Vlera e muajit rexheb …

1231

Falënderimi qoftë për Allahun e Plotfuqishëm, i Cili na ka dhënë dhe na  jep begati të panumërta. Salavatet, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të dashurin e Allahut dhe të dërguarin e Tij të fundit Muhamedin (a.s.) mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar me të vërtetën në zemrat e tyre.

Vëllezër besimtarë, Tema e hutbes së sotme është: Vlera e muajit rexheb…

Gjendemi në fillim të muajit rexheb, muaji i cili është përmendur në Kuran midis muajve të shenjtë, dhe në të cilin duhet veçanërisht të ruhemi nga mëkatet. Emri ‘rexheb’ rrjedh nga folja arabe ‘rexhibe’ – ‘jerxhubu’, që do të thotë, të madhërohet diçka dhe të nderohet, andaj u quajt ‘rexheb’, që të jetë i madhëruar dhe i respektuar në kohën e paganizmit, kështu që në të ndërpritej lufta dhe nuk lejohej.

Hyrjen në këtë muaj muslimanët e bëjnë me këtë lutje të Muhamedit (savs):

 ( اللَّهُمَّ بَارِكْ لَنَا فِي رَجَب، وَشَعْبَانَ، وَبَلِّغْنَا رَمَضَانَ )

“O Zot na begato në rexheb e shaban dhe na e mundëso të arrijmë në ramazan!” /Transmeton Taberani/

Në muajin rexheb ndodhen dy net të mëdha: Nata e Regaibit dhe Nata e Miraxhit. Vetë muaji Rexheb, e posaçërisht këto net të zgjedhura, janë lajmëtari i parë, për musafirin tonë të preferuar – ramazanin. Ibadeti në ditët dhe netët e tij, paraqesin përgatitje shpirtërore për këtë muaj të ibadetit universal. E para nga këto, ishte Nata e Regaibit, të cilën e shënuam mbrëmë.

Nata e Regaibit është edhe natë dëshirash dhe shpresash. Duke pasur parasysh, se lutja drejtuar Allahut, ka qenë dhe mbetet lidhja dhe ura që e lidh Krijuesin dhe krijesën e Tij – le të mos e humbim mundësinë, që në ditët në vijim ta kërkojmë mëshirën, begatinë dhe bereqetin e Allahut. Lutja është veçanërisht e nevojshme për njeriun e sotëm, i cili në një jetë të shpejtë dhe dinamike, shpesh po e humb orientimin dhe ekuilibrin islamik midis shpirtërores dhe materiales. Njeriun duhet ta udhëzojmë që të bëjë lutje, si një formë e lidhjes së përditshme me Krijuesin e tij, nga mëngjesi deri në mbrëmje; që ta pastrojë shpirtin e tij dhe të vazhdojë në rrugën e Allahut. Duhet t’i hapim zemrat dhe shpirtrat, dhe mos të dyshojmë në mëshirën e Allahut të Plotfuqishëm, e cila është e pakufishme.

Ditët dhe netët në vijim (të muajit rexheb dhe shaban), le t’i shënojmë me ibadete: me namaz, me dhikër, me agjërim, me lexim të Kuranit dhe me salavat.

Vëllezër të dashur,

Në vazhdim, ju ftoj që të njihemi me një hadith të Muhamedit (savs), i cili mund të na sjellë dobi të madhe, në këtë kohë, kur shumica e njerëzve janë të varfër, ose janë afër varfërisë, kur është krijuar dallim i madh mes njerëzve në të mirat materiale, kur po ndërpriten lidhjet familjarepër shkak të pakujdesisë ose mos respektimit të urdhrit të Zotit për t’i mbajtur ato, kur të dobëtit dhe të pafuqishmit detyrohen të kërkojnë ndihmë, kur gënjeshtra ka ngadhënjyer mbi të vërtetën, kur kemi frikë nga qortimi i eprorëve, dhe kur gojët tona janë të zëna me shqiptimin e gënjeshtrave dhe fjalëve të padobishme, në vend se të shqiptojmë atë, që është e dobishme për ne si në dynja ashtu edhe në ahiret.

Ebu Dherr el Gifari (r.a.) ka thënë: “Miku im Pejgamberi (savs), më ka urdhëruar me 7 (shtatë) gjëra:

1. Më ka urdhëruar që t’i dua të varfrit dhe të qëndroj pranë tyre.

2. Më ka urdhëruar që të shikojë në ata që janë më poshtë se unë dhe jo në ata që janë më lartë se unë (me pasuri, pozitë, shëndet etj.).

