Takvaja – Devotshmëria*

768

Termi takva përdoret për të shprehur përpikërinë që tregohet në ndjekjen e urdhrave dhe këshillave të fesë dhe në largimin nga haramet dhe mëkatet.
 
 
Përkufizimi

Termin takva, i cili rrjedh nga rrënja vikajeh, që në aspektin etimologjik nënkupton “të ruhesh, të mbrohesh, të kesh kujdes, të largohesh, të respektosh, të jesh i dëgjueshëm, të jesh fetar, të ndjekësh me përkushtim, të frikohesh, të druhesh”, Sejjid Sherif el-Xhurxhani e përkufizon kështu: “Të ruhesh nga dënimi i Zotit duke e respektuar Atë. Kjo realizohet duke e ruajtur nefsin nga sjelljet për të cilat njeriu do të meritonte të ndëshkohej”.[1]
 


Përdorimi i këtij termi në Kur’an dhe Sunnet
 

a. Në kuptimin e dëgjueshmërisë
Termi takva dhe format tjera të derivuara nga rrënja e saj si ittikatekijjetkamuttekijj në Kur’an përmenden 285 herë. Në Kur’an dhe në hadithet e Pejgamberit a.s. termi takva ndonjëherë përmendet në kuptimin e tij etimologjik, kurse disa herë të tjera në kuptimin “të ruhesh nga dënimi i Zotit duke i ndjekur urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij”. Përgjithësisht pejgamberët u janë drejtuar ummeteve të tyre me fjalët:“Kini frikë (dënimit të) All-llahut e jini të dëgjueshëm ndaj meje!” (esh-Shu’ara, 26:108, 179).

Duke qenë se ai që është i dëgjueshëm ndaj Pejgamberit a.s. është i dëgjueshëm edhe ndaj All-llahut xh.sh. (en-Nisa’, 4:80), takvaja nënkupton dëgjueshmërinë ndaj All-llahut dhe ndaj Pejgamberit të Tij.
 

b. Në kuptimin e ruajtjes, mbrojtjes
Kur Kur’ani flet për besimtarët si zotërues të takvasë, zakonisht aty flitet edhe për mbrojtjen e tyre nga dënimi i xhehenemit (ed-Duhan, 44:56; et-Tur, 52:18; el-Insan, 76:11); prandaj edhe besimtari kërkon nga All-llahu ta mbrojë nga dënimi i xhehenemit (el-Bekara, 2:201; Alu Imran, 3:191). Emërtimi i All-llahut me termin ehlu’t-takva (el-Muddeththir, 74:56) nënkupton se Ai është mbrojtës dhe strehues i mirë për ata që e kërkojnë këtë prej Tij. Edhe shprehja “ruaj” në lutjen “Na ruaj nga dënimi i zjarrit!” (el-Bekara, 2:201; Alu Imran, 3:16, 191) dhe “ruajeni” te ajeti “Ruajeni vetveten dhe familjen tuaj nga zjarri!” (et-Tahrim, 66:6) vijnë nga e njëjta rrënjë.


