Surja Kehf dhe paraqitja e Dexhallit

786

Transmeton Ebu Derda r.a se i Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë: “Kush i mëson dhjetë ajetet e para të sures El-Kehf, Dexhalli nuk do të ketë asnjë fuqi mbi të.” (Muslimi)

A jeni pyetur ndonjëherë se përse surja Kehf lexohet të premten?

Kjo sure ka katër tregime:

Banorët e shpellës: Tregimi për djelmoshat që jetonin mes një populli pabesimtarë dhe të cilët vendosën të bëjnë hixhreti për hir të Allahut, andaj, Allahu i Madhërishëm me mëshirën e Tij i largoi në një shpellë ku fletën më shumë se 300 vjet, dhe kur u zgjuan takuan të gjithë qytetin me besimtarë. Mësimi: Sprova në fe

Tregimi mbi njeriun: të cilit Allahu i dha një kopsht i cili jepte shumë fruta, ndërsa ai nuk ishte falënderues por mbahej mendjemadh, andaj Allahu e shkatërroi pasurinë e tij. Mësimi: Sprova në pasuri

Musa a.s dhe Hidri: Kur Musai a.s u pyet se kush ka dije më të madhe, ai tha: “Unë jam më i urti.” Andaj Allahu i Madhërishëm e takoi me njeriun i cili e mësoi se “gjërat e këqija” që na ndodhin, me vete bartin urtësinë Hyjnore e cila për ne është e panjohur. Mësimi: Sprova në Dituri

Dhulkarnejni: Tregimi mbi mbretin i cili ndihmoi popullin që ishte mërzitur nga Je’xhuxhet dhe Ma’xhuxhët ashtu që ndërtoi pendën mes tyre. Mësimi: Sprova në fuqi

Cila është lidhja mes këtyre dhe Dexhallit?

– Do të kërkojë nga njerëzit ta adhurojnë atë në vend të Allahut (sprova në fe)

– Do ta kontrolloj shiun dhe njerëzit do ti sprovoj me pasurinë e tij (sprova në pasuri).

– Do t’i sprovoj njerëzit me “diturinë” dhe lajmet që do t’ua tregoj (sprova në dituri).

– Do të kontrolloj pjesë të mëdha të tokës ( Sprova në fuqi).

Si t’i përballojmë këto sprova?

1. Gjetja e shoqërisë së mirë. Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkujtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar. (Kehf 28)

2. Njohja e realitetit të kësaj bote. E ti (Muhamed) paraqitja atyre shembullin e kësaj bote që është si një ujë (shi) që Ne e lëshojmë nga qielli, e prej tij bima e tokës zhvillohet e shpeshtohet sa që përzihet mes vete, e pas pak ajo bëhet byk (pas tharjes) që e shpërndajnë erërat. Allahu ka fuqi për çdo send.(45)

3. Modestia dhe durimi. (Musai) Tha: “Në dashtë Allahu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të kundërshtoj ty asgjë!” (69).

4. Duaja. Lexo çka të është shpallur ty nga libri i Zotit tënd! Nuk ka kush që mund t’i ndryshojë fjalët e Tij dhe pos Tij, nuk mund të gjesh strehim. (27).

5. Sinqeriteti. Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askë.(110).

6. Përkujtimi i Ahiretit. (Përkujto) Ditën kur Ne i shkulim kodrat, dhe tokën e sheh të sheshtë (të zbuluar) dhe Ne i tubojmë ata e nuk na mbete asnjë prej tyre pa e tubuar. (47). Ata do të sillen të radhitur para Zotit tënd (e do t’u thuhet): “Tashmë Na erdhët, ashtu siç ju krijuam herën e parë, ndonëse ju (o ju besimtarë) pretendonit se nuk do t’ju caktojmë një takim (ringjalljen). (48). Dhe vihet libri (i veprave),e i sheh mëkatarët të frikësuar nga shënimet që janë në të dhe thonë: “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?” dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme – prezente, e Zoti yt nuk i bën padrejtë askujt. (49).

Burimi: preporod.com

Përshtati: Arsim Dauti

(Islampress)