Dijaneti i Turqisë gjatë Ramazanit do të shpërndajë ndihma në 35 vende

532

Autoriteti i lartë fetar i Turqisë sot tha se vendi gjatë muajit të Ramazanit do të sigurojë ndihma për njerëzit në nevojë në dhjetëra vende, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për shtyp, Ali Erbaş, kreu i Drejtorisë së Çështjeve Fetare (Dijanet), foli për politikat e Drejtorisë së Çështjeve Fetare në Ramazan si dhe kryerjen e detyrave fetare në mes të pandemisë së koronavirusit, i cili ka marrë dhjetëra mijëra jetë në të gjithë globin.

Erbaş tha se institucioni që ai drejton do të sigurojë ndihma për njerëzit në nevojë në 35 vende gjatë muajit të shenjtë, duke shtuar se Ramazani do të shënohet nën hijen e errët të virusit.

Në vitin 2019, Dijaneti shpërndau ndihma në 98 vende, por këtë vit, për shkak të pandemisë duke e bërë më të vështirë logjistikën, do të sigurojë ndihma për 35 vende, shtoi ai.

“Ne do të shpërndajmë 38.450 pako ushqimesh dhe 46,000 pako për darkat e shpejta të iftarit”, tha ai, duke shtuar se thuajse 11,000 jetimë gjithashtu do të pajisen me rroba.

Duke deklaruar se agjërimi është një veprim shpirtëror në të cilin zemra dhe mendja bëhen një, ai shtoi se po ashtu rrit sistemin imunitar dhe mund të ndihmojë në luftimin e virusit.

Turqia deri më tani ka regjistruar rreth 86,000 raste të koronavirusit, me mbi 2,000 vdekje. Më shumë se 12,000 persona janë shëruar plotësisht nga sëmundja dhe 1.920 njerëz janë duke marrë trajtim në njësitë e kujdesit intensiv.