c. Në kuptimin e frikës që lind nga respekti
Fjala takva në Kur’an përmendet 17 herë (p.sh. shiko el-Bekara, 2:197; el-Maideh, 5:2; el-A’raf, 7:26; et-Teubeh, 9:108; Taha, 20:132). Komentuesit (mufessirun) klasikë të Kur’anit fjalës takva dhe formave urdhërore që dalin nga ajo kryesisht ia kanë dhënë kuptimin “Frikohuni All-llahut!” ose “Kijeni frikë All-llahun!”. Edhe pse kjo folje në vetvete përmban edhe kuptimin frikë, kjo nuk nënkupton druajtjen nga diçka e frikshme dhe e tmerrshme, porse shpreh druajtjen të mos ia lëndosh zemrën dikujt që e do, shpreh ndjeshmërinë e respektimit dhe përgjegjësisë ndaj Krijuesit. Në këtë kontekst, përkthimet si “Vetëdija për Zotin” ose “Vetëdija për përgjegjësinë ndaj Zotit”, që ofrohen për fjalën takva, na duket se i përgjigjen më mirë përmbajtjes së vetë termit. Frikën që e përmbajnë termet takva dhe ittika në fakt buron nga respekti dhe nderimi që njeriu e ndjenë karshi All-llahut xh.sh. Një ndjenjë e këtillë besimtarët i largon nga veprat e këqija e mëkatet dhe i nxit drejt veprave të mira e të këndshme. Në Kur’an dhe në hadithet e Pejgamberit a.s. kur flitet për frikën me rastin e fatkeqësive të ndryshme, të kijametit, të ringjalljes dhe të xhehenemit përdoren fjalë që burojnë nga termet hauf, hashjeh, feza’, rahbeh, vexhel, ru’b, ishfak. Në ajetet me kuptimin “Mos kini frikë prej tyre, por prej Meje!” (el-Bekara, 2:150; Alu Imran, 3:176) frika nga Zoti përmendet me termin hauf dhe hashjeh. Ndërkaq në ajetin 52 të sures 24, en-Nur, përmenden njëra pas tjetrës fjalët hashjehdhe ittika. Që të gjitha këto tregojnë se në vija të përgjithshme takvajaështë diçka ndryshe nga frika. Është me rëndësi të përmendet se Pejgamberi a.s. shpesh bënte du’a, lutje, me këto shprehje: “O Allah,  kërkoj strehim/mbrojtje te Ti prej Teje!”[2] ose: “Kërkoj mbrojtje tek All-llahu nga hidhërimi i Tij![3] Sipas kësaj takvado të thotë të kërkosh mbrojtje dhe strehë tek All-llahu xh.sh. nga hidhërimi dhe zemërimi i Tij. Në Kur’an kërkohet prej besimtarëve që ta ruajnë vetveten nga shejtani, nga fitneja (el-Enfal, 8:25), nga xhehennemi (Alu Imran, 3:131), nga kijameti (el-Insan; 76:11). Në këtë aspekt takvado të thotë të kërkosh mbrojtjen e Zotit kundër çdo gjëje të keqe e të dëmshme. Kjo ndërkaq realizohet duke u ikur mëkateve dhe duke iu drejtuar punëve të mira. Për ruajtjen nga e keqja Kur’ani e përdor termin hadher (el-Munafikun; 63:4; et-Tegabun, 64:14).
 

Muttekiu – i devotshmi
Fjala muttekijj, që nënkupton njeriun e devotshëm, në Kur’an përdoret 48 herë (p.sh. el-Bekara, 2:2; Alu Imran, 3:76; el-Maideh, 5:27; el-A’raf, 7:128; el-Enfal, 8:34). Në këto ajete përshkruhen vetitë e njerëzve të devotshëm (muttekijjun). E kundërta e fjalës takvaështë fuxhur, ndërkaq e kundërta e fjalës muttekijj është faxhir (esh-Shems, 91:8; Tirmidhiu, Menakib, 73; Ebu Davudi, Edeb, 111). Edhe fjala tekijj (Merjem, 19:13, 18, 63) përdoret në kuptim të muttekijj (i devotshëm). Edhe fjala vakose el-vaki (er-Ra’d, 13:34, 37; el-Mu’min, 40:21) që nënkupton “mbrojtës, ruajtës” rrjedh nga e njëjta rrënjë.

Përmendja e shpeshtë e fjalës takva dhe e formave derivuese të saj në Kur’an, në raste të ndryshme dhe në forma të ndryshme, flet mjaftueshëm për rëndësinë që ka ky koncept në Islam. Për vlerën e takvasë në Kur’an theksohen këto aspekte: All-llahu është me ata që kanë takva (el-Bekara, 2:194; et-Teubeh, 9:36, 123); i mbron ata dhe u ndihmon; Ai i do ata që kanë takva (Alu Imran, 3:76; et-Teubeh,9:4, 7); Ai është mik, i dashur, mbrojtës i të devotshmëve (el-Xhathijeh, 45:18). Takvaja në të njëjtën kohë është një koncept që ka të bëjë me imanin (besimin) dhe me zemrën. Ata që sillen me respekt ndaj Pejgamberit a.s. përshkruhen si njerëz të cilëve All-llahu xh.sh. ua kalit, ua përshtat ose edhe i sprovon zemrat e tyre për takvanë (el-Huxhurat, 49:3). Respektimi i vendimeve të All-llahut xh.sh. pa dyshim që buron nga takvaja që ata kanë në zemrat e tyre (el-Haxhxh, 22:37).
 

