Kur vdes njeriu i ndërpriten veprat e tij, me përjashtimi në tre raste

6138

Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë:

“Kur vdes njeriu, ndërpriten veprat e tij, përveç në tre raste: sadaka e vazhdueshme, dituria të cilën e lë pas, që të tjerët të përfitojnë prej saj, dhe fëmija i edukuar mirë, i cili do të lutet për të.” (Muslimi)

Komentimi:

Dijetarët thonë se ky hadith tregon sesi ndërpriten veprat e njeriut me vdekjen, d.m.th. i ndërpritet shkrimi i sevapeve për veprat që ka bërë, përveç në këto tre raste: (1) sadaka e vazhdueshme, d.m.th. vakëfi, (2) dituria e cila ka mbetur pas tij, që të tjerët të mësojnë dhe të përfitojnë prej saj, dhe (3) fëmija i edukuar mirë i cili bën lutje për prindërit e tij të ndjerë.

Në këtë hadith, Pejgamberi (savs), na informon për ekzistimin e tri veprave, për shkakun e të cilave, njeriut i shkojnë sevapet edhe pas vdekjes.

Ka shumë njerëz që duan t’i ndihmojnë prindërit e tyre ose ndonjërit nga të afërmit pas vdekjes së tyre, kështu që kjo është mundësia e vetme që ta bëjnë këtë përmes veprave të përmendura në hadith – shpërblimi për këtë me siguri do t’i shkojë të vdekurit.

– Sadaka e vazhdueshme, janë format e ndryshme të vakëfit, siç janë: ndërtimi i xhamive, shkollave dhe institucioneve të tjera arsimore, spitaleve, jetimoreve, urave, ujësjellësit, banjave publike dhe të ngjashme.

– Dituria nga e cila do të përfitojnë të tjerët, është një dituri e dobishme, e cila është në përputhje me dispozitat e Allahut të Plotfuqishëm. Këtu përfshihet mësimi i nxënësve (studentëve) dhe brezit të ri, shkrimi ose përkthimi i ndonjë libri të dobishëm dhe të ngjashme.

– Fëmija i mirë, është një fëmijë, i cili është besimtar dhe i cili bën lutje për prindërit – posaçërisht pas faljes së namazit, jep sadakë për shpirtin e tyre, e kryen haxhillëkun për ta nëse ata nuk e kanë kryer, dhe bën vepra të mira të ngjashme, për të cilat prindërit e tij do të shpërblehen edhe pas vdekjes së tyre.

Mesazhet e këtij hadithi

Në këtë hadith kemi argumente për rregullsinë e themelimit të vakëfit dhe shpërblimin e tij të madh.

Hadithi sqaron vlerën e mësimit të diturive dhe inkurajimin e shpërndarjes së asaj diturie tek të tjerët, kurse ne duhet ta zgjedhim atë dituri, e cila do të na sjellë dobi edhe neve edhe të tjerëve.

Në hadith sqarohet se shpërblimi për lutje dhe për vepra tjera të mira, të cilat bëhen për shpirt të të vdekurit, ato i shkojnë atij. Këtu, gjithashtu, përfshihet sadaka, pastaj shlyerja e borxhit të të vdekurit ose kryerja e haxhillëkut – nëse ai ka qenë në gjendje ta kryente, por nuk e ka bërë këtë gjatë jetës së tij.

Sa i përket leximit të Kuranit dhe dhurimit të sevapeve prej tij për të vdekurin, shumica e dijetarëve këtë e konsiderojnë të lejueshme (xhaiz). Ata thonë se shpërblimi nga ai lexim i shkon të vdekurit, me kusht që të mos merret kompensim për leximin. Nëse ndodh që të merret kompensim për lexim, nuk do të ketë shpërblim, por Allahu e di më mirë.

Këshilla më e mirë është që njeriu të bëjë lutje për prindërit e tij personalisht ose të lexojë nga Kurani atë që është më e lehtë, dhe pastaj të bëjë lutje në cilëndo gjuhë.

Gjithashtu nga gjërat që fëmijët mund t’i bëjnë për prindërit pas vdekjes së tyre është ajo që përmendet në një hadith nga Ebu Usejdi (r.a.), i cili thotë:

“Ne ishim me Pejgamberin (savs), dhe një njeri e pyeti: ‘O i Dërguari i Allahut, a kam ndonjë mundësi të bëj vepër të mirë për prindërit e mi pas vdekjes së tyre?’ Pejgamberi (savs), tha: ‘Po, ekzistojnë 4 gjëra, e ato janë:

(1) të bësh lutje për ta (të kërkosh falje nga Allahu për ta),

(2) ta kryesh porosinë e tyre,

(3) t’i trajtosh miqtë e tyre bukur, dhe

(4) të mbash lidhjet farefisnore, të cilat vetëm përmes tyre mund të mbahen.”

Bejhekiu në transmetimin e tij shton më tej se ky sahabij ka thënë: “Sa e bukur dhe me bereqet qenka kjo, o i Dërguari i Allahut!”Meqë rast Pejgamberi (savs), tha: “Bëje atë, sepse ajo, me të vërtetë, do të arrij tek ata, domethënë, sevapi i atyre veprave.” (Ebu Davudi, Ibn Maxhe, Buhariu)

Përkthim: Miftar Ajdini

“40 Hadithe të zgjedhura”; Fuad Sedić; Akos.ba

(Islampress)