s.), sesi t’i respektojmë prindërit tanë, edhe nëse janë jobesimtarë.

Kur Ibrahimi (a.s.), veproi kështu me babanë e tij dhe ishte i durueshëm me të, edhe pse ai ishte jobesimtar, imagjinoni sesi duhet ne t’i trajtojmë prindërit tanë që janë besimtarë.

Përkthim: Miftar Ajdini