Takvaja buron nga imani
All-llahu xh.sh. e frymëzon takvanë në nefsin/zemrën e njeriut (esh-Shems, 91:8). Pejgamberi a.s. duke shënjuar me dorën e tij në gjoks ka thënë: “Takvaja është këtu”[4], por e ka bërë edhe këtë lutje: “O All-llahu im, jepja nefsit tim (zemrës sime) takvanë!”[5]. Me fjalën takva e zemrës nënkuptohet imani (besimi), jakini (bindja e paluhatshme), sinqeriteti dhe respekti i thellë ndaj All-llahut xh.sh. Në Kur’an theksohet lidhshmëria që ekziston midis takvasëdhe besimit (imanit): “Druhuni nga All-llahu po qe se jeni besimtarë!” (el-Maideh, 5:11, 57, 88). Të jesh i devotshëm, me takva, është kërkesë e besimit. Të gjithë pejgamberët kanë kërkuar prej ummeteve të tyre të jenë të devotshëm, me takva. Për të gjithë ata që janë të devotshëm Kur’ani është një libër udhëzimi (el-Bekara, 2:2; Alu Imran, 3:138; el-Maideh, 5:46). Edhe arsyeja dhe ndërgjegjja kërkojnë të jesh i devotshëm (et-Talak, 65:10).
 

Takvaja dhe shpëtimi në të dyja botët
Edhe nga aspekti që fjala takvanënkupton “ruajtjen dhe mbrojtjen”, ka një lidhje të ngushtë me kijametin, ringjalljen, xhehennemin, xhenetin dhe me jetën e amshueshme. Kur’ani flet se ata që janë të devotshëm do të kenë përfundim të mirë (Taha, 20:132; el-Kasas, 28:83; Sad, 38:49; ez-Zuhruf, 43:35). Një ardhmëri e mirë që u premtohet të devotshmëve ka të bëjë edhe me jetën  e kësaj bote, mirëpo për të arritur fundin e lumtur duhet me qenë i durueshëm (el-A’raf, 7:128; Hud, 11:49). Rruga e arritjes së shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër, që në Kur’an shprehet me fjalët feuz (sukses), nexhat (shpëtim) dhe felah (mirëqenie), varet nga të qenët i devotshëm, me takva (el-Bekara, 2:189; el-Maideh, 5:35, 100; ez-Zumer, 39:61; en-Nebe’, 78:31). Zahireja (furnizimi) më e mirë për në botën tjetër dhe ajo që atje do të jetë më e dobishme është takvaja (el-Bekara, 2:197). Xheneti është përgatitur për të devotshmit (Alu Imran, 3:133; el-Hixhr, 15:45; ed-Duhan, 44:51). Në Kur’an thuhet qartë se ata që nuk kanë takvasiç janë tiranët, zullumqarët, ngatërrestarët, ata që nuk ruhen nga kryerja e mëkateve dhe e punëve të këqija, do të dënohen në xhehennem.
 

Takvaja të ndriçon mendjen me dritën hyjnore
Takvaja bën të mundur që All-llahu xh.sh. ta mësojë dhe ndriçojë robin e Tij (el-Bekara, 2:282; el-Enfal, 8:29). Një besimtari të devotshëm të cilit zemra i ndriçohet me një dritë hyjnore (furkan), ka mundësinë të bëjë dallimin midis së mirës dhe të keqes, midis së vërtetës dhe të pavërtetës, midis sevapit (shpërblimit) dhe mëkatit; ai ik me kujdesin më të madh nga e ndaluara dhe mëkati. Edhe nxjerrja e mësimeve nga ngjarjet historike dhe sociale bëhet në saje të takvasë (el-Bekara, 2:66; Alu Imran, 3:138; en-Nur, 24:34).
 

