Kosovë, shënohet 21-vjetori i Masakrës së Reçakut

658

Familjarë të viktimave të “Masakrës së Reçakut”, udhëheqës shtetërorë të Kosovës dhe mysafirë të shumtë nga vendi dhe nga jashtë kanë vizituar kompleksin memorial për të kujtuar viktimat e këtij fshati që u masakruan 21 vite më parë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas homazheve që u bënë në varrezat e viktimave të këtij fshati nga krerë institucional, udhëheqës të partive politike, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarë të shumtë, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime është mbajtur akademi përkujtimore.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po ashtu ishte i pranishëm në këtë akademi, tha se më 15 janar të vitit 1999 në Kosovë ndodhi një krim i madh ku u ekzekutuan 45 shqiptarë, krim i cili, siç tha presidenti, ishte nga më të shëmtuarit “pas Luftës së Dytë Botërore, pas Srebrenicës”.

Sipas Thaçit, Masakra e Reçakut shkaktoi një veprim të paparë në planin kombëtar dhe në rrafshin ndërkombëtar, veçanërisht pas evidentimit të krimit nga ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, i cili sipas presidentit kosovar, “mbajti gjallë sensibilizimin ndërkombëtar për këtë masakër”.

“Ndihma e NATO-s ishte jetike. Kosova u çlirua, e fitoi lirinë. Por, tërheqja e trupave serbe bëri të del në shesh spastrimi etnik dhe masakra në Kosovë, të cilën askush nuk mund ta fshihte, sepse u vranë mbi 13 mijë shqiptarë”, tha Thaçi.

Edhe përkundër vrasjeve, dhunimeve, dëbimeve dhe shtëpive të djegura nga ana e Serbisë në Kosovë, theksoi Thaçi, drejtësia ndërkombëtare, në të cilën populli i Kosovës shpresoi shumë, dështoi. Ai madje shtoi se “heshtja ndërkombëtare ndaj gjenocidit serb në Kosovë” i inkurajoi apo i trimëroi autoritetet e Serbisë ta mohojnë krimin dhe masakrën në Reçak.

Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë tash e disa ditë, në akademinë përkujtimore foli për arsyet përse ka ardhur në Reçak. Ai theksoi se më 16 janar të vitit 1999 u ka premtuar fshatarëve të Reçakut se do të mundohet të vijë çdo vit për të kujtuar viktimat, gjë që ka bërë përgjatë 21 vjetëve të fundit.

Walker tha se është i habitur nga komuniteti ndërkombëtare, pasi sipas tij, nuk është i pranishëm në një ngjarje të tillë si përvjetori i përkujtimit të Masakrës së Reçakut.

“Më është thënë nga ambasadat dhe diplomatët se ata nuk dëshirojnë ta rigjenerojnë historinë e Masakrës së Reçakut, sepse në një mënyrë do ta pengonin procesin e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Sinqerisht këtë nuk e kuptoj, ky nuk është takim ku ne rigjenerojmë urrejtje, unë nuk kam ardhur këtu për t’ju treguar histori të tmerrshme rreth asaj se çfarë ka ndodhur këtu. Unë kërkoj drejtësi për viktimat e dhunës në Kosovë. Vij parimisht ngase besoj se komuniteti ndërkombëtar duhet ta pranojë të vërtetën”, tha Walker.

Meta: Masakrat si e Reçakut nuk duhen harruar

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili gjithashtu mori pjesë në këtë akademi, tha se masakrat si e Reçakut nuk duhen harruar edhe si domosdoshmëri që mos të përsëriten në të ardhmen.

Ai tha se kjo masakër ishte një tragjedi që shokoi botën dhe vuri në veprim diplomacinë botërore duke ndryshuar rrjedhën e historisë. Ai theksoi se “përjetë i jemi mirënjohës ish-ambasadorit i cili i ndodhur në vendin e krimit e përcaktoi atë me tri fjalë – ‘krim kundër njerëzimit’ “.

Në fund të akademisë përkujtimore në Shtëpinë ë Kulturës në Shtime u shfaq një program artistik për të pranishmit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore-ushtarake dhe ato paramilitare serbe vranë dhe masakruan 45 civil shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq, gra dhe fëmijë.