Paraja është mjet, por jo qëllim

1627

Abdullah ibn esh-Shihhir (r.a.) ka thënë: “Unë shkova te Pejgamberi (savs), dhe ai po lexonte suren: ‘El-Hakumu-t-tekathur…’ Pastaj tha: ‘Njeriu do të thotë: ‘Pasuria ime, pasuria ime!’ kurse nga pasuria a do të kesh tjetër, përveç asaj që e ha dhe harxhohet, ose asaj që e vesh dhe vjetrohet, ose e jep një sadakë dhe ajo të mbetët.” (Muslimi)

Këshilla dhe udhëzime

Njeriu kur fiton para bëhet mendjemadh, mburret dhe krenohet me to, dhe vuan për të mbledhur sa më shumë që mundet, por shumë pak prej saj e shfrytëzon ai personalisht, sepse pas vdekjes së tij, pjesa tjetër e pasurisë i takon trashëgimtarëve.

Në një transmetim tjetër, Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Njeriu do të thotë: ‘Pasuria ime, pasuria ime!’ Atij nga pasuria e tij i takojnë vetëm tri (gjëra): (1) Ajo që e ha dhe e harxhon, (2) ajo që e vesh dhe e vjetron, dhe (3) ajo që e ndan dhe ashtu i ndihmon tjetrit. Sa i përket pjesës tjetër, ai do të vdesë, kurse pasuria do të mbetet për njerëzit.” (Muslimi)

Prandaj, pasuria është si një hije që do të zhduket, përkatësisht, si një mall i huazuar. Të gjitha pasuritë që Allahu i Plotfuqishëm ua ka dhënë njerëzve, në fakt ua ka dhënë atyre si sprovë dhe provim: “S’ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë sprovë, ndërsa ajo që është te Allahu, është shpërblim i madh.” (et-Tegabun, 15)

Nëse dashuria ndaj pasurisë rritet nga mjeti në qëllim, dhe nëse ajo dashuri e preokupon zemrën e njeriut, ajo do ta shkatërrojë atë – si në dynja ashtu edhe në ahiret. Atëherë njeriu bëhet rob i pasurisë, e cila ia pushton zemrën dhe e mbush me frikën e humbjes së saj. Ai vuan dhe bën përpjekje të mëdha për të pasur sa më shumë pasuri, dhe i shqetëson të gjithë rreth tij për të fituar edhe më shumë.

Pastaj, më në fund, kur njeriu vdes, rezultati i përpjekjes së tij ose të saj kalon tek të tjerët, kurse në Ditën e Gjykimit, krejt kjo do të ketë pasoja fatale.

Pavarësisht se sa përpiqet njeriu në atë udhëtim, megjithatë, i vetmi vend ku do ta harxhojë një pjesë të saj, është ushqimi që do ta hajë, pastaj rrobat me të cilat do ta mbulojë trupin e tij dhe do t’i vjetrojë, si dhe duke marrë për nevoja të ngjashme. Kurse përfitimi i vetëm real dhe i përjetshëm për këtë pasuri do të jetë ajo që e ruajmë për ahiret.

Të gjitha pasuritë tona që ne i fitojmë ju përkasin trashëgimtarëve

Kurse shtëpitë që ne i ndërtojmë ia lëmë kohës që t’i shkatërrojë.

Ibn Mesudi (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kush prej jush e don më shumë pasurinë e tij sesa pasurinë e trashëgimtarit të tij?” Ata thanë: ‘O ​​i Dërguari i Allahut, secili prej nesh e do më shumë pasurinë e tij.’ Meqë rast ai u tha: “Pasuria juaj është ajo që e shfrytëzoni ju, kurse pasuria e trashëgimtarëve tuaj është ajo që e lini.” (Buhariu)

Që do të thotë: Pasuria e trashëgimtarit është ajo që mbetet pas vdekjes së njeriut, kurse pasuria e tij është ajo që ai e shpenzon në bindje dhe devotshmëri ndaj Allahut, dobinë e të cilës ai do ta shohë në Ditën e Gjykimit.

Abdullah ibn Mesudi (r.a.), është pyetur: “Kush është njeri i mençur?” Dhe ai është përgjigjur: “Ai i cili pasurinë e tij e ruan në një vend ku nuk do ta hanë krimbat as nuk do ta gjejë hajduti.” (Sha’rani)

Njeriu dëshiron diçka,

kurse Allahu ia jep atë që Ai dëshiron.

Njeriu kërkon interesin dhe pasurinë,

kurse për të më e dobishme është devotshmëria!
(Ibn Rexheb el-Hanbeli);

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)