Kosovë, hapen xhamitë për besimtarët pas më shumë se dy muajsh

585

Me rregulla të veçanta për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19) sot janë hapur xhamitë e Kosovës pas më shumë se dy muajsh të mbyllura, raporton Anadolu Agency (AA).

Besimtarë të shumtë i janë përgjigjur thirrjes së ezanit duke shkuar në xhami, gjë të cilën nuk kanë pasur rastin ta bëjnë që nga 14 marsi kur ato u mbyllën përkohësisht me vendim të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Në Xhaminë e Madhe apo Xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih” ku u falën dhjetëra besimtarë, ritualin e kryen me udhëzimet e dhëna nga autoritetet shëndetësore të cilat njëherësh i ka kërkuar Bashkësia Islame e Kosovës.

Me maska dhe doreza të vendosura dhe me dezinfektues duarsh në dispozicion, besimtarët janë radhitur bazuar në shirita të cilat janë ngjitur për të respektuar distancën sociale.

Përpos këtyre kërkesave, besimtarëve nuk do t’u lejohet tani e tutje të përdorin vendet ku merret abdes, të mos ketë tubime tjera përpos faljes së namazeve në xhami; si dhe ligjëratat e xhumasë të mos zgjasin më tepër se 10 minuta.

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora tha se hapja e xhamive ishte një lajm i gëzueshëm për të gjithë besimtarët që po kthehen në vendfalje.

“Ne ju përmbajtëm me përpikëri të gjitha atyre rekomandimeve që na erdhën nga organet tona të Qeverisë, nga ministria dhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, të cilët i falënderoj për përkushtimin, zellin dhe punën e palodhshme për mbrojtjen e shëndetit të popullatës”, tha Bajgora.

Ali Sefaj i cili fali namazin në këtë xhami, tha se xhamitë në disa fshatra me pak xhematë kanë mundur të hapen edhe më herët, gjatë Ramazanit, por, shprehet i gëzuar që kjo ndodhi edhe tani.

“Falënderimi i takon Zotit që na mundësoi t’i kthehemi xhamisë, është gëzim i papërshkrueshëm, që nuk përshkruhet me fjalë për faktin se sevapet kur namazi falet në shtëpinë e Allahut dhe kur falet me xhematë është shumë më i madh. Shpresoj të mos kemi më sprova të tilla dhe njëkohësisht të mësojmë nga kjo sprovë që një virus i vogël të na bëjë të kuptojmë madhështinë e Zotit dhe vogëlsinë tonë si krijesa njerëzore”, tha ai.

Ish-myezini i xhamisë, i cili për rreth 20 vjet ka shërbyer në këtë xhami, Ahmet Ajeti, tha se i ka munguar xhamia, sidomos meqë në këtë kohë ka qëndruar i mbyllur në shtëpi për shkak të pandemisë.

“Befasi dhe kënaqësi e madhe, se shumë na kanë munguar duke qëndruar vetëm në shtëpi të bllokuar. Dashtë Zoti të mos ndodhë më kjo dhe gjithë të sëmurët të shërohen”, tha ai.

Vendimi për hapjen e objekteve fetare, përfshirë xhamitë dhe kishat me rregulla të veçanta, u mor më 25 maj nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në prani të kryeimamit të BIK-ut, Naim Tërnava si dhe ipeshkvit Dodë Gjergji.

Nga sot gjithashtu edhe qytetarëve u lejohet lëvizja e lirë duke respektuar masat mbrojtëse nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 21:00 të mbrëmjes.