Sulejmani (a.s.) dhe begatitë që ju dhanë atij

1911

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, Mëshiruesit, Mëshirë bërësit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin a.s., familjen e tij, shokët e tij, dhe pasuesit e dini Islamit.

Xhemat të nderuar!

Dynjaja është bota e dukshme, bota e asaj që ne e dëshmojmë me sytë tonë.

Gajbi është bota e padukshme, bota e asaj që ne nuk e shohim me sytë tanë, por e dimë se është ajo bota rreth nesh.

Ahireti është bota e ardhme, bota në të cilën besojmë se do të vijë atëherë kur do të zhduket gjithçka që aktualisht po përjetojmë, kur dunjaja ndërpritet dhe kur bota e gajbit pushon së ekzistuari.

Të gjitha gjërat e krijuara, por edhe bota e dukshme dhe e padukshme janë të krijuara, një ditë ato do të zhduken, do të mbetët vetëm Allahu – Krijuesi i të gjitha botëve dhe të gjitha krijesave.

Ne nuk e dimë sesi duket bota e gajbit, bota e asaj që ne nuk e shohim, sepse nuk na është dhënë mundësia që ta shohim atë botë, edhe pse bota e gajbit është rreth nesh.

Botën e dukshme ne e shohim, por botët e ndryshme të botës së dukshme ne nuk mund t’i vërejmë. Çdo gjë rreth nesh është një botë në vetvete. Bota e zogjve është një botë, që është rreth nesh, e ngjashme me tonën por e ndryshme. Bota e milingonave është një tjetër botë, bota e tyre, të cilën gjithashtu nganjëherë e shohim, por për shkak të imtësisë së milingonave ne vazhdimisht nuk e shohin atë, por ajo është aty rreth nesh. Edhe botët tjera që i përkasin botës së dukshme janë aty përreth nesh, por ne shumë nuk mërzitemi për to. Ne nuk e kuptojnë gjuhën e tyre, nuk flasim me ta, edhe pse e dëgjojmë cicërimën e zogjve.  

Kurse bota e gajbit, bota e padukshme, bota të cilën sytë tanë nuk e kanë dëshmuar, tërësisht është e panjohur për ne. Rreth kësaj bote ne e dimë vetëm atë që na ka mësuar Allahu me fjalët e veta në Librin e Tij.

Botët e ndryshme jetojnë pranë njëra-tjetrës, e jetojnë jetën e tyre, dëshmojnë për ekzistencën e tyre dhe ekzistencën e botëve të tjera, por nuk ka mirëkuptim mes tyre. Njeriu i dëgjon fjalët e zogjve, por nuk i kupton, i sheh milingonat, por nuk i dëgjon fjalët e milingonave të cilat megjithatë flasin, e dëgjon të folurit e kafshëve, nuk e sheh e nuk e dëgjon të folurit e krijesave nga bota e gajbit.

Bota e njeriut është e lidhur me botët e tjera, por nuk i kupton qeniet që u përkasin botëve të tjera. Muhamedit (savs), pejgamberit të fundit, i është dhënë mundësia dhe begatia që t’i njehë dhe t’i shohë botët tjera. Transmetohet se kur u ndërtua minberi nga i cili Pejgamberi i mbante hutbet, trungu nga i cili deri atëherë Muhamedi (savs) u kishte folur sahabëve, kishte qarë nga dhembja. Transmetime të tjera thonë se një gurë e përshëndeste Pejgamberin (savs) sa herë që ai i kalonte afër. Transmetimi i tretë thotë se me një rast kur një idhujtar i urrejtur vjen tek Pejgamberi (savs) me disa gurë të fshehur në dorë dhe e pyeti Pejgamberin (savs) se çka ka në dorë, gurët në pëllëmbën e tij kishin folur.

Edhe pejgamberët tjerë të Allahut kanë qenë të mbështetur me mrekulli. Mrekullia e Sulejmanit (a.s.) ishte, se Allahu atij ia nënshtroi xhinët dhe zogjtë, dhe gjithashtu, Sulejmani a.s. ka mundur ta kuptojë gjuhën e kafshëve. Davudit (a.s.) dhe birit tij Sulejmanit ju ishte dhënë dituri dhe begati për të cilën ata ishin mirënjohës. Dhe Sulejmani e trashëgon Davudin, por e trashëgoi vetëm si pejgamber dhe si mbret, por jo edhe në pasuri, sepse, siç thuhet në hadith: “Pejgamberët nuk lënë trashëgimi, gjithçka që mbetet pas tyre është sadakë.”

