Bid’ati dhe bid’atofobia

1525

Dr. Mevludin Dizdarević*

Ekzistojnë tema dhe çështje që u përkasin sferave të politikave identitare dhe të diferencimeve shoqërore, të cilat, veçanërisht, tërheqin vëmendjen e medias. Sa po të përmendet ndonjëra prej tyre, të gjithë ngriten në këmbë dhe menjëherë përgatiten për luftën e pa kompromis ideologjike. Njëra prej këtyre temave, që me automatizëm ndikon që shoqëria të pozicionohet në tabore fërkimesh, është edhe çështja e bid’atit apo siç me gjuhën bashkëkohore i themi çështja e inovacionit në Islam.

Kësaj here nuk do të flas për atë se çfarë është dhe se si definohet bid’ati. Megjithatë, dua të them se kjo shprehje ka konotacione pozitive, kur është në pyetje zhvillimi inovativ civilizues, dhe ka konotacione negative, kur në pyetje është çështja e risisë në besim apo fe. Kurse sa u përket definicioneve, për to më mirë dhe më me meritë mund të flasin të tjerët.

Gjithsesi, unë çështjen e inovacioneve kulturore do të mund ta trajtoja nga aspekti i fushës me të cilën merrem, e që në kulturologji konsiderohet nga çështjet tejet interesante. Sado që mund të pretendohet dhe të konsiderohet se ekziston një kulturë e “pastër”, një gjë e tillë nuk ekziston.

Asnjë kulturë nuk lind vetvetiu, sikur që shprehet Bernard Lewis, si një “Afroditë nga shkuma e detit”, porse është fryt i shumë ndikimeve dhe huazimeve të ndryshme. Eduard Kale pohon se te çdo kulturë elementet e huaja arrijnë deri në 90 përqind, kurse vetëm dhjetë përqind mund të konsiderohen si elemente burimore, origjinale.

Për kundër kësaj, dorën në zemër, ky dhjetë përqindësh është elementi kryesor me çfarë mund të njihet një kulturë. Shumë elemente që sot mund t’i konsiderojmë si pjesë të pandashme të kulturës sonë islame, në fakt, janë të importuara.

Si shembull kemi minaren, e cila nuk ishte prezente në fillimet e para të përhapjes së Islamit, porse më vonë u përvetësua nga kultura kristiane e ndërtimit të kullave të kambanave. S’do mend se një element të tillë edhe të krishterët e kanë huazuar nga kulturat e tjera, e kështu me radhë. Nga inovacionet nuk pati frikë as Muhammedi a.s., i cili, pa asnjë dilemë, pranoi hapjen e hendekut rreth Medines, propozim ky i cili erdhi nga persiani, Selman El-Farisiu, sikur që edhe vepronte ngjashëm me sundimtarët e vendeve fqinje kur vuloste dokumentet zyrtare me unazën e tij. (Shënon M. Hamidullah).

Sidoqoftë, nga çështjet kryesore që dua të adresojë është qëndrimi apo raporti ndaj inovacioneve qytetëruese në botën muslimane. Teza ime fillestare është se inovacionet (risitë), prodhimi dhe përhapja e shpejt e tyre janë nga ato që kontribuojnë në mbijetesën dhe të ardhmen e shtetit dhe të bashkësisë.

Civilizimet e fuqishme janë ato që gjithmonë gjenerojnë gjëra të reja inovative qytetëruese, ndërsa dështojnë ato që mbyllen dhe vetëm konsumojnë. Indeksi global i inovacionit tregon në mënyrë të pashmangshme për lidhjen ndërmjet risive dhe pasurisë së përgjithshme të një vendi. Nuk është plotësisht e qartë nëse vendet janë të pasura ngase janë inovative apo janë inovative ngase janë të pasura?

