Hani dhe pini, por mos e teproni

1337

Allahu i Plotfuqishëm thotë: „Hani dhe pini, por mos e teproni.“

Marrja e ushqimit dhe pijes është nevojë natyrore e njeriut, në të cilën nuk lejohet të teprohet. Qëllimi themelor i ushqimit të njeriut është ruajtja e jetës së tij, shëndetit dhe kondicionit të tij fizik, për t’i shërbyer Allahut të Plotfuqishëm dhe për të kryer bamirësi të përditshme.

Para së gjithash, muslimani është i detyruar të kujeset që ushqimi dhe pijet që i fut në trupin e tij, të jenë të lejuara (hallall). Kjo është shumë e rëndësishme sot, sepse ushqimi që e blejmë, kryesisht importohet dhe përmban aditivë të caktuar, të cilët janë shumë të dëmshëm për organizmin njerëzor, si dhe janë shkaktarë të drejtpërdrejtë të sëmundjeve të ndryshme.

Janë të ndaluar për ushqim gjaku, kafshët e ngordhura, kafshët grabiçare, pijet dehëse dhe mishi i derrit. Ato janë të ndaluara për shkak të efekteve të tyre të dëmshme në organizmin e njeriut.

Gjithashtu, mënyra se si i arrijmë dhe fitojmë mjetet për ushqim, duhet të jetë mënyrë e lejuar në Islam. Sepse, është e sigurt se, nuk ka lumturi as bereqet në një familje, as në një bashkësi, e cila ushqehet me haram dhe me ushqim të fituar në mënyrë haram.

Në fillim të ushqimit është sunet të lexohet bismil-lahi.

Është mirë të lexohet edhe kjo lutje:

„Allahumme barik lena fiima rezaktena verzukna hajren minhu.“
(O Zoti ynë, na jep bereqet në atë që na ke furnizuar,
dhe na furnizo edhe me më të mirë se kjo!)

Është mirë të pranishmëve t’ua përkujtojmë bismil-lahin.

Ka thënë Ibn Muflih (r.h.): „Njeriu kur të gjendet në sofër me shoqëri duhet të thotë BISMIL-LAHI ME ZË, për t’ua përkujtuar të pranishmëve obligimin e tij!“ (Adab el-Sher’ije, 3/173)

Sunet është ngrënia me dorën e djathtë, sepse Muhamedi (savs) ka thënë: „Në fillim të ngrënies lexoje bismil-lahin, ha me dorën e djathtë dhe ha para vetes.“ (Buhariu dhe Musllimi)

Është mirë që ushqimi të merret me kafshata të vogla, pasiqë të përtypet mirë dhe të gëlltitet, të merret kafshata tjetër. Është e shëmtuar të fryhet në ushqim të nxehtë dhe të pihet shumë ujë gjatë ngrënies. Pejgamberi (savs) ka ngrënë me gishta të dorës së djathtë. Ai që ha në këtë mënyrë, e ndjek sunetin. Megjithatë, nuk ka asnjë pengesë që muslimani të ha edhe me lugë ose pirun, por kjo duhet të bëhet me dorën e djathtë.

Këtë përmbledhje të shkurtër mbi rregullat që kanë të bëjnë me ushqimin dhe pijet, do ta përfundojmë me mesazhin e Allahut të Plotfuqishëm, të cilin e kemi përmendur në fillim të tekstit, që është: Në asnjë rast dhe kurrë të mos hamë tepër, përkatësisht, mos ta teprojmë as në ngrënie, as në pirje. Muslimani duhet të jetë i moderuar në çdo gjë, në mënyrë që me ekzagjerim, mos ta dëmtojmë shëndetin tonë. Allahu na ka krijuar neve dhe Ai, e din më së miri se çka është e rëndësishme për ne.

Për këtë arsye, të gjitha ajetet kuranore dhe këshillat janë të vlefshme si ari, udhëzues të rendësishëm për sukses dhe për lumturi dhe jetë të rehatshme në jetën e kësaj bote.

Akos.ba; Admir Iković

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)