Takvaja dhe virtytet morale
Në Kur’an flitet edhe për lidhjen midis vlerave morale dhe takvasëTakvaja prezantohet si një arsyetim shpirtëror për largimin nga mëkatet e të këqijat dhe për orientimin drejt të mirave dhe sevapeve. Kështu që takvaja lidhet ngushtë me faljen (el-Bekara, 2:189), me lidhjen farefisnore (en-Nisa’, 4:1), me drejtësinë (el-Maideh, 5:8), me korrektësinë (el-Bekara, 2:177; ez-Zumer, 39:33), me fjalën e drejtë (el-Ahzab, 33:70), me mirënjohjen (Alu Imran, 3:123), me mëshirën (el-En’am, 6:155; Jasin, 36:45), me mirësinë (el-Bekara, 2:189)… Besimtari më i vlefshëm tek All-llahu xh.sh. theksohet të jetë ai që ka më shumë takva, që është më shumë i devotshëm (el-Huxhurat, 49:13) dhe se petku i takvasë (el-A’raf, 7:26) është takvajae zemrës e cila manifestohet në trupin dhe organet e besimtarit dhe e cila e mbron atë si një mburojë, parzmore. Edhe Pejgamberi a.s. ka thënë se ahlaku, morali i një besimtari të devotshëm, me takva, do të jetë vetëm i mirë dhe jo ndryshe.[6]

Forma më e përkryer e takvasë është të kesh një takva meritore ndaj All-llahut xh.sh. Mirëpo besimtari e ka të vështirë ta arrijë një takvatë tillë. Për këtë arsye All-llahu xh.sh. në Kur’an na thotë: “Andaj druhuni Perëndisë sa të mundeni, dhe dëgjoni, dhe përuluni dhe shpenzoni (prej pasurisë suaj) për të mirën tuaj. E ata që ruhen nga lakmia e madhe, janë fitues.” (et-Tegabun, 64:16). Të devotshmin Kur’ani e quan tekijj dhe muttekijj, atë që është në një shkallë më të lartë të takvasë e quan etka (el-Huxhurat, 49:13; el-Lejl, 92:17). Kjo nënkupton se takvaja ka disa shkallë të saj. Besimtari është afër All-llahut xh.sh. aq sa ai ndjen respekt ndaj Tij.[7]  Kush dhe sa është i devotshëm, këtë e di më së miri vetëm All-llahu xh.sh. (Alu Imran, 3:115; et-Teubeh, 9:44). Besimtari mundohet të bëhet i devotshëm, mirëpo nuk pretendon se është i tillë. Pejgamberi a.s. ka qenë njeriu më i devotshëm në mesin e njerëzve.[8]  Në një hadith kudsij thuhet se evlijatë (të dashurit e Zotit) janë besimtarët me devotshmëri të lartë.[9]
 
Takvaja e tepruar shkakton vesvese
Takvaja kërkon një përpikëri të thellë kur është në pyetje sevapi dhe gjynahu, hallallidhe harami. Në Islam hallallet (të lejuarat) dhe haramet (të ndaluarat) janë të qarta. Mirëpo midis tyre ndodhen edhe gjëra të dyshimta. Ai që ruhet nga këto të dyshimta e ka ruajtur fenë dhe nderin e vet. Në një hadith Pejgamberi a.s. na porosit t’u ikim sendeve të dyshimta dhe t’u drejtohemi atyre që nuk janë të tilla.[10] Edhe dy hadithet në vazhdim tregojnë se është kërkesë e takvasëqë t’u ikim gjërave që nuk janë hallalldhe mubah(të lejuara): “Mëkati (gjynahu) është ajo që nuk të lë të qetë dhe nuk të fle në zemër”[11],“Fetvanë (përgjigjen) lype nga zemra jote”.[12]Takvaja kërkon që në radhë të parë të largohemi nga sendet e dyshimta kur janë në pyetje të drejtat e njeriut, prandaj edhe ndalohet gjykimi i dikujt me dëshmi të dyshimta.[13] Ruajtja nga sendet e ndaluara dhe të dyshimta ka rëndësi si për nga haku (e drejta) i Zotit ashtu edhe për nga haku i njeriut. Juristët islamë për shembull kanë thënë që nëse dikush bie në dyshim nëse namazin e ka kryer plotësisht ose jo, si kërkesë e takvasëai duhet ta përsërisë atë namaz, mirëpo nëse bie në dyshim nëse i ka dikujt borxh ose jo, nuk ka nevojë që për çdo rast t’ia paguajë atij borxhin, pa ia kërkuar i zoti i tij.[14] Për mallrat që shiten nëpër tregje e shitore, nuk duhet hulumtuar nëse këto janë të vjedhura ose jo. Sepse sendet në bazë janë të lejuara (përveç nëse nuk dëshmohet e kundërta – R.N.); dhe ne duhet të kultivojmë mendim të mirë dhe pozitiv për shitësin. Mirëpo, në shtetet jo-islame është kërkesë e takvasë të interesohesh për artikujt që i blen në mos kanë elemente të derrit ose të alkoolit. Të jesh i përpiktë kur është në pyetje ryshfeti, dhurata, vakëfi, autorizimi, trashëgimia, po edhe në raportet punëdhënës-punëmarrës, në shërbimet publike, në shkollë, në spital etj. është kërkesë e lartë e takvasë. E njëjta vlen edhe në raport me natyrën, rrugët publike, gjallesat tjera etj.[15] Edhe pse takvaja është një virtyt bazë, teprimi në këtë drejtim ndonjëherë mund t’u hapë rrugë dyshimeve dhe vesveseve. Kjo gjendje pastaj nuk ka lidhje me takvanë. Lidhur me këtë Muhammedi a.s. ka thënë: “Janë shkatërruar (mutenatti’unët): ata që e kanë tepruar në punët e fesë (duke i stërholluar gjërat dhe ndarë qimet katërsh)”.[16]


