Kur’ani i madhërishëm mrekulli unike

985

“Ne do t’u tregojmë atyre shenjat (ajetet) Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është i vërtetë. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!” (Fussilet: 53)

Ajni Sinani

Kurani si i tërë, germë për germë dhe fjalë për fjalë, i është shpallur Muhamedit a.s. nga Allahu xh.sh., pa asnjë dyshim. Ai është udhërrëfyes për gjithë njerëzimin, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues i të mirës nga e keqja (El Bekare: 185). Prandaj, të qenët e tij fjalë dhe libër i pandryshuar i Zotit është jashtë çdo diskutimi. Ai do të vazhdojë të jetë i tillë sa të ketë jetë mbi tokë, sepse është shpallja e fundit e Zotit drejtuar mbarë njerëzimit, për të gjitha kohët dhe të gjitha vendet. Kurani jo vetëm që i ofron njeriut udhëzimin për këtë botë, por njëkohësisht në vazhdimësi e fton atë drejt Zotit, Filluesit të çdo gjëje.

Historia dëshmon se njerëzimi nuk ka parë në të shkuarën një libër sikurse ai dhe, gjithashtu, njerëzimi nuk do të shohë as në të ardhmen një të ngjashëm me të. Bukuria e Kuranit qëndron në stilin e tij të mrekullueshëm, në gjuhën e tij, fuqinë e tij shprehëse dhe madhështinë e formës së tij. Me përkryeshmërinë e tij, ai ka ardhur përmes gjuhës së Pejgamberit të Tij, pa u ndryshuar qoftë edhe një shkronjë e vetme.

Zoti e ruajti librin e Tij të shenjtë nga çfarëdo shtrembërimi apo mashtrimi. Tek muslimanët, sikurse shkruan dr. Ali Xhumua, që nga fillimi i shpalljes së parë gjejmë përkushtimin dhe kulturën e ruajtjes së plotë të Kuranit: të shkronjave, fjalëve, vokaleve, radhës së ajeteve/vargjeve dhe sureve/kapitujve të tij. Muslimanët gjithmonë kanë ndier se gëzojnë mbështetjen nga Zoti i gjithëfuqishëm në ruajtjen e Librit të Tij: “Sigurisht, Ne e kemi zbritur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” (El Hixhr: 9).

Ky është një premtim i dhënë nga Krijuesi i gjithësisë, i Cili e ka zbritur Kuranin. Realiteti në të cilin jetojmë konfirmon se premtimi është realizuar. Kurani nuk është ruajtur në sirtarë, larg nga njerëzit, ai nuk është ruajtur nga familje të caktuara ose nga kategori të veçanta. Atë e ka ruajtur i gjithë ymeti musliman. E kanë mësuar dhe e mësojnë përmendësh me qindra mijëra njerëz të rritur e fëmijë të vegjël, madje edhe ata që nuk dinë as edhe një fjalë nga gjuha arabe. Armiqtë kanë bërë përpjekje për ta shtrembëruar Kuranin e Shenjtë por nuk kanë pasur sukses, janë përpjekur për ta përkthyer gabimisht atë por nuk ia kanë dalë. U munduan ta shtypin në mënyrë të shtrembëruar, por ai mbeti ashtu siç është zbritur.

Shekujt nuk mundën të hidhnin as cipën më të hollë të pluhurit të harresës mbi Kuranin, që ruajti gjatë gjithë kohës po atë njomësi e freski sikurse kur u shpall. Kurani do të ekzistojë gjithmonë në gjendjen e tij origjinale. Me masat që mori Pejgamberi a.s., fillimisht me vigjilencën e shokëve të tij dhe më pas të muslimanëve të çdo epoke, Kurani ka mbetur i pandryshuar. Kjo që ka ndodhur paraqet veçanti në historinë e Shpalljes. Ai nuk është ruajtur vetëm në rreshta por është ruajtur edhe në gjokse. Ai, që nga dita e parë, nuk është shkruar vetëm në objekte, por është qëndisur dhe shkruar edhe në memorien dhe zemrat e muslimanëve.

(Islampress)