Abram Jehudi – Studiues hebre në pallatin osman

1172

  Resul Mehmedović  

Abram Jehudi ka qenë studiues hebre nga Spanja e dikurshme muslimane, i cili pas përndjekjes së muslimanëve dhe hebrenjve nga Gadishulli Iberik u vendos në Stamboll, kryeqytetin e Perandorisë Osmane. Ai ka jetuar në kohën e sundimit të Sulltan Bajazidit II-të dhe Selim Javuzit.

Historianët theksojnë se ai e dinte përmendsh Torën dhe ishte shumë i aftë në shkenca, si në astronomi, në bërjen e kalendarit, në aritmetikë dhe gjeometri. Emri i tij i plotë ishte Iljas b. Ibrahim (Abram) Al-Jehudi, kurse në Stamboll erdhi gjatë sundimit të Sulltan Bajazidit II-të, ku së shpejti e pranoi Islamin, duke e ndryshuar edhe emrin e tij në Abdusselam Al-Muhtedi, kurse data e konvertimit të tij në Islam është regjistruar si 19 xhamadel-ahir 902 hixhri, ose 22. 02. 1497, sipas kalendarit Gregorian. [1])

Në arabisht, ai shkroi një traktat polemik mbi besimet e hebrenjve të quajtur El-Risalat el-hadije. [2]) Vepra është e ndarë në tri pjesë: në pjesën e parë hedh poshtë provat e paraqitura nga hebrenjtë, në të dytën vërteton misionin e Muhamedit (savs), sipas Tores (Tevratit), kurse në pjesën e tretë flet për ndryshimet e bëra në Tevrat nga hebrenjtë. Në traktat, citatet nga Tevrati i thekson në gjuhën origjinale hebraike, me vokale, në mënyrë që fjalitë të mund të lexohen dhe të kuptohen saktë.

Bazuar në informacionet nga kjo vepër, mund të konkludohet se Abdusselami ishte mërgimtar nga Spanja, i cili ka përqafuar Islamin dhe ka shërbyer në pallatin e Sulltanit dhe e ka njohur shumë mirë Tevratin. Gjatë sundimit të Selimit të I-rë (1512-1520), ai u bë defterdar (nëpunës, llogaritar) në administrimin financiar të Sulltanit, e ndërtoi një xhami dhe themeloi disa vakëfe dhe institucione fetare. [3])  Në shkrime, Abdusselami përmendet si pronar dhe themelues i pasurive të ndryshme, disa prej të cilave i bleu nga hebrenjtë dhe më pas i bëri vakëf. [4]) Gjithashtu, disa transaksione ishin në dobi të komunitetit hebre, siç dëshmohet edhe nga procesverbali i autorit hebre Joseph Sambari, i cili në veprën e Divre Jozef, të përfunduar në vitin 1673, i renditur si Talmid Hakhama, [5]) në Stamboll thekson personin i cili u konvertua në fenë e Ismailit dhe e ndryshoi emrin e tij në Abdusselam Efendi, dhe kështu ishte në gjendje t’i ndihmonte dhe t’i mbështeste hebrenjtë në Stamboll dhe t’i mbronte nga çdo dispozitë e ashpër ligjore. Pohimet e Sambarit tregojnë se Abdusselami gëzonte reputacion të madh në pallatin e Sulltanit.

Sidoqoftë, Ekmeleddin Ihsanoglu është i mendimit se Abdusselam (defterdari) dhe personi të cilin e përmend Jozef Sambari, nuk janë i njëjti person me Abdusselam al-Muhtedi. Pohimi i tij nuk është hulumtuar plotësisht dhe nevojiten hulumtime më të hollësishme dhe më të detajuara për të përcaktuar nëse ai është i njëjti person ose person tjetër. Sidoqoftë, ky punim do të merret me Abdusselam al-Muhtedin, mërgimtarin spanjoll, mjekun dhe astronomin, i cili për shumë vite shërbeu në pallatin e Sulltanit.

Hoxha Ilija al-Jehudi, siç e thirrnin atë, ishte mjek i shquar, kështu që e ka shkruar veprën për masat që duhen marrë kundër murtajës, titulli i veprës është Micennet al-Ta`un vel-Veba. Ai gjithashtu shpiku instrumentin astronomik al-dabid, i cili ishte më i saktë dhe më i avancuar se sfera unazore, e shpikur nga Ptolemeu.