Takvaja në tasavvuf (misticizmin islam)
Asketët (zahid) dhe mistikët (sufij) e parë tregonin kujdes të veçantë në çështjet e druajtjes nga Zoti, në strehimin te Zoti dhe në largimin nga gjërat e dyshimta. Në këtë periudhë janë bërë disa përkufizime të takvasë dhe është diskutuar rreth formave të saj si dhe rreth rezultateve dhe dobive të saj. Sipas sufijve është kërkesë e takvasë që të mos harxhohen më shumë se që ka nevojë të mirat e kësaj bote të kategorisë mubah dhe hallall. Disa asketë e mistikë e kanë konsideruar pjesë të takvasë të mjaftuarit me më të paktat e këtyre të mirave. Sufijtë gjithnjë kanë parapëlqyer që për bazë ta kenë kujdesin dhe të kryejnë atë që është e përgjithshme dhe bazike si dhe t’u largohen gjërave të dyshimta. Ata kanë vepruar jo në bazë të asaj që është e lejuar, por në bazë të asaj që është më e mirë dhe më e vlefshme. Ata e kanë konsideruar mëkat në qoftë se një i ngritur në takvaështë sjellë sikur të ishte një njeri i rëndomtë.[17] Sipas sufijve takvaja që është pllakosur në zemër bëhet burim i të gjitha dijeve dhe bekimeve.[18] Pikërisht nga kjo arsye edhe ajetin i cili flet për rëndësinë e takvasë (en-Nisa’, 4:31) ata e kanë quajtur “kutbu’l-Kur’an” (poli, shtylla e Kur’anit).[19]

Sufijtë janë unikë në mendimin se nxënia e njohurive të shëndosha fetare, arritja e keshf-it (zbulim, frymëzim fetar) dhe e keramet-it (mrekulli e njerëzve të ngritur shpirtërisht) është e mundur vetëm në saje të një jete fetare të mbështetur në takvanë. All-llahu xh.sh. nefsit (zemrës) ia ka frymëzuar edhe mëkatin edhe takvanë (esh-Shems, 91:8). Imani është lakuriq; tesha e tij është takvaja, stolisja e tij është vera’-ja (qëndrimi larg dyshimeve dhe gjërave të kota), kurse produkti i tij është dija, njohuria.[20] Sipas këtij kuptimi takvaja është një dritë hyjnore në zemrën e pastruar nga mëkatet. Në bazë të kësaj drite besimtari e sheh të keqen dhe mëkatin dhe largohet prej tyre, si dhe të mirën dhe të lavdëruarën dhe e ndjek atë.[21] Harith el-Muhasibiu takvanë e përkufizon kështu: “Ta dëgjosh All-llahun dhe të largohesh nga mëkatet nëpërmjet një drite që të vjen nga All-llahu”.[22] Sipas Ebu Bekir el-Verrakiut njeriu i ndriçon gjendjet e tij nëpërmjet dritës së bindjes (jakin) dhe në saje të kësaj drite ai arrin shkallën e të devotshmëve, zotëruesve të takvasë.[23] Muhammed el-Xheriri thotë se pa i stabilizuar gjendjet e takvasë dhe të murakabesë (vetëkontrollit) nuk mund të arrihen shkallët e keshfit dhe të mushahedesë (njohjes së plotë në saje të dritës hyjnore).[24]
 

