Unioni Botëror i Dijetarëve Islamik thotë: Koronavirusi nuk është pengesë për agjërim, përveç personave të infektuar

1105

Unioni Botëror i Dijetarëve Islamik (UBDI) njoftoi se koronavirusi (COVID-19) nuk është pengesë për agjërim, përveç personave të infektuar nga virusi.

Në deklaratën e Unionit Botëror të Dijetarëve Islamik (UBDI) thuhet se ata i mbikëqyrin nga afër të gjitha zhvillimet e pandemisë, veçanërisht tani në prag të ardhjes së muajit të bekuar, Ramazanit.

Duke vënë theks të veçantë debatet e lindura nëse duhet apo jo të agjërojmë gjatë kohës së pandemisë që e ka prekur gjithë botën, Unioni Botëror i Dijetarëve Islamik e ka bërë të qartë se koronavirusi nuk është pengesë për agjërimin, përveç për personat e infektuar nga virusi.

“Agjërimi i muajit Ramazan është një nga parimet themelore të Islamit. Agjërimi është obligim (farz) për të gjithë muslimanët e rritur, përveç atyre që lirohen nga ky detyrim si shkak i kushteve të caktuara siç janë sëmundja, udhëtimi, pleqëria dhe shtatzënia. Gjithashtu, COVID-19 nuk paraqet arsye legjitime që të mos agjërohet, përpos atyre që janë të prekur nga kjo sëmundje. Hulumtimet shkencore dhe medicinale tregojnë se agjërimi nuk e dobëson sistemin imunologjik, përkundrazi ai i ripërtërinë qelizat në trup dhe i bën dobi organizmit”, thuhet në dekalratë.

Gjithashtu thuhet se muslimanët në tokat ku janë të mbyllura xhamitë në suaza të masave shëndetësore për shkak të koronavirusit, namazin e teravisë duhet ta falin në shtëpitë e tyre.

Unioni gjithashtu u bën thirrje vendeve muslimane, që në suaza të mbrojtjes nga sëmundja, gjatë muajit të Ramazanit, t’i lëshojnë të gjithë të burgosurit, të arrihen marrëveshje për ndërprerje të luftërave, të hiqen të gjitha bllokadat dhe të lirohen nga burgu të gjithë dijetarët.

[Isl@mpress]