Bereqeti – prania e të mirës në çdo gjë…

2438

Vëllezër të dashur!

Në hutben e sotme do të flasim për bereqetin.

Fjalën bereqet ne shpesh e shqiptojmë me gjuhët tona dhe e kërkojmë në çdo kohë dhe rast, por çka është bereqeti dhe si ta sigurojmë atë në pasuritë tona, në familjet tona dhe në bizneset tona?

Bereqeti në kuptimin gjuhësor, do të thotë, tepricë e diçkaje dhe rritje e saj, kurse në kuptimin fetar, do të thotë, prania e të mirës në çdo gjë, që nënkupton shfrytëzimin e diçkahit për ta arritur kënaqësinë e Allahut të Plotfuqishëm.

Bereqeti në pasuri – nënkupton rritjen e saj,
– bereqeti në shtëpi – nënkupton gjerësinë e saj, qetësinë dhe sigurinë,
– bereqeti në ushqim – nënkupton bollëkun dhe vlefshmërinë e tij,
– bereqeti tek pasardhësit – nënkupton numrin dhe moralin ose edukimin e tyre,
– bereqeti në familje – nënkupton harmoninë e saj dhe dashurinë e ndërsjellë,
– bereqeti në kohë – nënkupton gjerësinë dhe ekzekutimin e të gjitha detyrave të parapara,
– bereqeti në shëndet – nënkupton aftësinë fizike dhe mendore,
– bereqeti në jetë – nënkupton gjatësinë e saj dhe dinjitetin në dituri, njohuri dhe në transferimin e tyre tek njerëzit e tjerë.

Me një fjalë, bereqeti e nënkupton të mirën në kuptimin më të gjerë!

Njerëzit në përgjithësi në këtë botë nxitojnë: për pasuri, për fëmijë, për pozitë dhe begati të tjera të kësaj bote, dhe mendojnë se në to është krejt fati, kurse besimtarët – i luten Allahut të Plotfuqishëm, që tu japë bereqet në çdo gjë.

Pejgamberi (savs), i është lutur Allahut të Plotfuqishëm, që t’i japë bereqet në hallall.

Vëllezër të respektuar!

Besimtarët kanë bereqet në të gjitha gjërat, ashtu që në pasurinë që posedojnë ndjejnë kënaqësi, sepse e fitojnë dhe e shpenzojnë në mënyrë hallall, fëmijët i kanë të dëgjueshëm, kanë bereqet në kohë, ashtu që në të njëjtën kohë bëjnë shumë më tepër punë se sa njerëzit e tjerë, dhe ata gjithmonë janë të kënaqur me caktimin e Allahut të Plotfuqishëm.

Nga ana tjetër, ka nga ata që janë të pasur, por nuk janë të kënaqur me atë që kanë, dhe për këtë arsye, ata nuk mund të flenë natën, duke menduar se si ta rrisin pasurinë, si të kenë fëmijë, pastaj fëmijët e tyre ua shkapërderdhin pasurinë, janë të padëgjueshëm, etj.

Vëllezër të dashur!

Shtrohet pyetja: Si mund ta arrijmë bereqetin në jetën tonë?

Përgjigja gjendet në disa gjëra të vogla, të cilat – me ndihmën e Allahut – do t’i theksojmë, të argumentuara me ajete, hadithe dhe me mendime të dijetarëve:

1. Devotshmëria –  sepse devotshmëria është çelësi i të gjitha të mirave.
Thotë Allahu i Plotfuqishëm: “… E kush i druhet Allahut, Ai i bënë rrugëdalje atij. Dhe e furnizon atë prej nga nuk e pret…” (3)(et-Talak, 2-3)

2. Mbështetja në Allahun e Plotfuqishëm –  për çka flet hadithi që transmetohet nga Omer ibn el-Hattabi (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë:
“Nëse ju do të mbështeteni në Allahun me mbështetje të vërtetë, Ai do të ju furnizojë, siç i furnizon zogjtë, të cilën gdhihen të uritur, ndërsa ngrysen të ngopur!” (Ahmedi)

3. Falënderimi ndaj Allahut të Plotfuqishëm –  për begatitë e Tij, siç thuhet në pjesën e dytë të ajetit 144, të sures Alu Imran: “Allahu do t’i shpërblejë mirënjohësit!”

4. Urdhëresa e familjarëve dhe falja e namazeve –  siç thotë Allahu i Plotfuqishëm:

“Dhe urdhëroje familjen tënde që të bëjë namaz dhe në këtë bëju këmbëngulës! Na nuk kërkojmë furnizim prej teje. Na të furnizojmë ty…” (Taha, 132)

5. Leximi i Kuranit, sepse ai është Libër i bekuar ilaç për trupin dhe shpirtin.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Ky është një libër (Kurani), që ta kemi zbritur ty, libër i bekuar…” (Sad, 29)

6. Pasimi i sunetit të Pejgamberit (savs) –  në të gjitha rrethanat, sepse kjo gjithmonë sjell mirë.
Njëra nga këto gjërat është ngrënia para vetes: Pejgamberi (savs), ka thënë: “Vërtet bereqeti zbret në mes të ushqimit, andaj hani nga anët, dhe jo nga mesi! Ju, me të vërtetë, nuk e dini se në cilën pjesë të ushqimit është bereqeti!” (Muslimi)

7. Lutja dhe istigfari – kërkimi i faljes nga Allahu i Plotfuqishëm – sepse Pejgamberi (savs), ka bërë lutje në raste të ndryshme dhe ka bërë istigfar me qindra herë në ditë.

8. Largimi nga harami – në çfarëdo forme qoftë, veçanërisht nga kamata, siç thuhet në ajetin 276, të sures el-Bekare: “Allahu e shkatërron kamatën, ndërsa e rrit (shton) sadakën…”

9. Dhënia e sadakës dhe ndihma e të varfërve, siç thuhet  në hadithin kudsij të transmetuar nga Ebu Hurejre (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Ka thënë Allahu i Plotfuqishëm – ‘O njeri, jep ti, pastaj Unë do të jap ty.” (Muslimi)

10. Kryerja e detyrimeve në pjesën e parë të ditës – në përputhje me praktikën dhe lutjet e Pejgamberit (savs). Për të tillët, Pejgamberi (savs), ka bërë lutje: “O Allah, Ti jepi bereqet umetit tim në mëngjes!” (Ahmedi)
Nga kjo lutje e Pejgamberit (savs), kuptojmë se koha më e bereqetshme për të punuar dhe fituar nafakën është në orët e para të ditës.

Vëllezër të respektuar!

Le të përpiqemi që në të gjitha punët tona të arrijmë bereqet,
– le t’i kryejmë të gjitha obligimet tona në kohë dhe ashtu siç kërkohet nga ne,
– le të garojmë në vepra të mira dhe të përgatitemi për Ditën e Llogarisë, kur do të shikohen vetëm veprat e mira!

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm, që të na ndihmojë ta ruajmë fenë islame,
– që t’i ndihmojë vëllezërit tanë në nevojë kudo qofshin,
– që të na japë bereqet në të gjitha gjërat,
– që të na mbrojë nga sprovat që nuk mund t’i përballojmë,
– që t’i mëshirojë prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur,
– që fëmijët dhe pasardhësit tanë t’i bëjë dritë të syve dhe zemrave dhe udhëheqës të umetit,
– që të na mëshirojë neve në ditën e Gjykimit, dhe

– që të na nderojë në xhenet me shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)