Takvaja e jashtme dhe e brendshme në tasavvuf
Sufijtë kanë folur për dimensionet e jashtme/të dukshme dhe të brendshme/të fshehta të takvasëTakvaja e brendshme përbëhet nga nijeti i mirë dhe sinqeriteti që ndodhet në zemër, kurse takvaja e jashtme përbëhet nga ndjekja e përpiktë e rregullave të fesë.[25] Sipas el-Muhasibiut takvaja e vërtetë e zemrës përbëhet nga kujdesi për ta arritur kënaqësinë (rizanë) e Zotit gjatë ibadeteve, kurse takvaja e trupit dhe e organeve përbëhet nga kujdesi ndaj anës formale të tyre.[26] Sipas Ibni Mesrukiut takvaja është rezultat dhe fryt i respektit dhe nderimit ndaj Zotit. Të tregosh respekt ndaj njerëzve është rezultat i respektimit të Zotit. Përmes këtij respekti njeriu e arrin vërtetësinë e takvasë.[27] Gjënë më të mirë që ia ka dhënë Zoti njeriut është takvaja; ndërkaq baza e takvasë, që është burimi i të gjitha virtyteve morale, është ihlasi (sinqeriteti, çiltërsia).[28] Takvaja nënkupton moralin e bukur dhe kafshatën hallall [29]Tevekkuli (mbështetja në Zotin), rizaja (kënaqësia me Zotin) dhe sabri (durimi ndaj të papriturave) që të gjithë janë tregues të takvasë.[30]
 
