Disa nga ndalimet e Allahut në lidhje me namazin

1818

I Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: „Nuk ka asnjë njeri që bën gabim (mëkat), pastaj ngrihet, merr abedest, fal namaz dhe i lutet Allahut për falje, e që Allahu i Plotfuqishëm të mos e fal.“ (Ebu Davudi, Nesaiu)

1. Lënia e namazit

Është e ndaluar që njeriu ta lë namazin nga përtacia, ndërsa nëse e lë nga bindja se nuk duhet të falet, kjo është edhe më e ashpër.

Pejgamberi (savs) ka thënë: „Kufiri midis nesh dhe jobesimtarëve është namazi, kështu që kush e lë namazin bëhet jobesimtar.“ (Tirmidhiu, Ebu Davudi, Nesaiu, Ibni Maxhe dhe të tjerë. Albani thotë se është hadith sahih)

2. Lënia e xhematit

Është e ndaluar të lihet falja e namazit me xhemat, me qëllim. Pejgamberi (savs) thotë: „Asnjë popull nuk do ta lërë namazin me xhemat, e që Allahu të mos ia vulosë zemrat e tyre, dhe pastaj do t’i bëjë nga të pakujdesshmit.“ (Muslimi)

3. Falja e namazit nafile në tre raste

Është e ndaluar që besimtari të falë namaz nafile:

(1) gjatë lindjes së diellit,

(2) kur dielli është në mes të qiellit, dhe

(3) gjatë perëndimit të diellit.

Ulejj bin Rebah (r.a.) ka thënë: „E kam dëgjuar Ukbete bin Amir el-Xhuheni, kur ka thënë: ‘Në tri kohë Pejgamberi (savs) na ka ndaluar të falemi ose në ato kohë t’i varrosim të vdekurit tanë: (1) kur dielli lind dhe derisa të ngritët, (2) kur dielli është në gjysmën e qiellit derisa të zhvendoset pak largohet nga mesi, dhe (3) kur të fillojë të perëndojë dielli derisa të perëndojë.“ (Muslimi)

Është e ditur në hadithet e Resulullahut (savs) se dielli lind dhe perëndon midis dy brirëve të shejtanit, dmth, shejtani vendoset në atë vend. Popujt e mëparshëm, (por ka edhe sot, të cilët e bëjnë këtë), i kanë bërë ibadet diellit gjatë lindjes dhe gjatë perëndimit të tij. Në fakt, ata i bënin sexhde dhe ibadet shejtanit, i cili vendosej në atë vend. Për këtë arsye, është rreptësisht e ndaluar që në këto kohë të falim namaz nafile.

Disa njerëz këtu bëjnë gabim kur thonë: Unë nuk kam për qëllim t’i bëj sexhde diellit. Këtu nuk është fjala për qëllimin (nijetin), sepse nëse dikush do ta kishte për qëllim këtë, ai do të ishte kafir. Kjo ndalesë reflektohet në imitimin e jobesimtarëve. Ky rregull nuk vlen për nafilen e cila ka ndonjë shkak. Pra, nëse një njeri nuk i ka falë dy rekate synet të sabahut para farzit, atëherë, ai ato do t’i falë pas farzit – por para lindjes së diellit. Po kështu, nëse nuk i ka falë dy rekate namaz sunetit të përforcuar të drekës, ai mund t’i falë ata pas namazit të ikindisë, siç kishte vepruar me një rast Resulullahu (savs). Po ashtu, dy rekatet e namazit tehijetul-mesxhid, dy rekatet pas ezanit, etj. (huazim dhe përkthim nga portali n-um.com)

4. Lënia e nafileve në shtëpi

Na është e ndaluar që mos t’i bëjmë shtëpitë tona varreza, duke mos i falur në ato shtëpi sunetet ose nafilet. Resulullahu (savs) ka thënë se namazi më i vlefshëm i njeriut është ai që e fal në shtëpinë e tij, përveç farzeve. Ka thënë Pejgamberi (savs): „O njerëz, faluni në shtëpitë tuaja, sepse me të vërtetë namazi më i mirë është që njeriu e fal në shtëpinë e tij, përveç farzeve.“ (Muttefekun alejhi)

