Mos rrezikoni duke i vonuar veprat e mira, sepse vdekja vërtetë është afër

1715

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është: “Mos rrezikoni duke i vonuar veprat e  mira,
sepse vdekja vërtetë është afër”

Është fascinante t’i vëzhgosh muslimanët, të cilët me aq trimëri dhe guxim flasin, sesi një ditë do të kthehet në Rrugën e drejtë, dhe do të fillojnë t’i përmbushin detyrat e Islamit dhe do të vazhdojnë me ibadete. Këtë e thonë me aq siguri, sikur po e dinë të fshehtën (gajbin), dhe sikur janë të njoftuar për datën, vendin dhe kohën e vdekjes së tyre. Ata dalldisen në tregimet e tyre dhe aq shumë energji shpenzojnë për tu arsyetuar para të gjithëve përreth vetes për veprimet e veta, për të cilat janë të vetëdijshëm se i çojnë në zjarr të xhehenemit.

Arsyetohen para të tjerëve dhe e gënjejnë veten e tyre, sikur kanë harruar se Allahu i Plotfuqishëm i di të gjitha të fshehtat, dhe se çdo ditë ndërrohen ditë e natë melekët, të cilët i regjistrojnë veprat e tyre të mira dhe të këqija. A e bëjnë ata ndonjëherë këtë pyetje: “Çka ka regjistruar, në këtë ditë, meleku im nga e djathta, në Librin tim të veprave të mira, dhe çka ka regjistruar ai nga e majta në Librin e veprave të këqija?”

Kurse neve Allahu i Plotfuqishëm, me arsye na paralajmëron: “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për në një xhenet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e Tokës, i përgatitur për të devotshmit.” (Alu Imran, 133)

Vëllezër të dashur!

Shumë shpesh ne jemi në shoqëri me motrat të cilat kanë cilësi të mira, përpiqen ta rrisin imanin e tyre dhe ta rëndojnë peshoren e veprave të mira, por kur flasin për veshjen islame (hixhabin), vetveten e arsyetojnë (sepse janë të vetëdijshme se janë gabim), duke kërkuar të gjitha llojet e arsyetimeve, në mënyrë që hixhabin ta vonojnë sa më shumë, mundësisht ta veshin pak para vdekjes, dhe nuk janë fare të vetëdijshme, se ndoshta pikërisht, ky është momenti para vdekjes së tyre. Ndoshta, pikërisht në këtë moment, meleku i vdekjes është nisur në drejtim të saj për t’ia marrë shpirtin, dhe pendimi pranohet, derisa shpirti të vjen në fyt! Dhe, si është ajo aq e sigurt, se momenti tjetër, nuk është ai, në të cilin shpirti i saj do të vijë deri në fyt?!

Vëllezërit arsyetohen se kur ta përfundojnë fakultetin dhe të gjejnë punë, pastaj të bëhen të pavarur dhe të ndahen nga prindërit e tyre, do të vendosin për veten e tyre, dhe do t’i kthehen plotësisht Allahut. Imagjinojnë sesi do të gjejnë një grua të hajrit dhe me të do t’i praktikojnë detyrat islame, por ata harrojnë se ndoshta kurrë nuk do ta presin ditën kur do ta përfundojnë fakultetin, të punësohen dhe t’i përmbushin ëndrrat e tyre, kurse Allahu i don më shumë të rinjtë, të cilën janë të përulur dhe të devotshëm. Prej nga gjithë kjo trimëri dhe bindje, se ka ende kohë për të bërë vepra të mira, kur Pejgamberi (savs), na ka njoftuar, duke thënë: “Me të vërtetë, secili nga ne xhenetin e ka më afër sesa lidhësen e këpucëve të tij, por edhe xhehenemin gjithashtu.” (Buhariu)

Ai gjithashtu ka thënë: “Dy begati të Allahut janë të pashfrytëzuara nga shumica e njerëzve: shëndeti dhe koha e lirë.”

Kjo është arsyeja, pse ne duhet të nxitojmë me bamirësi, sepse nuk dimë se çka na pret nesër. Duhet ta marrim shembull Pejgamberin (savs) dhe paraardhësit tanë besimdrejtë, të cilët shumë janë frikësuar që të mos ju mbetet pa dhënë zekati, apo sadaka, apo ndonjë vepër tjetër e mirë, të cilën kanë mundur ta bëjnë.

Besimtarë të nderuar!

Le ta shikojmë shembullin e njeriut më të zgjedhur që ka lindur ndonjëherë. Transmetohet nga Ukbe ibn el-Harith (r.a.) se ka thënë: “E kam falur ikindinë pas Pejgamberit (savs) në Medine, dhe pasi dha selam u ngrit me nxitim, dhe përmes njerëzve shkoi në dhomën e njërës prej grave të tij. Njerëzit u frikësuan për ngutjen e tij. Pasiqë ai doli, u vërejt se njerëzit u habitën për nxitimin e tij, dhe kur u kthye, tha: “Mu kujtua se kam diçka prej ari në shtëpi, dhe nuk desha të jem i preokupuar me të, andaj nxitova që ta urdhëroj ndarjen e tij.” (Buhariu)

Subhanallah, të përpiqemi ta imagjinojmë ku janë atëherë këta muslimanë trima, të cilët po e vonojnë namazin, agjërimin, zekatin, hixhabin dhe detyrat e obligimet tjera islame, në krahasim me atë të cilit i janë falur të gjitha mëkatet e tij të kaluara dhe të ardhme?! Pejgamberi (savs) është ngutur që ta ndajë atë sasi të vogël ari që i ka ndodhur në shtëpi, pa e vonuar, kurse disa nga vëllezërit dhe motrat tona, që jetojnë në neglizhencë, thonë se kanë ende kohë për tu penduar dhe për të bërë vepra të mira!

Ka thënë i dashuri i Allahut, Pejgamberi (savs): “Nxitoni me vepra të mira që t’i tejkaloni shtatë gjëra! A mos po prisni ndonjë gjë tjetër përveçse:

(1) Varfërinë e madhe, ose

(2) pasurinë mashtruese, ose

(3) sëmundjen vdekjeprurëse, ose

(4) pleqërinë shkatërruese, ose

(5) vdekjen befasuese, ose

(6) Dexhallin e mallkuar – që është më i tmerrshmi prej atyre që prisni, ose

(7) Ditën e Kiametit – e cila është edhe më e  vështirë dhe më e keqe.” (Tirmidhiu)

Me të vërtetë është ashtu, andaj nuk guxojmë t’i lejojmë vetvetes që ta humbim asnjë moment në këtë botë kalimtare, dhe duhet t’i rrisim veprat tona të mira pa vonesë, para se të arrijnë 7 gjërat e përmendura më lart. Dhe secila prej tyre është shumë, shumë afër!!!

O Zot, na forco neve në rrugën e Islamit! Ndihmoju vëllezërve tanë në Siri, Palestinë, dhe në çdo vend tjetër ku janë të kërcënuara të drejtat e muslimanëve dhe jepu atyre fitore të shpejtë!

Na bëj neve udhëheqës të umetit në devotshmëri, në bujari, në guxim, në modesti e përulësi!

Udhëzoji fëmijët tanë dhe pasardhësit dhe bëri ata gëzimi i syve dhe zemrave tona!

Na mëshiro në Ditën e Gjykimit dhe na ndero me xhenet në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me njerëzit e mirë!

Përshtati: Miftar Ajdini