E dëshiroi haramin, andaj Allahu ia ndaloi hallallin!

848

Tre muaj më parë në Repartin e Kujdesit Intensiv në spital, u njoftova me një djalë 27-vjeçar, i cili, megjithëse nuk më njihte, më shikoi me një vështrim që fliste më shumë se 1000 fjalë. Duke e shikuar përmes qelqit që e ndante korridorin nga dhoma, menjëherë e kuptova se në çfarë gjendje ishte, por edhe ai e ndjeu këtë, kjo shihej në pamjen me të cilën po më shikonte, e cila depërtoi deri në zemrën time. I vesha dorezat dhe e vura maskën në fytyrë, hyra në dhomën e tij dhe i dhashë selam. Ai ma ktheu selamin me një zë që përshkohej me turp…

Gjëja e parë që më erdhi në mendje në atë moment ishin këto dy ajete kuranore: “Nëse Ai don, do t’ju zhdukë juve dhe do të sjellë popull të ri; Kjo për Allahun nuk është punë e rëndë.” (Ibrahim, 19-20)

Këto fjalë të Allahut vlejnë edhe për ne! Allahu është në gjendje me lehtësi të na bëjë, që njerëzit të ndjejnë keqardhje për neve. Është në gjendje të na bëjë në çdo moment, që njerëzit të na shikojnë dhe të qajnë për gjendjen tonë, dhe për atë që Allahu na ka bërë neve. Prandaj, kur Allahu e përmend marrjen e begative nga njerëzit, Ai thotë se kjo është shumë e lehtë. “Nëse Ai don, do t’ju zhdukë juve..” Sa prej jush? Miliarda. Ai do t’i zhdukë prej tyre të gjitha begatitë. Ai do ta merrte çdo zemër që rreh, çdo sy që sheh, dhe “Kjo për Allahun nuk është punë e rëndë..” (Ibrahim, 20)

Unë bisedova me të. Në bisedë e sipër, ai më tha: “Unë nuk kam shumë çka për të thënë. Unë e dëshirova haramin, andaj Zoti tani ma ka ndaluar edhe hallallin.”

Atëherë mendova se do të duheshin vëllime librash për ta interpretuar atë që ndjente ai njeri në ato momente. Me një zë të dobët, vazhdoi të më thoshte: “Unë e dëshirova haramin, për pesë minuta, andaj Zoti im ma ndaloi hallallin për tërë jetën time. Kam menduar të luaj dhe të argëtohem me vajzat e njerëzve, kurse më vonë kam planifikuar të martohem me një vajzë të bukur. Mirëpo, tani jo vetëm që nuk mund të martohem, por Zoti i botëve ma ka ndaluar edhe t’i shikoj njerëzit në sy. Asnjë nga vëllezërit dhe të afërmit e mi nuk më viziton, përveç nënës dhe motrës sime, të cilat, sa herë që vijnë, hyjnë dhe dalin duke qarë.

Shiko se si Allahu është në gjendje të na rrëzojë tërë botën. Ai ma ndaloi hallallin dhe asnjë grua tani nuk don të martohet me mua. Tani jam në një gjendje të atillë saqë mendoj ta vras ​​veten, por e di, se në atë rast më pret Zjarri. Nëse mbetëm gjallë… vetëm tani e kam njohur me të vërtetë Allahun, fuqinë e Tij. Unë e di se Allahu më dha mundësi, unë e pata hallallin dhe haramin, por e zgjodha haramin, duke menduar se Allahu do t’i ndëshkojë të tjerët, kurse mua Iblisi më thoshte: “Do të pendohesh më vonë, ende jo, do të pendohesh më vonë, dhe më tha e më tha… ”.

Tani derisa po qëndroj i shtrirë, i vetmuar dhe i braktisur në këtë shtrat, dhe po i ndiej shikimet e të tjerëve, të cilat depërtojnë përmes qelqit ndarës, nuk mbaj mend as nuk ndiej asnjë kënaqësi që kam pasur në jetën time. Unë e di se ata më shikojnë me keqardhje sepse e kam sëmundjen HIV.”

Derisa po e dëgjoja tregimin e tij të gërshetuar emocionalisht, u ndjeva i thyer, por si do të kisha qenë sikur të isha në vendin e tij! Çka do të ndjeja atëherë?

Dola me një mesazh dhe një mësim që e mësova dhe e mora. Unë me siguri e di se Allahu këtë ma ka treguar, në mënyrë që ta korrigjoj veten time.

“Ai (shejtani) ka thënë: “Unë, doemos do të marr një pjesë të caktuar të robërve Tu (nën ndikimin tim); dhe unë doemos do t’i shpie ata në rrugë pa rrugë dhe me siguri do t’i joshi me shpresa të kota…”

Dr. Abdulmuhsin el-Ahmed;

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)