Sulejmanit (a.s.) i është dhënë pejgamberia dhe pushteti, xhinët dhe zogjtë ishin në vartësi të tij. Kur meleku ia mori shpirtin e Davudit, Sulejmani e urdhëroi një shpend që të bënte hije, kështu që ai i bëri hije. Dhe kur Sulejmani (a.s.) e mblodhi ushtrinë e tij, një ushtri e përbërë nga xhinët, njerëzit dhe shpendët, dhe kur ata arritën në luginën e milingonave, një milingonë tha: – O milingona, hyni në vendet tuaja që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij. Dhe kur Sulejmani (a.s.) e dëgjoi milingonën qeshi me zë të lartë. Edhe pupëza, një zog i vetëm që mungonte kur Sulejmani e rreshtoi ushtrinë e tij, ishte vartës i Sulejmanit (a.s.) Edhe Ifriti, një prej xhinëve, i cili e solli fronin e Mbretëreshës së Sabes, ishte nën sundimin e Sulejmanit (a.s.). Dhe për të gjithë ata që ishin vartësit e tij, Sulejmani (a.s.) kujdesej, sepse ata i ishin dhënë amanet. Dhe për të gjitha Sulejmani dhe babai i tij Davudi e falënderonin Allahun, duke thënë: “I falënderohemi vetëm Allahut që na dalloi (me të mira) mbi shumë robër të Tij besimtarë.” (en-Neml, 15)

Kur Davudit (a.s.) ia mori shpirtin meleku, shpendi bëri hije. Edhe Sulejmanit (a.s.) meleku ia mori shpirtin. Edhe neve të gjithëve meleku do të na merr shpirtin. Ne nuk mund ta urdhërojmë zogun të bëj hije kur meleku ia merr shpirtin ndonjë të afërmi tonë, as neve zogu nuk mund të na bëjë hije kur meleku të na merr shpirtin. Ne nuk jemi as Davudi (a.s.) as Sulejmani (a.s.) por ne mund të jemi robër të Allahut.

Vëllezër të nderuar!

Dikush mund të mendojë e të thotë se edhe ai do të ishte mirënjohës si Sulejmani (a.s.), nëse do të kishte begati si ai, sikur të mund ta kuptonte gjuhën e shpendëve, sikur t’i kishte nën sundim krijesat nga botët tjera. Por njeriu, shumë herë është provuar – sa më shumë që ka është më pak mirënjohës. Sa më shumë që ka, e ngrit veten dhe bëhet më pak modest. Bollëku i begative e dalldis, njeriu lartësohet, më pak falënderon, sepse ndjehet më shumë i  pavarur. Gjithnjë e më shumë konsideron se ai vetë është shkaktar i gjithë asaj që e rrethon dhe që e posedon. Dhe nëse dikujt i mundësohet ta kuptoj gjuhën e shpendëve dhe që në sundimin e tij të jenë krijesat nga botët e tjera, njeriu i keq do të mendonte se kjo i është dhënë për hir të tij, se këtë ai e ka merituar me mirësinë e tij. Dhe pastaj do të shfaqet pangopësia, sepse njeriu do të kërkonte akoma, do të kërkonte t’i shohë edhe botët tjera, do të kërkonte t’i shohë melekët, në fund do të kërkonte ta shohë edhe Krijuesin e të gjitha botëve.

Ka edhe sot të atillë të cilët besimin e tyre e kushtëzojnë me pamje, dhe shpesh thonë se ata besojnë vetëm në atë që e shohin. Ka edhe të atillë që tallen me ekzistencën e botës kur thonë: Kush është kthye që të na tregojë se si është atje?!

Kurani thekson shembuj të popujve nga e kaluara të cilët nga pejgamberët e tyre kanë kërkuar që Zoti të shfaqet që ata ta shohin. Ata popuj kanë jetuar dhe janë zhdukur. Edhe ne tash jemi këtu, por do të zhdukemi. Edhe Davudi dhe Sulejmani (a.s.), edhe pse ishin pejgamberë edhe ata janë zhdukur. Do të mbeten vetëm veprat që të dëshmojnë për neve. Për Sulejmanin (a.s.) dhe falënderimin e tij për të mirat që kishte, dëshmon Kurani dhe do të dëshmojë për të deri në Ditën e Gjykimit, pra deri në Kiamet. Për ne do të dëshmojnë veprat tona deri në kiametin tonë, sepse vdekja është kiameti i vogël për secilin prej nesh. Dhe pas kiametit tonë do të mbeten për të dëshmuar për neve. Prej nesh varet se a do të jemi mirënjohës apo jo.

Edhe pse neve nuk na janë dhënë begati si Sulejmanit (a.s.), megjithatë, neve na janë dhënë begati të pafundme. Siç thuhet në hadith, vlera e shikimit të syrit është e barabartë me vlerën e ibadetit dhe robërimit për 500 vjet. Dhe me syrin tonë ne mund t’i shohim botët e dukshme që janë rreth nesh. Vlerën e shikimit më mirë e njohin ata që nuk shohin. T’i mbyllim sytë tonë vetëm për një çast, dhe do ta njohim vlerën e dritës që e shohim kur i hapim sytë. Edhe sikur të mos na ishte dhuruar asgjë tjetër, por vetëm dhurata e shikimit, kjo për ne do të ishte dhuratë e pafundme. Dhe, derisa ne mund të shikojmë dhe të shohim, ne mund të bëjmë mirë dhe të jemi mirënjohës. Kur drita të zhduket, kur errësira e zezë të mbulojë çdo gjë, kur t’i mbyllim sytë përgjithmonë, atëherë do ta kalojmë kufirin dhe ta njohim botën e gajbit, botën e padukshme, por deri atëherë kemi vetëm edhe pak kohë.

O Zoti ynë, na i falë mëkatet tona dhe na i prano veprat e mira! Në Ditën e Gjykimit bëhu për neve i mëshirshëm. Amin, ja Rabbe-l-alemin!

Përshtati: Miftar Ajdini