 Shkallët e takvasë në tasavvuf


Ta ruash hallallin nga dyshimet është takvajae njerëzve të rëndomtë (avam). Njerëzit e veçantë (havass) ndërkaq takva e quajnë të heqësh dorë nga ajo që është hallall dhe e cila i tejkalon nevojat e njeriut. Sipas disa sufijve takva do të thotë të heqësh dorë nga ajo që nuk është e domosdoshme. Sipas arif-ëve (gnostikëve) takva do të thotë që njeriu të ruhet nga gjithçka tjetër pos Zotit dhe në zemrën e tij t’i bëjë vend vetëm Atij.[31] Muridi (dervishi fillestar) duhet të jetë abstenues, në çështje të hallallit duhet ta ndajë qimen katërsh, mirëpo nuk duhet ta teprojë sa të kalojë në vesvese.[32] Sufijtë flasin për shkallë a nivele të ndryshme të takvasëTakvaja e njerëzve të rëndomtë ka të bëjë me largimin e tyre nga shirku (paganizmi) dhe kufri (mosbesimi), takvaja e njerëzve të veçantë është largimi nga mëkatet dhe të këqijat, takvaja e evlijave (të dashurve të Zotit) është afrimi te Zoti duke i bërë vesile (mjet, ndërmjetësues) veprat e tyre, kurse takvaja e pejgamberëve është duke ia referuar veprat e veta Zotit.[33] Njeriu i devotshëm, me takva, nuk e përzien shirkun me tevhidin (besimin në një Zot), munafikllëkun (hipokrizinë) me imanin dhe me ihlasin, haramin ose hallallin me të dyshimtën, bidatin (risinë në fe) me ibadetin (adhurimin) dhe punët e mira. Të jesh i zënë me dhikër (përkujtim të Zotit) nënkupton takvanë e gjuhës, të jesh i dëgjueshëm ndaj urdhrave të Zotit nënkupton takvanë e trupit, të mos lidhesh me askënd tjetër pos Zotit nënkupton takvanë e zemrës. Gazzaliu, i cili takvanë e përkufizon kësisoj: “dëlirja e zemrës së besimtarit nga të këqijat”, e ndanë atë pastaj më dysh: Takvaja themelore, bazike, që nënkupton largimin nga haramet dhe të këqijat dhe që është farz (e obligueshme) për çdokënd, dhe takvaja e avancuar e cila nënkupton largimin nga e lejuara dhe hallalli për t’u orientuar drejt më të mirës dhe më fisnikes. Kjo e dyta nuk është farz, porse fazilet (virtyt).[34] Gazzaliu pohon se takvaja është një shkallë apo nivel i veçantë dhe më i lartësuar se vera-ja dhe se në Kur’an koncepti takva përdoret në kuptim të “hashjetit (druajtjes) dhe haufit (frikës)” (el-Bekara, 2:41), në kuptim të “itaatit (dëgjueshmërisë) dhe ibadetit (adhurimit)” (Alu Imran, 3:102) dhe në kuptim të “dëlirjes së zemrës nga mëkatet” (en-Nur, 24:52),[35] dhe thekson se për takvanë pesë organe janë shumë të rëndësishme e që janë: syri, veshi, gjuha, zemra dhe barku.[36] Mevlana Xhelaluddin er-Rumiu thotë se takvaja e hap mendjen dhe horizontin e njeriut.[37] Në tasavvuf takvaja është pranuar edhe si një mekam (pozitë, status, shkallë).[38] Takvaja është një bazë për të cilën duhet të kenë kujdes në veçanti muridët dhe dervishët.[39]Sufijtë gjithashtu kanë tërhequr vërejtjen për nevojën që besimtari duhet të ruhet nga takvaja e vet. El-Muhasibiu kur flet për pseudo-fetarët të cilët pretendojnë se janë të devotshëm dhe me këtë mburren karshi të tjerëve duke i shikuar ata me përçmim, thekson se këta janë njerëz që i ka mashtruar shejtani, se të devotshmit e vërtetë nuk e shikojnë veten mbi të tjerët, po madje edhe më të ulët se ata.[40] Edhe Vasitiu e thekson të njëjtën gjë kur thotë: “Takva do të thotë që njeriu ta ruajë veten nga takvaja e vet”[41]

Takvaja në fikh (të drejtën islame)
Takvaja është trajtuar nga aspekte të ndryshme edhe në lëmin e së drejtës islame. Përkrah detyrës së kryetarit të shtetit dhe të gjykatësit, takvaja është kërkuar vazhdimisht si një kriter edhe te dëshmia, te kujdestaria dhe te format tjera të garantimit të të drejtave të njerëzve nën termin e drejtësisë morale që nënkuptonte largimin nga mëkatet e mëdha, mos-insistimin në mëkatet e vogla dhe kryerjen e vazhdueshme të farzeve. Drejtësia është konsideruar si një virtyt i cili siguron të qenët i devotshëm dhe fisnik. Takvaja është kërkuar edhe si një kriter te transmetuesit e haditheve, brenda termit drejtësi. Te vetitë më të rëndësishme që kërkohen për personin i cili do të dalë imam në namazet me xhemat, krahas njohjes së rregullave të namazit, leximit të drejtë të Kur’anit, përmendet edhe devotshmëria, takvaja. Edhe pse kjo radhitje në çështjen e përparësisë se kush do të dalë imam është pranuar gjerësisht, disa dijetarë së këndejmi kanë theksuar se ai që e lexon Kur’anin drejtë ka përparësi ndaj atij që i njeh mirë rregullat e namazit dhe se ai që është i devotshëm, me takva, ka përparësi ndaj atij që e lexon Kur’anin drejtë. I njëjti kriter është kërkuar edhe në disa çështje të së drejtës familjare.
 
