Erdogan thirrje për mobilizim global në luftën kundër COVID-19

629

Vendet në gjithë botën duhet të ndërmarrin veprime të shpejta për të frenuar pandeminë e koronavirusit të ri, kërkoi presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Unë i ftoj të gjitha vendet të marrin pjesë në mënyrë të drejtë në luftën kundër kësaj krize globale shëndetësore, derisa i gjithë njerëzimi të marrë frymë nga lirshëm”, tha Erdoğan para liderëve të botës në Samitin e Jashtëzakonshëm të G20-tës për virusin, në të cilin ai, si gjithë liderët e tjerë, mori pjesë përmes një lidhjeje me telekonferencë.

Erdoğan tha se të gjitha vendet duhet të mobilizohen sa më parë, njëjtë sikurse gjatë krizës financiare globale.

“Asnjë vend nuk e ka luksin të zbatojë politika proteksioniste dhe të njëanshme”, tha presidenti turk.

Ai deklaroi se në këtë proces nëpër të cilin po kalon bota, të gjith vendet janë të detyruara të shërbejnë si udhëzues, të marrin përgjegjësi mbi supe dhe të shfaqin bashkëpunim në nivel global.

“Të gjitha masat për të trajtuar koronavirusin duhet të jenë në përputhje me rregullat e OBSH-së dhe të inkurajojnë bashkëpunimin global”, tha Erdoğan, duke shtuar se shpërthimi i koronavirusit ka demonstruar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit dhe pajtimit në bllokun e G20-tës.

Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve të ndajnë përvojat e tyre në lidhje me kontrollin e pandemisë COVID-19 dhe diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjes.

“Ne shohim që madje shumë vende të zhvilluara kanë vështirësi serioze në luftën kundër pandemisë së koronavirusit”, tha ai.

Presidenti i Turqisë po ashtu kërkoi mobilizim të resurseve financiare humanitare për rajonet e prekura nga luftërat dhe komunitetet e rrezikuara.

Erdoğan mori pjesë në samit, i cili zgjati mbi dy orë, nga Pallati Huber në Stamboll.

Ai u shoqërua nga ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Financave dhe Thesarit, Berat Albayrak, Drejtori i Komunikimeve, Fahrettin Altun, zëdhënësi i Presidencës, İbrahim Kalın, dhe diplomati përgjegjës për G20-tën në Turqi, Sherif Hayattin Demircan.

Përveç Turqisë, në samit morën pjesë Gjermania, SHBA, Argjentina, Australia, Brazili, Kina, Indonezia, Franca, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, India, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Japonia, Kanadaja, Meksika, Rusia, Arabia Saudite dhe Bashkimi Evropian.