Fshati saudit me 300 puse: u gërmuan nga xhinët për Sulejmanin apo nga njerëzit?

1317

Laynah në veri të Arabisë Saudite është një nga fshatrat më historikisht të rëndësishëm në këtë vend.

Sipas historianit dhe studiuesit Hamad al-Jasser, fshati daton që në kohën e profetit Sulejman (Solomon).

Fshati ka një kështjellë shumë të vjetër, një vend i preferuar për shëtitësit dhe turistët. Por ajo që e bën të veçantë këtë fshat janë 300 puse të tij për të cilat vendasit janë të bindur se janë gërmuar nga xhinët për Sulejmanin, për të fuqizuar trupat e  tyre në rrugën e tyre nga Jeruzalemi në Jemen dhe kthim. E sot, veç 20 sosh, të tjerat janë tharë.

Puset janë gërmuar në shkëmbinj dhe lënë “pa gojë” si vizitorët e si ekspertët, pra njëlloj. “Ky është një vend tërheqës, e për shkak të terrenit shkëmbor është e pamundur të gërmosh këto puse,” thotë Hamadu al-Jasser.

Sipas një tradite popullore të ruajtur nga vendasit, kur Sulejmani udhëtoi për në Jemen, ai u ndal për drekë në vendin e asaj që është tani fshati Laynah. Njerëzit ishin të etur, por aty pranë nuk kishte ujë. Sulejmani vuri re se njëri nga ushtarët e tij xhin ishte duke qeshur; e pyeti për arsyen dhe ai u përgjigj: “Ju keni etje dhe ka shumë ujë nën këmbët tuaja”. Atëherë Sulejmani urdhëroi xhinët që të shponin shkëmbinjtë dhe të gërmonin puse.

Dr. Abdul Aziz el-Bassam, profesor i hidrogeologjisë në Seksionin Gjeologjik në Universitetin King Saud, e konfirmon këtë kur thotë se pjesa veriore e Saudit, ku ndodhet edhe ky fshat, ka shumë ujë të pijshëm.

Por ai thekson se “nuk ka prova të origjinalitetit të historisë së xhinëve që gërmuan puset ose burimet,” duke përmendur se ajo është “një gojëdhënë dhe nuk ka asnjë provë të besueshme të së vërtetës së saj”. Ai theksoi se “është një vend i civilizimeve antike dhe më afër së vërtetës është se njerëzit e gërmuan atë, gjë që konfirmohet nga vendbanimet e profetit Salih, ku njerëzit ndërtuan në shkëmbinj, si dhe piramidat gjithashtu. Kjo na jep bindjen se puset në këtë fshat janë ndërtuar nga dora e njeriut dhe jo nga xhinët.” /tesheshi.com/