“Ilias b. Abrami në parathënien e librit të tij, shkruan se Allahu i ka dhënë atij njohuri për medicinën, duke i mundësuar të udhëtojë nëpër qytete të njohura. Ai ka vëzhguar dhe hulumtuar librat e njohur të mjekëve të vjetër dhe të rinj. Ndër librat që Ilias b. Abrami i hulumtoi janë: Kitabu Epidemia i Hipokratit, Kitab al-Emrad, Al-Hadde dhe Kitabu Takdim al-Ma’rife, Kitabu Esnaf i Galenit, pastaj Kitab al-Hummeyat i Ishak b. Hunejn, Al-Havi i Ebu Bekr Zekerijyah al-Razi, Al-Resa’ili i Mervan b. Zuhra, El-Kanun i Ibn Sina-së, dhe El-Kulliyat i Ibn Rushd-it. Përveç këtyre shkrimtarëve, ai përmendi edhe vepra të mjekëve dhe studiuesve të tjerë si: Isidori, Platoni, Pitagora, Angzy Gvry, Cidri, Ptolemeu dhe Musa.” [6])

Vepra e tij, Micennet al-Ta’un vel-Veba, në të cilën flet për murtajën dhe trajtimin e saj, është bërë në mënyrë shumë kreative, ashtu që vepra përmban parathënien, 4 kapituj dhe trajton 10 tema. Vepra  është bërë qëllimisht në këtë mënyrë, pasiqë veprat e tjera që merreshin me këtë temë ishin shumë të vështira për t’u kuptuar dhe të ndërlikuara, gjë që Abdusselami këtë ia thotë edhe Sulltan Bajazidit II-të. Duke pasur parasysh që ai më parë kishte udhëtuar shumë dhe kishte hasur në shumë vepra mjekësore, si dhe në mënyrë praktike kishte parë trajtimin e murtajës, ai ishte aq i aftë në trajtimin e sëmundjes së lartpërmendur, saqë e kritikoi edhe veprën El-Kanun të Ibn Sinas. “Sipas mendimit të tij, El-Kanun jep shpjegime shumë modeste dhe të pamjaftueshme për sëmundjet të cilat ndodhin shpesh dhe dëmi i të cilave është i madh, siç është murtaja, ndërsa jep shpjegime të hollësishme për disa sëmundje të rralla dhe nga të cilat rreziku është i vogël. Ai gjithashtu thotë se mjekët evropian me përvojë e justifikojnë Ibn Sinan, sepse sipas mendimit të tyre, një procedurë e tillë ishte e justifikuar. Sipas tyre, ai dha shpjegime të gjata për trajtimin e sëmundjeve në të cilat ai kishte më shumë përvojë. ” [7])

Kjo vepër, e cila u shkrua me kërkesë të Sulltan Bajazidit të II-të, shumë vonë u përkthye në turqisht, përkthimi i parë u bë nga Geverkzade Hafiz Hasan-efendi në vitin 1801.

Gjithashtu vlen të përmendet edhe vepra për astronominë, të cilën në vitin 908/1503, Abdusselam al-Muhtedi e përktheu nga hebraishtja në arabisht. Risale fi Alet al-Dabid vel-amel-bih përmbante parathënien dhe dy pjesë. “Pas prezantimit të parathënies mbi karakteristikat e instrumentit al-dabid dhe shenjave mbi të, në pjesën e parë, e cila përbëhet nga 40 kapituj, flitet mbi çështje që lidhen me vëzhgimin, kurse në pjesën e dytë, e cila përbëhet nga 30 kapituj, flitet mbi astrolabinë.  Abdusselam al-Muhtedi në fillim të parathënies, shprehet se me ndihmën e Sulltan Bajazidit II-të, ka shpikur diçka që do të ndihmojë për matjen e saktë të yjeve dhe kozmosit të palëvizshëm, për matjen e minutave dhe sekondave, për vëzhgimet që do të kryhen kudo në botë dhe për funksionet e astrolabës. Dhe pasi vuri në dukje se ai (al-dabit) është një instrument, në popull i njohur si “instrument me rreth“, ai thotë se për shkak të peshës më të lehtë dhe mbrojtjes së tij ndaj gabimeve dhe për arsye të ndryshme, ky instrument është më i mirë se pajisja e Ptolemeut “zat el-hak (sfera unazore).” [8])

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress.ch)


[1] ) Ekmeleddin Ihsanoglu, Osmanlijtë dhe shkenca, El-Kalem/FSHI, Sarajevë 2006, fq. 101-102.

[2] ) Katib Çelebi, Kashf al-Dhunun, fq. 900, 2017; Brockelmann, GAL, Suppl., II, 990, nr. 10.

[3] ) Muṣṭafā b. ʿAbd Allāh el-Qusṭanṭīnī el-Rūmī, Keshf el-Dhunūn ʿan asāmīl-kutub wel-funūn 1-2, Bejrut 1413/1992, vol. 1, fq. 900; vol. 2, fq. 2027.

[4] ) Rreth 100 km në Lindje të Stambollit, në qytetin Izmit, ndodhet xhamia ‘Abdusselam Bej’, si dhe shkolla ‘Abdusselam Bey Medresesi’ në pjesën periferike të Stambollit, në lagjen ‘Küçükçekmece’.

[5] ) Tamid Hakham ose në përkthim Urtaku në Tevrat, njeri i ditur në ligjin fetar, softa.

[6] ) Ekmeleddin Ihsanoglu, Osmanlijtë dhe shkenca, El-Kalem/FSHI, Sarajevë 2006, fq. 103.

[7] ) Ibid, fq. 105.

[8] ) Ibid, fq. 108.