 Nga turqishtja:

Rejhan Neziri (El-hikmeh)

____________________________

* Ky artikull është përkthim nga turqishtja e profesorit tim të nderuar në Bursa të Turqisë, dhe përbën zërin “Takva” në Enciklopedinë islame të Dijanetit të Turqisë: İslam Ansiklopedisi, Türkiye Diyanet Vakfı İslam Araştırmaları Merkezi (İSAM), Stamboll 2010, vëll. 39, f. 484-486. Fusnotat në këtë formë si dhe nëntitujt i kam shtuar unë, përkthyesi, R.N.
[1] Es-Sejjid Sherif el-Xhurxhani, Mu’xhem et-Ta’rifat, Kajro 2004, zëri “et-Takva”, f. 58-59.[2] Muslimi, es-Salah, 222; Tirmidhiu, De’avat, 112.[3] Tirmidhiu, Xhihad, 26.[4] Muslimi, el-Birr, 32; Tirmidhiu, el-Birr, 18.[5] Muslimi, Dhikr, 73; Nesaiu, Isti’adheh, 13.[6] Tirmidhiu, el-Birr, 55.[7] Buhariu, Menakib, 1; Muslimi, Fedail, 168.[8] Buhariu, I’tisam, 27; Muslimi, Sijam, 74.[9] Ebu Davudi, Fiten, 1.[10] Buhariu, Buju’, 3; Tirmidhiu, Kijameh, 60; Ebu Davudi, Buju’, 3.[11] Muslimi, el-Birr, 14; Tirmidhiu, Zuhd, 52.[12] Ahmedi, Musned, II, 4; Darimiu, Buju’, 2.[13] Ibni Maxheh, Mukaddimeh, 2.[14] Ömer Nasuhi Bilmen, Hukuki İslamiyye ve Istılahatı Fıkhiyye Kamusu, vëll. I, f. 314.[15] Ebu Hamid el-Gazzali, Ihja’u ulumi’d-din, Kajro 1939, vëll. II, f. 99-154.[16] Muslimi, Ilm, 7: Ebu Davudi, Sunneh, 5; Darimiu, Mukaddimeh, 19.[17] El-Kelabadhi, Kitabu’t-te’arruf li medh’hebi ehli’t-tesavvuf,  Kajro 1994, f. 84, 85, 97, 98; Ebu Talib el-Mekkij, Ķutu’l-ķulub, Kajro 1961, vëll. II, f. 529; Ebu’l-Kasim el-Kushejrij, er-Risaleh el-Kushejrijjeh, Kajro 1989, f. 735.[18] Muhammed bin Husejn es-Sulemij, Tabekatu’s-sufijjeh, Bejrut 2003, f. 438.[19] Ebu Talib el-Mekkij, po aty, vëll. I, f. 281.[20] Ebu Talib el-Mekkij, po aty, vëll. I, f. 289; vëll. II, f. 375.[21] Ebu Nasr es-Serraxh et-Tusij, el-Luma’, Bagdad 1960, f. 303.[22] El-Harith ibni Esed el-Muhasibij, er-Ri’ajeh li hukuki’l-lah, Bejrut p.v.b., f. 48.[23] Es-Sulemij, po aty, f. 227 ; el-Kushejrij, po aty, f. 279; Feriduddin el-Attar, Tedhkiratu’l-evlija’, Teheran 1346 h., f. 238.[24] El-Kushejrij, po aty, f. 278.[25] El-Kushejrij, po aty, f. 279; el-Attar, po aty, f. 495.[26] El-Muhasibij, po aty, f. 47.[27] Es-Sulemij, po aty, f. 241.[28] Po ai, f. 300.[29] Po ai, f. 108.[30] El-Kushejrij, po aty, f. 279.[31] Po ai, f. 278.[32] Nexhmuddin Daje, Mirsadu’l-‘ibad, Teheran 1365 h., f. 258.[33] El-Kushejrij, po aty, f. 282.[34] Ebu Hamid el-Gazzalij, Minhaxhu’l-‘abidin, Kajro 1954, f. 45.[35] Po ai, Ihjau.., vëll. I, f. 25; II, f. 95; III, 42.[36] Po ai, Minhaxh…, f. 40-89.[37] Mevlana Xhelaluddin er-Rumi, Mesnevi, Stamboll 1963, vëll. I, 140.[38] Es-Serraxhij, po aty, f. 7; el-Mekkij, po aty, vëll. I, f. 364.[39] El-Kushejrij, po aty, f. 276, 735.[40] El-Muhasibij, po aty, f. 561.[41] El-Kushejrij, po aty, f. 289; el-Attar, po aty, f. 745.