Shejtanët i thanë iblisit: „o udhëheqësi ynë, pse gëzohesh më shumë kur vdes një dijetar sesa një i devotshëm?!“

959

Dijetari islam (ai që i kupton dhe zbaton rregullat fetare) është më i mirë dhe më i vlefshëm sesa një i devotshëm që nuk është dijetar. Ibnul-Kajjim el-Xhevzij, ka regjistruar një transmetim nga Ebu Hurejre (r.a.), në të cilin ky sahabij fisnik, ka thënë:
“Fakihu – juristi islam apo dijetari islam, është më i vështirë për shejtanin sesa njëmijë të devotshëm.” (Miftah Darus-sea’de, I / 267)

Thotë Ibnul-Kajjimi: “Dijetari islam (alimi) ia prish dhe shkatërron shejtanit atë që ai e ndërton. Saherë që shejtani përpiqet ta ringjallë ndonjë risi (në fe) dhe ta largojë një sunet, dijetari bëhet pengesë mes atij dhe përpjekjes së tij. Prandaj, nuk ka asgjë më të keqe dhe më të vështirë për shejtanin sesa ekzistenca dhe prania e dijetarëve islamë në mesin e muslimanëve, dhe, asgjë nuk ka për të, më të dashur sesa vdekja dhe zhdukja e dijetarëve, sepse kjo është një mundësi për të, që ta prishë fenë dhe t’i mashtrojë njerëzit. Sa i përket të devotshmit, qëllimi i tij përfundimtar është që të luftojë në mënyrë që ta ruajë veten nga shejtani.” (Miftah Darus-sea’de, I / 269)
Në të njëjtën vepër, Ibnul-Kajjimi ka regjistruar një transmetim, përkatësisht, një tregim, në të cilin theksohen ndryshimet midis dijetarit dhe të devotshmit (alim dhe abid).

Ibnul-Kajjim el-Xhevzij thotë: “Ka thënë El-Muzeni: Transmetohet nga Ibn Abasi (r.a.), se ka thënë: ‘Shejtanët i thanë Iblisit: – O udhëheqësi ynë, pse gëzohesh më shumë kur vdes një dijetar (alim) sesa kur vdes një i devotshëm (abid)?
Ai u tha atyre: Ejani me mua!’ Dhe ata shkuan te një i devotshëm, i cili ishte dhënë pas ibadetit, dhe i kërkuan leje atij për t’i bërë disa pyetje, dhe ai u tha atyre: Pyetni çka të dëshironi!’
Iblisi e pyeti: A mund ta krijojë Zoti yt tërë botën në një lëvozhgë veze?
I devotshmi u përgjigj: Unë nuk e di!
Pas kësaj, Iblisi u tha ndjekësve të tij: A nuk po e shihni se ky njeri me përgjigjen e tij bëri mosbesim (kufër)?

Pastaj ata shkuan te një dijetar, i cili ishte ulur në një tubim shkencor me studentët e tij dhe ishte duke bërë shaka me ta.
Ata (shejtanët) i thanë atij: Ne duam t’ju pyesim diçka.
Dijetari u tha: Pyetni çka të dëshironi!
Iblisi e pyeti: A mund ta krijojë Zoti yt tërë botën në një lëvozhgë veze?
Dijetari u përgjigj: Po, mundet.
Iblisi e pyeti: Si kështu?
Dijetari i tha: Kur Ai dëshiron diçka, Ai vetëm thotë: Bëhu! – dhe ajo bëhet.
Atëherë Iblisi u tha shejtanëve të tjerë: A e shikuat, ai i devotshmi nuk ishte në gjendje ta shpëtojë veten e tij, kurse ky dijetari na prish punën tonë tek shumë njerëz.
Ky tregim transmetohet edhe në një version tjetër. Konkretisht, transmetohet se shejtanët e pyetën të devotshmin: A mundet që Allahu të krijojë dikë të ngjashëm me Veten?
I devotshmi u përgjigj: Unë nuk e di.
Atëherë Iblisi u tha shejtanëve: “A e shihni, atij nuk i bën dobi ibadeti i tij ndaj injorancës.
Pastaj ata e pyetën dijetarin të njëjtën gjë, dhe ai ju përgjigj atyre: Pyetja juaj është e pakuptimtë dhe e palogjikshme, sepse nëse Allahu krijon diçka të tillë, atëherë ajo do të ishte krijesë, dhe të qenët krijesë dhe të qenët e ngjashme me Allahun, kjo është e pamundur. Nëse është krijesë, atëherë nuk mund të jetë e ngjashme me Allahun, sepse Allahu është Krijuesi.”

Merrni pasuri, e cila nuk do të përmbytet kur të prishet anija

Ibnul-Kajjimi, në librin e lartpërmendur (Miftah Darus-sea’de, I / 361), ka regjistruar edhe një tregim tjetër për vlerën e diturisë. Ai ka thënë:
“Transmetohet nga një dijetar, se ai kishte udhëtuar me një anije me tregtarë të pasur. Më pas anija e tyre ishte thyer, dhe, ata pas një jete luksoze në bollëk, ishin shndërruar në të varfër të poshtëruar. Pas pak, ata arritën në një vend ku njerëzit me respekt të veçantë e mirëpritën dhe e gostiten këtë dijetar. Kur tregtarët dëshironin të ktheheshin në qytetin e tyre, ata e pyetën dijetarin: A dëshiron t’i dërgosh familjes tënde ndonjë letër ose ndonjë mesazh?
Ai ju tha atyre: Natyrisht! Thoni atyre: Nëse doni të merrni pasuri, atëherë merrni pasuri e cila nuk do të përmbyten kur të prishet anija. Merrni dituri, se ajo është pasuria më e mirë tregtare.”

Abdusamed Nasuf Bušatlić
Përkthim: Miftar Ajdini