NOKIA ishte njëra nga kompanitë me të njohura të telefonave celularë, por mosgatishmëria e tyre që të adaptojnë sistemin operativ Android, bëri që praktikisht kjo kompani të mbetet jashtë hartës së prodhuesve të ri botërorë në lidhje me telefonat celularë. Në këtë moment, tek sa e lexoni këtë tekst, korporata të madha botërore janë vënë në garë se kush do të zbulojë vaksinën kundër virusit Covid-19, pasi që e dinë se zbuluesin e presin shpërblime të mëdha. Është fakt i pamohueshëm se ne jemi të rrethuar me inovacione me të cilët janë zgjidhur një sërë problemesh, me ç’rast zbulimet e tilla për autorët e tyrë kanë sjellë fat dhe përfitime të mëdha.

Paramendoni, popujt muslimanë assesi të marrin pjesë në këtë garë!

Bota muslimane, në periudhën e saj të artë, ishte një botë dhe hapësirë e shpikjeve dhe kreativitetit. Historiani i njohur i Mesdheut, Fernard Broaudel, gati të gjitha inovacionet e jetës moderne tregtare ia përshkruan gjeniut musliman, e jo qytet-shteteve mesjetare italiane.

Mehmet Fatihu arriti ta çlirojë Kostandinopojën vetëm në saje të zbulimit të një topi të veçantë i cili arritur që t’i rrënojë muret e larta. Në epokën e artë të Islamit, sidomos në kohën e abbasidëve, u zbuluan spitalet, univerzitetet, psikiatritë dhe një sërë shpikjesh të tjera teknike të cilat dukshëm ndikuan në lehtësimin e jetës njerëzore. Ndërkohë që sot gjendja është krejtësisht ndryshe. Muslimanët sot dominojnë me shfrytëzimin e shpikjeve dhe krijimtarive të të tjerëve, të cilat i blejmë shtrenjtë pasi nuk i posedojmë tonat. Ali Allavi në librin “Kriza e qytetërimit islam”, me të drejtë vije në përfundim se tridhjetë milionë muslimanë të periudhës së abbasidëve ishin më të dobishëm për botën dhe njerëzimin se sa sot një miliardë e gjysmë.

Guy Sorman pohon se Perëndimin dhe zhvillimin e tij e përcaktojnë tri gjëra: pasioni për të renë, barazia gjinore dhe kultura e kritikës dhe vetëkritikës. Në këto tre elemente muslimanët kanë ngecur mbrapa, sidomos dominon prapambetja në inovacione dhe kreativitete.

Dekarti ka thënë se “mendja e shëndosh është gjëja më e shpërndarë në botë”, kurse Edgar Morin shton se në çdo bashkësi njerëzore ekzistojnë dy dimensione dominante të arsyeshmërisë (racionalitetit): ai konstruktiv, i cili anon kah e reja dhe e ndryshueshmja, dhe ai kritik, i cili synon të ruaj gjendjen ekzistuese. Të parët dëshirojnë të zbulojnë gjëra të reja, ndërsa të dytët konservojnë. Një shoqëri do të ketë sukses dhe do të përparojë për aq sa ndërmjet këtyre dy rrymave do të ketë ekuilibrim dhe dialog aktiv. Aty ku ka çekuilibrim (mosbalancim), shoqëria shkon në shkatërrim të vetvetes dhe të parëndësisë historike.

E tash vijmë te një pyetje thelbësore për të gjithë ne që promovojmë Islamin dhe realitetin musliman: Në çfarë mase është insistimi ynë kundrejt risive (bid’ateve) dhe se frika nga gjërat e reja, bid’atpfobia (Murad Hoffman), sa e mbanë civilizimin musliman në pozitën në të cilën gjendemi sot?

Me fjalë të tjera, sa u përket aspekteve të tjera të jetesës, deri në ç’masë interpretimi ynë i konservuar i fesë i ka “terur lëngjet” e krijimtarisë civilizuese dhe kulturore, duke pasur parasysh kushtëzimin e komentimit të fesë dhe të kontekstit shoqëror?

Ose ja edhe një pyetje tjetër më të mirë: A kemi ngecur mbrapa në aspekt të qytetërimit sepse insistojmë në kryerjen e bid’ateve apo insistojmë në bid’ate sepse kemi ngecur mbrapa?

(Autori është myfti i myftinisë së Bashkësisë Islame të Bosnjë-Hercegovinës në Zenicë)

Burimi: Preporod.info

Përktheu: Hfz. Mehas Alija

(Islampress)