Fetva për larjen, mbështjelljen me qefin dhe faljen e namazit të xhenazes për personin që vdes nga një sëmundje infektive

4732

Fetva për larjen, mbështjelljen me qefin dhe faljen e namazit të xhenazes për personin që vdes nga një sëmundje infektive

Këshilli i Muftijëve të Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke marrë parasysh situatën aktuale të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, lëshon këtë:

Fetva për larjen, mbështjelljen me qefin dhe faljen e namazit të xhenazes, për personin që vdes nga një sëmundje infektive

Përmbajtja e fetvasë publikohet në tërësi:

– Krijuesi Suprem e ka dalluar njeriun dhe i ka dhënë përparësi mbi shumë krijesa të tjera. Ky nder hyjnor vlen si për të gjallët ashtu edhe për të vdekurit. Për shkak të nderimit ndaj njeriut të vdekur, Islami ka përcaktuar që trupi i tij të lahet, të mbështillet në qefin, t’i falet namazi i xhenazes dhe të varroset në varr. Zbatimi i këtyre rregullave është detyrim kolektiv (fardi kifaje) i bashkësisë së muslimanëve / xhematit.

Në rast se një person ka vdekur si rezultat i sëmundjes infektive, do të konsultohet institucioni kompetent shëndetësor për shkallën e rrezikut të përhapjes së infeksionit dhe për mënyrën e larjes dhe të mbështjelljes me qefin të të vdekurit. Nëse institucioni e vlerëson se infeksioni është më i butë dhe se, me masa adekuate të mbrojtjes, mund të bëhet larja dhe mbështjellja me qefin, ajo edhe do të kryhet, në mënyrën që të vdekurit vetëm do t’i derdhet uji, pa e prekur trupin e tij.

Në rastin se sëmundja infektive është serioze, do të zbatohet rregulli i tejemumit, i cili në atë situatë e zëvendëson larjen, dhe gasali (personi që e kryen larjen) është i detyruar të përdorë pajisje mbrojtëse personale (PMP), të parapara me udhëzimet e autoritetit shtetëror kompetent. Pas përfundimit të mbështjelljes me qefin, është e detyrueshme të bëhet pastrimi dhe dekontaminimi i gasulhanës sipas standardeve në fuqi.

Kur i vdekuri transportohet për në gusulhane në qese sanitare ose në arkë, krahas ndalimit të hapjes dhe nxjerrjes së të vdekurit, për shkak të rrezikut të përhapjes së infeksionit, do të zbatohet rregulli i tejemumit. Me çarçaf të bardhë do të mbulohet qesja sanitare në të cilën ndodhet i vdekuri. Edhe në këtë rast, gjatë tejemumit dhe vendosjes në qefin, gasali duhet të përdorë pajisje adekuate mbrojtëse. Namazi i xhenazes dhe varrimi do të kryhet në mënyrën e zakonshme.

Në rast të shpalljes së epidemisë ose pandemisë, siç është rasti me koronavirusin në këtë kohë, në lidhje me pjesëmarrjen në namaz të xhenazes dhe varrosjes së të vdekurit, duhet të ndiqen udhëzimet e autoriteteve shtetërore kompetente në lidhje me tubimet publike, në mënyrë që, këtë namaz ta kryejnë vetëm imami dhe anëtarët e familjes. Të gjitha rregullat dhe zakonet e tjera, të cilat kryhen rregullisht pas namazit të xhenazes dhe pas varrimit, qoftë në shtëpinë e familjes së të vdekurit, ose në xhami, shtyhen për një kohë derisa të kalojë rreziku nga epidemia / pandemia.

Ndaj personit që vdes nën regjimin e vetë izolimit / karantinës do të aplikohen masat e parandalimit dhe mbrojtjes të cilat aplikohen tek personi i infektuar, të cilat u përmenden në këtë fetva. Dhe Allahu e di më së miri!

Thuhet në fetvanë e Këshillit të Muftijëve të Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Përkthim: Miftar Ajdini

Burimi: https://www.islamskazajednica.ba/fetve-i-rezolucije/28764-fetvu-o-gasuljenju-opremanju-i-dzenaza-namazu-osobi-koja-je-umrla-usljed-zarazne-bolesti

(Islampress.ch)