Gjithashtu, Pejgamberi (savs) ka thënë: “Falni disa nga namazet tuaja në shtëpi. Mos i shndërroni shtëpitë tuaja në varreza.“ (Muttefekun alejhi)

5. Kthimi gjatë namazit në ndonjë drejtim tjetër, jo drejt Kibles

Vlefshmëria e namazit varet edhe nga fakti se është falur personi i kthyer në drejtim të Kibles. Kjo nuk vlen për atë që nuk e di se kah është drejtimi i Kibles, atëherë njeriu do të bëjë çmos për ta gjetur drejtimin e Kibles, dhe, edhe nëse gabon namazi i tij do të jetë i rregullt. Allahu i Plotfuqishëm thotë: „Allahu nuk ngarkon askë përtej mundësive të veta…“ (el-Bekare, 286)

Për detyrimin për tu kthyer në drejtim të Kibles, Allahu i Plotfuqishëm thotë: „Kahdo që të shkosh ktheje fytyrën tënde kah ana e xhamisë së shenjtë..“ (el-Bekare, 149)

6. Lëvizja para imamit në namaz

Është e ndaluar që njeriu të lëviz para imamit i cili i prinë namazit, të shkojë në sexhde, në ruku’ etj. para imamit, madje është e urrejtur të shkohet edhe barabart me imamin. Ka thënë Pejgamberi (savs): “Imami është caktuar që të ndiqet. Prandaj, mos bëni ndryshim prej tij! Kur imami merr tekbir, edhe ju merrni tekbir, kur imami bën ruku’, edhe ju bëni ruku’, kur ai shqipton ‘semi’allahu limen hamideh’, ju thuni: Allahumme rabbena ve lekel-hamd, kur ai e bën sexhden, edhe ju bëjeni sexhden, kurse nëse ai falet ulur, edhe ju uluni.“ (Mutefekun alejhi)

7. Parakalimi i imamit në ruku’ dhe në sexhde

Mbi ndalimin e parakalimit të imamit në ruku’, sexhde, në kijam etj. Pejgamberi (savs) na paralajmëron duke thënë: „O njerëz, unë jam imami i juaj, prandaj mos më parakaloni në ruku’, në sexhde, në kijam as në selam, sepse unë ju shoh juve edhe para meje edhe pas meje… ” (Muslimi)

8. Ngritja e kokës para imamit

Gjithashtu, Pejgamberi (savs) na paralajmëron për parakalimin në namaz duke e ngritur kokën para imamit. Ai (savs) ka thënë: „Nuk është e sigurt, ai që ngre kokën në namaz para imamit, se Allahu nuk do t’ia shndërrojë në kokë të gomarit.“

Ndalohet zgjatja e namazit në raste të caktuara. Është e ndaluar që imami ta zgjasë namazin, nëse në mesin e xhematit ka njerëz të moshuar, të sëmurë etj.

Pejgamberi (savs) ka thënë: „O njerëz, në mesin tuaj ka të atillë që i largojnë njerëzit nga feja, prandaj, kushdo prej jush që bëhet imam, le ta shkurtojë, sepse pas tij ka njerëz të moshuar, të dobët dhe njerëz me ndonjë nevojë!“ (Muslimi, mendohet në shkurtimin e leximit pas Fatiha-s)

9. Falja jashë rreshtit (saff) nëse ka vend në të

Është e ndaluar që njeriu i cili vjen në namaz të falet jashtë rreshtit. Nëse ka vend në rreshtin para tij, ai është i detyruar t’i bashkohet atij rreshti. Ebu Seid el-Hudri transmeton se, ai i kishte parë sahabët duke u tëhequr prapa në namaz, dhe u kishte thënë: „Shkoni përpara dhe mbushni rreshtin pas meje, kurse ata pas jush le t’i mbushin rreshtat e radhës. Për sa kohë që disa (njerëz) të tëhiqen, për aq kohë Allahu do t’i çojë prapa!“ (Muslimi)

Pershtati: Miftar Ajdini

(Islampress)