Hutbe – Kuptimi i jetës

1659

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet dhe paqja e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.) për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër besimtarë! Tema e hutbes së sotme është: “Kuptimi i jetës”

Pejgamberi ynë (savs), ka thënë: “Para Ditës së Gjykimit do të ketë vite mashtrimi dhe gënjimi, kur gënjeshtarët do të konsiderohen të vërtetë, ndërsa të vërtetët gënjeshtarë, kur do tu besohet mashtruesve, ndërsa nuk do tu besohet njerëzve të besueshëm, kur fjalim do të mbajë ruvejbidi.” Ashabët e pyetën: – O i Dërguari i Allahut, kush është ruvejbidi? Dhe ai u përgjigj: “Ai është një njeri i marrë (i përbuzur), i cili do të dalë dhe të flasë në emër të interesave të përgjithshme të popullit.” (Hakimi, Ahmedi dhe Ibni Maxhe)

Me këtë hadith, Muhamedi (savs), ka njoftuar për njërin nga shenjat e fundit të Kiametit, dhe ajo është se, standardet e vlerave në shoqëri do të ndryshohen plotësisht. Korrupsioni do të jetë i pranishëm në çdo hap: në politikë, në ekonomi, në arsim, në kulturë, në fe … Shoqëria do të mbizotërohet nga gënjeshtra, padrejtësia, krimi, korrupsioni dhe imoraliteti. Njerëzit e përbuzur do të fitojnë ‘reputacion’, sepse ata do të fitojnë fuqi dhe pasuri popullore, ndërsa njerëzit e ndershëm dhe të aftë do të denigrohen dhe refuzohen. Natyrisht, njeriu nuk ka nevojë të jetë shumë i mençur për të konkluduar se Pejgamberi (savs), e ka përshkruar pikërisht kohën tonë, e cila ngadalë po hyn në fazën e saj të lulëzimit dhe në fazën përfundimtare.

Duke i marrë parasysh të gjitha të përmendurat, para nesh lind një pyetje logjike:

– Në këtë kohë, dhe në kohëra të tilla, si mund ta ruajmë imanin, nderin dhe arsyen e shëndoshë?

Përgjigja është shumë e thjeshtë. Shpëtimin duhet ta kërkojmë nën ombrellën e afërsisë me Allahun, përkatësisht, në ibadet të sinqert, veçanërisht në atë të 1/3 së fundit të natës. Me fjalë të tjera, duhet t’i kthehemi qëllimin e jetës sonë.

Në lidhje me këtë, Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më bëjnë ibadet.” (edh-Dharijat, 56)

Dhe në një vend tjetër thotë:

“Ai i cili ka krijur jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush vepron më mirë; – Ai është i Plotfuqishëm dhe Falës.” (el-Mulk, 2)

Për këtë, le të na shërbejnë si shembull Pejgamberi (savs) dhe sahabët e tij. Në fillim të misionit pejgamberik, Muhamedi (savs) me sahabët e tij, për një vit të tërë, e kanë praktikuar namazin e natës, ku me atë rast aq shumë gjatë qëndronin në namaz, sa që edhe këmbët ju kishin ënjtur. Në këtë mënyrë, ata e ndienin ëmbëlsinë e ibadetit dhe ëmbëlsinë e munaxhatit (bisedës dhe afërsisë me Allahun), dhe kjo është ajo që solli qetësi në zemrat e tyre dhe i forcoi ata në rrugën e Islamit.

Ibadeti dhe namazi i natës në Mekë la gjurmë tek ata, dhe pastaj, kur ata e themeluan shtetin në Medine, si dhe kur e çliruan Mekën, në mënyrë të njëjtë vazhduan t’i kalojnë netët në ibadet.

Transmetohet se pas çlirimit të Mekës, gruaja e Ebu Sufjanit, Hinda, doli nga shtëpia e saj në mbrëmje për t’i parë sahabët, për të parë se kush ishin këta njerëz që i mposhtën Kurejshitët dhe e pushtuan Mekën. Kur erdhi para Qabes, ajo i pa këta muxhahidë të patrembur që po e falnin namazin të mbytur në lot, duke e lutur Allahun me përulje për falje dhe mëshirë. Ajo ishte aq e prekur dhe e ngazëllyer, sa që e mbërthyer në vajë, u kthye te burri i saj dhe i tha: ‘O burrë, shko dhe betohu për besnikëri te Muhamedi! Betohem në Allahun, unë kurrë nuk kam parë pamje më të mrekullueshme të Qabes sesa sonte.”

Prandaj, vëllezër të dashur, le t’i kthehemi qëllimit të jetës sonë dhe për çdo ditë le të mendojmë për të! Kjo për neve le të jetë detyrë shtëpie. Ne, faleminderit Allahut, kemi mjaft dynjallëk, por kam frikë se, nuk kemi mjaft ibadete, dmth përgatitje për ahiret.

Duke folur për dynjallëkun si një sfidë të madhe, dhe për llojet e njerëzve në lidhje me të, Imam Gazaliu e ka përmendur një shembull për disa njerëz, që kishin udhëtuar me anije:

Kur kishin ardhur në një ishull të pasur me gjelbërim, me kopshte të bukura, me lule të ndryshme dhe fruta të shijshme, kapiteni i anijes kishte vendosur që aty të pushonin. Ai i njoftoi udhëtarët, se nesër në agim ata do ta vazhdonin udhëtimin e tyre, dhe i paralajmëroi ata, që të mos largohen nga anija, në mënyrë që të mos vonohen.

Udhëtarët u ndanë në tre grupe. (1) Njëri grup mbeti afër anijes. Ata u kënaqen me pamjen e bukur dhe hëngrën nga frutat që ishin në afërsi të tyre, por sytë i mbanin vazhdimisht kah anija. (2) Grupi i dytë, të entuziazmuar nga bukuria dhe frutat e ishullit, shkuan pak më larg nga anija, por zemrat i kishin vigjilente. Sapo e dëgjuan në mëngjes zërin e kapitenit, ata nxituan për të hipur në anije, dhe arritën në çastin e fundit.

(3) Grupi i tretë, të dehur nga bukuria dhe frutat e ishullit, shkuan në thellësi të ishullit, duke e harruar plotësisht anijen. Kur kapiteni thirri për tu nisur, asnjëri prej tyre nuk e dëgjoi thirrjen e tij. Anija shkoi, kurse ata mbetën në ishull dhe u shkatërruan bashkë me frutat të cilat i kishin mbledhur.

I lutemi Allahut të dashur, që të na drejtojë në Rrugën e drejtë, që të mos bëhemi si ky grupi i tretë i përmendur, por që me kohë të hipim në anijen e shpëtimit, e cila na çon në xhenet. Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)