3. Më ka urdhëruar që të sillem mirë me të afërmit dhe t’i vizitoj ata, edhe nëse ata ma kthejnë shpinën mua.

4. Më ka urdhëruar që të mos u kërkoj asgjë njerëzve të tjerë.

5. Më ka urdhëruar që të flas vetëm të vërtetën, edhe nëse është e hidhur.

6. Më ka urdhëruar që për hir të Allahut, të mos t’i druhem asnjë qortuesi!

7. Më ka urdhëruar, po ashtu, që ta them sa më shumë fjalën: “La havle ve la kuvete il-la bil-lah” (S’ka ndryshues të situatës, e as fuqi përpos Allahut), pasi ato fjalë janë nga thesari nën Arsh!”(Transmeton Imam Ahmedi, e ka saktësuar Albani)

Qëndrimi me të varfrit nënkupton bamirësinë dhe ndjeshmërinë ndaj tyre, si dhe kujdesin për nevojat e tyre. Ebu Dherri ishte i afërt me ta, shoqërohej me ta dhe ju ndihmonte.

Nëse nga aspekti i posedimit të pasurisë së dynjasë, i shikojmë ata që janë më të pasur se ne, shumë lehtë mund të ndodh, që t’i nënvlerësojmë nimetet dhe begatitë që i posedojmë. Shpirti ynë mund të ndiejë dashuri, për posedimin më të madh të pasurive kalimtare dhe të na shpijë në situatë, që arritjen e atyre të mirave ta bëjmë në mënyrë të pa lejuar.

Ka shumë hadithe që rekomandojnë ruajtjen e lidhjeve familjare. Muhamedi (savs) ka thënë: “Lidhja familjare është e lidhur për Arsh (për fronin e Allahut), dhe thotë: ‘Kush më ruan mua, atë le ta ruajë Allahu, ndërsa kush më neglizhon mua, atë le ta neglizhojë Allahu.” (Buhariu dhe Muslimi)

Shkëputja e lidhjeve familjare shkakton zvogëlimin e nafakës dhe shkurtimin e jetës. Në hadith thuhet: “Kush dëshiron që Allahu t’i japë furnizime të bollshme dhe jetë të gjatë, le t’i ruajë lidhjet e tij familjare.”

Shumë shpesh ndodh, pasi që hasim në ndonjë vështirësi, ndihmë kërkojmë në vend të gabuar. Allahu i Plotfuqishëm, na paralajmëron që për ndihmë t’i drejtohemi vetëm Atij: “Nëse Allahu të sjellë ndonjë dëm, askush nuk mund të ta largojë, përveç Tij, e nëse Ai don të ta bëjë ndonjë të mirë, s’ka kush të ta pengojë mirësinë e Tij. Ai ia jep atë mirësi kujt të dojë nga robërit e Tij; dhe Ai është falës dhe mëshirues.” (Junus, 107)

Në këtë kohë të mashtrimit, mund të mendojmë se thënia e të vërtetës është luks, sepse shumë njerëz përdorin gjëra të ndryshme, për ta fituar dashurinë e njerëzve dhe për t’i kthyer kundër njëri-tjetrit, që të manipulojnë më lehtë me ta. Megjithatë, nga e vërteta nuk duhet të kemi frikë, për të duhet të insistojmë edhe nga të tjerët, edhe nga vetvetja.

Asnjë qortim, edhe nëse është i butë dhe i parëndësishëm, nuk e dëshiron askush prej nesh. Megjithatë, për t’iu shmangur qortimit të njerëzve, ne nuk guxojmë ta vendosim veten në pozitë që ta meritojmë qortimin e Allahut të Plotfuqishëm. Kur bëhet fjalë për ruajtjen nga qortimi i Allahut, çdo qortim tjetër është i mjerueshëm dhe i durueshëm.

Edhe ata që nuk janë të prirur të flasin gënjeshtra dhe fjalë të kota, gojën e tyre mund ta angazhojnë me diçka më të vlefshme se heshtja. Këto janë fjalët me të cilat e përmendim, madhërojmë dhe lavdërojmë Zotin tonë. Fjalë të tilla ka shumë, por me këtë rast, fjalët e rekomanduara janë: “La havle ve la kuvete il-la bil-lah” (S’ka ndryshues të situatës, e as fuqi përpos Allahut).

O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

O Zot, fali dhe mëshiroji prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e sollën dritën e Islamit! Kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës të fesë dhe atdheut!

O Zot, fali, mëshiroji dhe shpërbleji me xhenet të gjithë shehidët e atdheut tonë, të cilët jetën e tyre e sakrifikuan për lirinë tonë!

O Zot, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberët, me të sinqertët, me shehidët dhe me njerëzit e mirë! Amin.  

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)